E kërkova, por nuk e gjeta.
Kënga e Këngëve 3:1
Më thuaj se ku e humbe shoqërinë e Krishtit dhe do të të them vendin më të mundshëm se ku mund ta gjesh. A mos e humbe vallë Krishtin në kthinën e fshehtë duke mos u lutur aq sa duhet? Atëherë, shko ta kërkosh se atje ke për ta gjetur! A mos e humbe vallë Krishtin për shkak të mëkatit? Atëherë nuk ke rrugë tjetër veçse të heqësh dorë nga mëkati dhe t’i kërkosh Frymës së Shenjtë të ta “presë” gjymtyrën ku struket dëshira mëkatare. A mos e humbe vallë Krishtin duke e lënë pas dore leximin e Shkrimit të Shenjtë? Atëherë duhet ta gjesh Krishtin te Shkrimi. Është e vërtetë fjala e urtë që thotë: “Kërkoje gjënë e humbur aty ku të ka rënë, sepse aty do ta gjesh.” Pra, kërkojeni Krishtin aty ku e keni humbur, sepse nuk ka lëvizur prej andej!
Mirëpo, të kthehesh prapa për ta gjetur Krishtin është një gjë e vështirë. Bunyan-i [John Bunuyan] na tregon se si copa e rrugës që bëri shtegtari për t’u kthyer te Limani i Rehatisë, ku edhe e kishte humbur rrotullën e tij, ishte më e vështira që ai kishte përshkuar ndonjëherë. Është më e lehtë të ecësh 30 kilometra përpara, sesa të kthehesh një kilometër prapa, për të gjetur dëshminë e humbur. Bëni kujdes, pra, që kur ta gjeni Mjeshtrin tuaj, të kapeni fort pas Tij.
Po si ndodhi vallë që e ke humbur Zotin tënd? Askujt nuk ia merrte mendja se mund të largoheshe ndonjëherë prej një shoku kaq të vyer, prania e të cilit është kaq e këndshme, fjalët e të cilit janë kaq ngushëlluese dhe shoqëria e të cilit është kaq e çmuar për ty! Si ndodhi vallë që nuk i mbajte sytë gjatë gjithë kohës tek Ai nga frika se mos e humbisje? Mirëpo, duke qenë se ishe ti ai që e la të ikte, mëshirë të madhe po kërkon tani tek psherëtin me vajtim: “Oh, sikur ta dija ku ta gjeja Atë!”.
Vazhdo ta kërkosh, sepse është e rrezikshme të jesh pa Zotin tënd. Pa Krishtin je si një dele pa bariun e vet, si një pemë me rrënjë të thara për shkak të mungesës së ujit, si një gjethe e vyshkur mes stuhisë—e shkëputur nga pema e jetës. Kërkoje me gjithë zemrën tënde dhe do ta gjesh Atë! Veç jepu me mish e me shpirt pas kërkimit dhe vërtet do ta gjesh Atë për gëzimin dhe harenë tënde!
© dritez.al 2024