Mesia do të vritet dhe askush nuk do të jetë me të.
Danieli 9:26
Bekuar qoftë emri i Tij, sepse shkaku i vdekjes nuk gjendej tek Ai! As mëkati origjinal dhe as ai aktual nuk e kishte përlyer dot, çka do të thotë që vdekja nuk kishte asnjë të drejtë mbi Të. Askush nuk mund t’ia merrte Jezusit jetën me të drejtë, sepse Ai nuk i kishte bërë askujt ndonjë të keqe; po ashtu, askush nuk mund ta detyronte me forcë, po të mos e kishte dhënë veten, që të vdiste me vullnet të lirë.
Por ç’është kjo punë kështu? Njëri mëkaton e një tjetër vuan. Megjithëse e shkelëm drejtësinë, ajo u përmbush tek Ai. Nuk do të mjaftonin as lumenj lotësh, as male flijimesh, as dete me gjak viçash dhe as kodra temjani për heqjen e mëkatit; por Jezusi u kryqëzua për ne dhe shkaku i zemërimit të Zotit ndaj nesh u zhduk menjëherë, sepse mëkati u shlye njëherë e përgjithmonë.
Këtu qëndron urtësia, sepse u shpik zëvendësimi, mënyra më e sigurt dhe më e shpejtë për shlyerjen e mëkateve! Kjo është vetëpërulja, e cila e bëri Mesian, Princin, që të vinte një kurorë me gjemba dhe të vdiste mbi kryq! Kjo është dashuria, e cila e shtyu Shpenguesin që të bëhej theror për armiqtë e tij!
Mirëpo, nuk mjafton që ta admirojmë shfaqjen tronditëse të të pafajshmit që e derdh gjakun për fajtorët—duhet medoemos që të sigurohemi për dobinë që kemi ne nga kjo vepër. Qëllimi sublim i vdekjes së Mesias ishte shpëtimi i kishës së Tij. Pra, a nuk kemi edhe ne pjesë dhe short mes atyre për të cilët Ai e dha jetën e Tij si çmim për t’i shpenguar? Vallë, a nuk del Zoti Jezus si përfaqësuesi ynë? Vallë, a nuk jemi shëruar nga vurratat e tij? Në të vërtetë do të ishte një gjë e tmerrshme po të mos kishim pjesë në vetëflijimin e Tij. Do të ishte më mirë sikur të mos kishim lindur fare.
Megjithëse është solemne, kjo pyetje është gjithsesi një shkas hareje dhe si e tillë duhet të marrë një përgjigje të qartë e të pagabueshme. Zoti Jezus është me të vërtetë Shpëtimtari i të gjithë atyre që besojnë në Të, dhe të gjithë ata janë spërkatur me gjakun e pajtimit. Të gjithë ata që besojnë në vlerën e vdekjes së Mesias u gëzofshin në çdo përkujtim të saj, dhe mirënjohja e shenjtë e tyre i udhëheqtë drejt përkushtimit të plotë ndaj kauzës së Tij.
© dritez.al 2024