spurgeon dev 18 shtator am
Shtator 2023

Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe le të ecim.

Galatasve 5:25

Dy janë gjërat më thelbësore në udhëtimin tonë të krishterë: jeta e besimit dhe ecja e besimit. Kush i kupton këto dy elemente nuk është larg të qenët një mjeshtër në teologjinë praktike, sepse ato janë çështje thelbësore për një të krishterë. Nuk do ta gjesh kurrë besimin e vërtetë të pashoqëruar nga perëndishmëria e mirëfilltë; nga ana tjetër, nuk do të gjesh kurrë një jetë vërtet të shenjtë, e cila të mos ketë në themel të saj një besim të gjallë, i cili mbështetet në drejtësinë e Krishtit.

Mjerë ata që kërkojnë njërën në mungesë të tjetrës! Janë disa që kultivojnë besimin dhe harrojnë shenjtërinë; këta mund të kenë arritur një nivel shumë të lartë në njohjen e doktrinës së drejtë, por po aq e lartë do të jetë edhe masa e dënimit të tyre, sepse e mbajnë të vërtetën në padrejtësi! Mirëpo, janë edhe ca të tjerë që janë munduar për të pasur një jetë të shenjtë, por e kanë mohuar besimin, porsi farisenjtë e lashtësisë, për të cilët Mësuesi tha se u ngjanin “varreve të zbardhura” (Mateu 23:27). Ne duhet të kemi besim, sepse ky i fundit është themeli; ne duhet të kemi shenjtërinë e jetës, sepse kjo e fundit është superstruktura.

Ç’vlerë mund të kenë vallë për dikë vetëm themeli i një ndërtese në një ditë me stuhi? Vallë, a mund të fshihet ai në të? Atij i nevojitet një shtëpi ku të mund të struket, por edhe një themel për atë shtëpi. Në të njëjtën mënyrë, edhe neve na nevojitet superstruktura e jetës frymërore nëse dëshirojmë të gjejmë ngushëllim në ditën e dyshimit. Mirëpo, mos kërko një jetë të shenjtë pa besim, sepse do të ishte njësoj sikur të ndërtoje një shtëpi e cila nuk do të shërbente si strehim i përhershëm, pasi nuk do të ishte themeluar mbi shkëmb! Besimi dhe jeta u ndërthurshin me njëra-tjetrën, dhe porsi dy këmbët e një harku, do ta bëjnë të qëndrueshme përshpirtshmërinë tonë. Ato janë të mbushura me bekime porsi drita dhe nxehtësia që burojnë nga i njëjti diell. Porsi dy shtyllat e tempullit, ato janë për lavdi dhe bukuri. Ato janë dy rrëke që rrjedhin nga burimi i hirit, dy llamba të ndezura me zjarr të shenjtë, dy pemë ulliri të ujitura nga përkujdesja qiellore.

O Zot, na fal sot jetë së brendshmi, me qëllim që ajo të zbulohet së jashtmi për lavdinë Tënde!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaSpurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>