dhenia

                                                                                Janar 2023                               Nga: Crossway


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

2 e Korintasve 9:7 

Secili le të japë si ka menduar në zemër, as me keqardhje, as me detyrim, sepse Perëndia do dhurues të gëzuar.

“Perëndia do” (në kuptimin e “aprovon”) “dhurues të gëzuar”, një rikujtim për Fjalët e Urta 22:9 në Septuagint (krahaso me Ligjin e Përtërirë 15:10; Romakëve 12:8). Perëndisë i pëlqen një dhënie e tillë, e motivuar nga gëzimi, sepse tregon kënaqësi në dhënien e hirshme të Perëndisë ndaj besimtarit (shih 2 e Korintasve 9:14), e cila bën të mundur çdo vepër të mirë dhe rezulton në falënderim dhe lavdi ndaj Perëndisë (shih 2 e Korintasve 9:11-13).

Mateu 6:2-4

Kur të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer trumbetës para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugica, për të qenë të nderuar nga njerëzit; me të vërtetë ju them se tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre. Por ti kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta jote, që lëmosha jote të jepet në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.

Fjala “hipokritët” i referohej fillimisht aktorëve grekë që vishnin maska për role të ndryshme. Jezusi i kritikon udhëheqësit fetarë, më sakt farisenjtë, për një formë specifike hipokrizie: të bësh gjërat e duhura për arsye të gabuara. “Kur jep lëmoshë” ishte një nga shtyllat e veprave të mëshirës, por udhëheqësit fetarë u jepnin nevojtarëve “për të qenë të nderuar” nga të tjerët. Ironia tragjike ishte se ata tashmë e kishin “marrë shpërblimin e tyre” të nderimeve publike dhe profesionale, por ky ishte gjithë shpërblimi që do të merrnin, dhe një miklim i tillë i përkohshëm nga njerëzit pengon kënaqësinë e dëshirës së thellë të zemrave të njerëzve për t’u aprovuar nga Ati i tyre “që shikon në fshehtësi”.

Ligji i Përtërirë 15:11 

Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim ty dhe të them: “Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfrit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj”.

Në vargun 4 të këtij kapitulli, standardi është në fakt një urdhërim për të qenë bujarë: “Nuk do të ketë asnjë nevojtar midis jush”. Duke qenë se toka do të jetë mjaftueshëm e bekuar nga Perëndia (v. 6) dhe duke marrë për të mirëqenë se ligjet ekonomike do të zbatohen (v. 5), askush nuk duhet të jetë nevojtar. Vargu 11 ndoshta shpreh realitetin se Izraeli nuk do të arrijë të përmbushë ligjin, prandaj do të ketë gjithmonë të varfër dhe nevojë për bujari. Do t’u japësh hua shumë kombeve, por ti nuk do të kërkosh hua. Izraeli do të jetë i pasur në bekime, nëse ka bindje (v. 5).

Jakobi 2:15-16

Dhe në qoftë se një vëlla ose një motër janë të zhveshur dhe u mungon ushqimi i përditshëm, edhe dikush nga ju u thotë atyre: “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni”, dhe nuk u jepni atyre gjërat e nevojshme për trupin, ç’dobi ka?

Ky është një ilustrim i besimit pa vepra në jetën e përditshme. Në vetvete, fraza “Shkoni në paqe! Ngrohuni dhe ngopuni” është një dëshirë dhe lutje fetare për mirëqenien e nevojtarëve, por në realitet është një justifikim që fsheh refuzimin për të ndihmuar personin në nevojë. Në një lutje të tillë nuk ka “dobi” (gr. ophelos, “përfitim, nder”).

Fjalët e Urta 3:9-10 

Ndero ZOTIN me pasurinë tënde dhe me frytet e para të çdo të ardhure që ke; hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht.

