spurgeon dev 16 shtator pm
September 2023

A jam vallë deti apo një përbindësh i detit që ti më ruan me një roje?

Jobi 7:12

Kjo ishte një pyetje e çuditshme që Jobi ia drejtoi Zotit. Atij i dukej vetja tepër i parëndësishëm për t’u ruajtur me roje dhe për t’u ndëshkuar kaq rreptësisht, dhe shpresonte se nuk ishte aq i pashtruar, sa të kishte nevojë të kufizohej kështu. Ishte një pyetje që dilte natyrshëm nga zemra e njeriu të rrethuar nga mjerime të tilla, por megjithatë, meriton një përgjigje shumë përulëse.

Është e vërtetë se njeriu as që krahasohet me detin, por është madje më problematik dhe i pashtruar se ai. Deti është aq i dëgjueshëm sa ta respektojë kufirin e vet, dhe nuk e kapërcen cakun, edhe pse ai nuk është veçse një rrip rëre. Sado i fuqishëm që është, ai i bindet urdhrit hyjnor “deri këtu”, madje i bindet atij urdhri edhe në mes të stuhisë. Megjithatë, njeriu kryeneç sfidon qiellin dhe e shtyp tokën, dhe zemërimi i tij kryengritës nuk njeh asnjë cak. Duke qenë nën ndikimin e hënës, deti përjeton batica e zbatica me një rregullsi të vazhdueshme dhe në këtë mënyrë bindet në mënyrë aktive dhe pasive; ndërsa njeriu, të cilit nuk i rrihet pa dalë nga sfera e tij, fle në krye të detyrës dhe është përtac atje ku duhet të jetë më aktiv se kurrë. Ai as nuk vjen e as nuk shkon sipas urdhrit hyjnor, por, përkundrazi, me kryeneçësi preferon të bëjë atë që nuk duhet të bëjë dhe të lërë pa bërë atë që i kërkohet të bëjë. Çdo pikë në oqean, çdo flluskë si rruazë, çdo hedhë shkume, çdo guralec e guaskë e ndien forcën e ligjit dhe i dorëzohet asaj, apo lëviz pa as më të voglin ngurrim.

Oh, sa mirë do të ishte sikur edhe natyra jonë t’i përshtatej vullnetit të Perëndisë sa një e njëmijta pjesë e tyre! Ne e quajmë detin të paqëndrueshëm e shtinjak, por sa i qëndrueshëm që është ai! Qysh prej ditëve të etërve tanë dhe edhe në kohët e lashta përpara tyre, deti ka qenë aty ku gjendet sot, duke i rrahur të njëjtët shkëmbinj me të njëjtën melodi. E dimë se ku ta gjejmë; ai nuk fshihet kurrë, dhe oshtima e tij e përhershme nuk shuhet asnjëherë; por ku është vallë njeriu, njeriu i paqëndrueshëm? Vallë, a mund ta marrë me mend njeriu i urtë se çfarë marrëzie tjetër do ta joshë atë larg bindjes hyjnore? Ja pse e meritojmë që të na ruajnë me roje, më tepër sesa deti i stuhishëm, ngaqë jemi edhe më kryengritës. Zot, na nënshtro për hir të lavdisë Sate! Amen.


© dritez.al 2024

EtiketaSpurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin