spurgeon dev 17 nëntor am
Nëntor 2023

Sepse prej tij dhe me anë të tij dhe ndaj tij janë të gjitha. Lavdi atij përjetë! Amen!

Romakëve 11:36

“Lavdi atij përjetë!” Kjo duhet të jetë dëshira e vetme e një të krishteri. Gjithë dëshirat e tjera duhet t’i nënshtrohen dhe t’i shërbejnë kësaj dëshire.

I krishteri mund të dëshirojë që t’i venë punët mbarë me biznesin e vet, por vetëm për sa kohë që mund t’i shërbejnë këtij qëllimi: “Lavdi atij përjetë!”. 

Ai mund të dëshirojë të arrijë më shumë dhunti dhe hire, por me të vetmin qëllim, që ai të shpallë: “Lavdi Atij përjetë!”.

Ti nuk po sillesh ashtu si duhet, për sa kohë që shtyhesh nga ndonjë motiv tjetër, përveç përqendrimit vetëm në lavdinë e Zotit. Si i krishterë, “je prej tij dhe me anë të tij”, dhe prandaj duhet që të jetosh “për të”. Mos lejo asgjë tjetër që ta bëjë zemrën tënde të rrahë aq fort sa dashuria për Të! E ndeztë zjarr shpirtin tënd kjo ambicie; qoftë ky themeli i çdo ndërmarrjeje që do të nisësh, dhe motivi gjallërues sa herë që do të të ftohet zelli! Pra, bëje Perëndinë të vetmin synim tëndin! Të jesh plotësisht i bindur—se aty ku fillon uni, zë fill edhe trishtimi; por në qoftë se Perëndia është kënaqësia ime më sublime dhe i vetmi synim imi:

Për mua pak rëndësi ka se ç’cakton dashuria,
Jetë a vdekje, gëzim apo dhimbje për ditët e mia.

Qoftë dëshira jote për lavdinë e Perëndisë një dëshirë në rritje! Në fakt, ti e bekoje Atë në rininë tënde; por mos u kënaq vetëm me lavdërimet që i dhe asokohe.

Vallë, a të ka begatuar Perëndia në biznesin tënd? Atëherë, shtoje dhënien për Të, ashtu siç Ai të ka dhënë më shumë!

A të ka dhënë përvojë Perëndia? Lavdëroje, pra, me një besim më të fortë se ai i fillimit. A po rritet vallë njohuria jote? Atëherë, këndoji Atij me më shumë ëmbëlsi!

A po shijon vallë kohë më të lumtura nga ato të dikurshmet? A je shëruar vallë nga lëngatat, dhe a nuk është kthyer vallë pikëllimi yt në paqe e gëzim? Atëherë, këndoji edhe më fort Atij; shtoji thëngjijtë dhe aromat në temjanicën e lavdërimit tënd!

Nderoje Atë në praktikën e jetës sate, duke i shtuar një “Amen” kësaj doksologjie kushtuar Zotit tënd të madh e të hirshëm, me anë të shërbesës sate individuale dhe shenjtërisë gjithnjë e në rritje.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>