Janar 2023

Ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat, që i takonin Atij.

Luka 24:27

Dy dishepujt në rrugën për në Emaus patën një udhëtim mjaft frytdhënës. Shoku i tyre i udhëtimit dhe mësuesi i tyre ishte profesori më i mirë, interpretuesi më i mirë ndër mijëra të tillë, brenda të cilit fshihen të gjitha thesaret e urtësisë dhe të diturisë. Zoti Jezus zbriti në tokë për t’u bërë një predikues i Ungjillit, dhe nuk pati turp që ta ushtronte thirrjen e Tij përpara një audience prej dy personash, madje Ai as tani nuk refuzon të bëhet edhe mësuesi i një personi të vetëm. Le ta kërkojmë shoqërinë e një Pedagogu kaq të mirë, sepse po nuk u bë Ai urtësia jonë, kurrë nuk do të jemi të urtë për shpëtimin tonë. 

Teksti mësimor i këtij lektori të pashoq është libri i librave. Megjithëse mund t’u zbulonte dishepujve të vërteta të reja, Ai u shpjegoi atyre të vërtetat e vjetra. Falë gjithëditurisë së Tij, Ai e dinte se cila ishte metoda më e përshtatshme e mësimdhënies, dhe duke iu kthyer shkrimeve të Moisiut dhe të profetëve, Ai na tregoi se rruga më e sigurt drejt urtësisë nuk është spekulimi, arsyetimi apo leximi i librave njerëzorë, por përsiatja mbi Fjalën e Perëndisë. Rruga më e shpejtë për t’u pasuruar me dije hyjnore është të gërmosh në këtë minierë diamantesh dhe të mbledhësh margaritarë nga ky det qiellor. Kur Vetë Jezusi përpiqej t’i pasuronte të tjerët, Ai e bënte këtë duke gërmuar në guroren e Shkrimit të Shenjtë. 

Dyshja e bekuar u drejtua në studimin e temës më të mirë, ngaqë Jezusi u foli atyre për Jezusin, duke u shpjeguar gjëra rreth Vetes së Tij. Diamanti priste diamantin, ku ka gjë më të mrekullueshme sesa kjo? Mjeshtri i Shtëpisë u hapi dyert e saj, i uli mysafirët në tryezën e Tij dhe u shërbeu gjellë të zgjedhura prej Tij. Ai që e fshehu Vetë thesarin në arë, i udhëhoqi kërkuesit drejt tij. Natyrisht, Zoti ynë do ta çonte bisedën në temën më të parapëlqyer për Të, e cila kishte të bënte me Personin dhe Veprën e Tij. Ja pse duhet ta shqyrtojmë Fjalën e Perëndisë duke i pasur këto të dyja përherë në qendër të vëmendjes. Oh, sa hir i madh është që ta studiojmë Biblën duke qenë Jezusi si mësuesi ashtu edhe mësimi ynë!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>