Janar 2023

Mbetet, pra, një prehje shabati për popullin e Perëndisë. 

Hebrenjve 4:9 

Sa do të ndryshojë gjendja e besimtarit në qiell nga gjendja e tij këtu në tokë! Këtu ai lind për t’u munduar dhe lodhur nga puna, por në tokën e përjetësisë lodhja është një dukuri e panjohur. Duke qenë i etshëm për t’i shërbyer Zotit të tij, i duket se forca e tij është e pabarabartë me zellin që shfaq, ja pse thirrja e vazhdueshme e jetës së tij është: “Ndihmomë të të shërbej, O Zoti im!”. Nëse përfshihet aktivisht, do t’i dalë kaq shumë punë, saqë fuqia dhe jo vullneti i tij do ta shtyjë të thërrasë: “Nuk është se lodhem nga puna, por po shkrihem i tëri në të!” 

Eh, more i krishterë, dita e nxehtë e lodhjes nuk zgjat përherë! Dielli po zbret mbi horizont dhe do të lindë sërish, bashkë me ditën më të ndritshme që ke parë ndonjëherë, mbi një tokë ku i shërbehet Perëndisë ditë e natë, e megjithatë ata do të gjejnë prehje nga mundimet e tyre. Këtu, prehja është e pjesshme; atje, ajo është e përsosur. Këtu, i krishteri nuk ndihet asnjëherë rehat, sepse e ndien se nuk ka arritur ende në vendmbërritje. Atje, të gjithë kanë hyrë në prehje; të gjithë janë ngjitur në majë të malit dhe po pushojnë në prehrin e Perëndisë së tyre. Më lart nuk kanë se ku të ngjiten! 

Ah, ti punëtor i munduar nga lodhja, mendo vetëm për çastin kur do të prehesh përgjithmonë! A mund ta përfytyrosh dot atë çast? Është një prehje e përjetshme, një prehje që “mbetet”. Këtu poshtë, gëzimet e mia më të mira mbajnë mbi vete etiketën “kalimtare”; lulet e mia më të bukura vyshken; gotat e mia të servirura këndshëm thahen me fund dhe në to mbetet vetëm fundërria; zogjtë e mi më zëëmbël bien nga shigjetat e Vdekjes; ditët e mia më të ëndshme mbulohen nga netët; baticat e lumturisë ua lënë vendin zbaticave të trishtimit, por atje lart gjithçka është e përjetshme. Harpa luan pa u çakorduar ndonjëherë, kurora nuk vyshket, sytë nuk e humbasin dritën, zëri nuk meket, zemra qëndron e fortë dhe qenia e pavdekshme pushtohet plotësisht nga një kënaqësi e pafundme. Sa e lumtur do të jetë ajo ditë kur vdekja do të përpihet nga jeta dhe do të nisë Shabati i Përjetshëm! 


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>