“Ndero ZOTIN.” Kjo do të thotë t’i japësh rëndësinë e duhur pasurisë tënde duke e përdorur vetëm për arsye të drejta, të ndershme dhe të paanshme (“pranoje në të gjitha rrugët e tua”, v. 6), që fillon duke ofruar frytet e para të gjithçkaje para Zotit (shih Ligji i Përtërirë 18:1-5). Të japësh frytet e para është të thuash se gjithçka i përket Perëndisë, në të vërtetë dhe vetë adhuruesi. Begatia e përshkruar te Fjalët e Urta 3:10 është bekimi i besëlidhjes (Ligji i Përtërirë 28:1-14), një Eden i përtërirë. “Hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot” është një përgjithësim që lidhet me efektin e nderimit të Zotit me gjithçka ke. Megjithatë, nuk është më tepër sesa një përgjithësim (siç thoshin edhe ngushëlluesit e Jobit), sepse po ta shohësh këtë si një formulë mekanike, po e çnderon Perëndinë dhe qëllimet e Tij sovrane të padepërtueshme.

Luka 6:30

Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe nëse dikush merr gjënë tënde, mos ia kërko.

“Jepi kujtdo që kërkon prej teje.” Jezusi thekson edhe njëherë se besimtarët duhet të jenë “bujarë me tepri”, edhe kur “dikush merr gjënë tënde” (krahaso me shënimin te Mateu 5:42). Standardet me të cilat duhet të jetojnë dishepujt e Jezusit janë më të larta se standardet e botës.

Malakia 3:10

Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time dhe pastaj më vini në provë për këtë gjë”, thotë ZOTI i ushtrive, “nëse unë nuk do t’i hap portat e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.

Si dëshmi e pendimit me gjithë zemër (v.7), Perëndia premton se nëse populli do të jetë besnik duke dhënë “gjithë të dhjetat” (hebraisht do të thotë “e dhjeta”), atëherë shiu i shumëpritur do të vijë (v.10), murtaja dhe shkatërrimi i të korrave do të ndalet (v.11) dhe premtimi i Abrahamit, që të gjitha kombet do të jenë të bekuara (v.12 Psalmi 72:17), do të përmbushet. Të dhjetat jepeshin për të mbështetur priftërinjtë dhe levitët (shih Nehemia 10:38; 12:44), shërbesa e të cilëve ishte thelbësore që Izraeli të mbetej besnik në thirrjen e vet. Duke thënë “më vini në provë”, Perëndia po i sfidon njerëzit të japin të dhjetën që i detyrohen dhe pastaj të shohin nëse ai do të jetë besnik ndaj premtimit të tij. Perëndia premton të plotësojë të gjitha nevojat e tyre, por jo domosdoshmërisht çdo “lakmi” dhe se do të “derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini”.

1 e Korintasve 13:3 

Edhe po të ndaja gjithë ç’kam timen që të ushqeja të varfrit dhe po ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë.

“Ta jepja trupin tim të digjej.” Siç bënë Shadraku, Meshaku dhe Abed-NeGo (Danieli 3:19-23; Hebrenjve 11:34). Dashuria nuk mund të matet vetëm me vepra; duhen vlerësuar edhe qëllimet për të përcaktuar çfarë është dashuria (shih 1 e Korintasve 4:4-5).

Fjalët e Urta 11:24

Ka nga ata që shpërndajnë bujarisht e bëhen më të pasur dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër.

Për shkak se është një Perëndi që bekon bujarinë dhe ia kursen bekimin lakmitarit, kjo fjalë e urtë paradoksale ka shumë kuptim (krahaso me shënimin te Fjalët e Urta 3:9-10).

Marku 12:42-44 

Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant. Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: “Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët. Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte madje, gjithçka kishte për të jetuar”.

“Dy monedha të vogla” (gr. lepta [shumës]; leptoni ishte monedhë judaike me vlerë rreth 1/128 të një denari, që ishte paga 1 ditore për një punëtor) kanë më pak vlerë se një cent. Një “e ve e varfër” dha “më shumë se të gjithë” të pasurit, sipas vlerësimit të Perëndisë, sepse ajo dha “gjithçka kishte”, ndërsa të pasurit dhanë nga tepricat e tyre.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje:  https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-giving/ 

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2023


EtiketaCrossway, Dhënia

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>