Një mbrëmje [Davidi] u ngrit nga shtrati i tij dhe filloi të shëtisë në tarracën e pallatit mbretëror…
2 i Samuelit 11:2
Pikërisht në atë orë të ditës e pa Davidi Bathshebën. Asnjëherë nuk u shpëtojmë tundimeve. Joshjet e të ligut na arrijnë qoftë kur jemi në shtëpi, qoftë kur ndodhemi diku gjetkë. Dita agon me rreziqet e veta, madje edhe kur bien hijet e muzgut, jemi në rrezik. Të sigurt janë ata që Perëndia i mbron, por mjerë ata që kuturisin nëpër botë, apo madje guxojnë të sillen vërdallë nëpër shtëpinë e tyre të paarmatosur. Ata që e mendojnë veten të sigurt, janë më të prekshëm nga rreziqet sesa të tjerët! Shqytari i Mëkatit është pikërisht Vetëbesimi i tepruar.
Davidi duhet të kishte shkuar të luftonte nëpër betejat e Zotit në vend që të qëndronte në Jerusalem, ku u dha pas rehatisë së luksit, sepse ai u ngrit nga shtrati në mbrëmje. Përtacia dhe luksi janë çakejtë e djallit, dhe i sigurojnë atij gjah të bollshëm. Në ujërat moçalore gëlojnë gjallesa vdekjeprurëse, ndërsa në tokë djerre shumë shpejt mbin një mori barërash të këqija dhe gjembaçësh.
Ah, sikur dashuria e Jezusit, që na shtrëngon fort, të na mbante të zellshëm dhe të dobishëm! Kur e shoh Mbretin e Izraelit tek çohet me përtaci nga divani pasi ka rënë muzgu dhe tek bie menjëherë në tundim, e dëgjofsha tingullin e këmbanës së alarmit dhe e caktofsha vigjilencën e shenjtë që të bëjë rojë tek imja derë!
A ka gjasa që mbreti të ishte ngjitur në tarracë për t’u tërhequr nga bota për një kohë çlodhjeje dhe përsiatjeje? Nëse do të ishte kështu, atëherë, ja ku e kemi një paralajmërim të mrekullueshëm se asnjë vend, sado i fshehtë qoftë ai, nuk na siguron mbrojtje nga mëkati! Meqenëse zemrat tona janë si kuti shkrepësesh dhe shkëndijat për t’i ndezur ato i gjejmë me bollëk gjithandej, duhet të bëjmë shumë kujdes në çdo rast për të mos marrë zjarr. Satani mund t’u ngjitet çative dhe të hyjë nëpër dollapë, dhe megjithëse mund t’ia mbyllim derën atij shejtani të lig, vetë prishja jonë mjafton që të na çojë drejt shkatërrimit, po të mos ishte për hirin parandalues. Lexues, ki kujdes nga tundimet e mbrëmjes! Mos fli mbi dafina! Vërtet dielli po perëndon, por mëkati sapo ka aguar! Na duhet një gardian për natën ashtu siç na nevojitet edhe një roje ditën! O Frymë e bekuar, na ruaj nga çdo e ligë sonte! Amen.
© dritez.al 2024