Janar 2023

Por unë i drejtohem lutjes.

Psalmi 109:4

Gjuhët gënjeshtare nuk pushonin së përbalturi reputacionin e Davidit, por ai nuk u vetëmbrojt, përkundrazi e parashtroi çështjen e tij përpara një gjykate më të lartë, sepse e paraqiti përpara Vetë Mbretit të madh. Lutja është metoda më frytdhënëse për t’iu përgjigjur fjalëve plot urrejtje. Psalmisti nuk lutej me gjysmë zemre, por jepej i tëri pas kësaj veprimtarie—lutej me mish e me shpirt—duke përfshirë në të çdo tejzë e muskul, njësoj si Jakobi kur luftoi me engjëllin. 

Në këtë mënyrë dhe vetëm në këtë mënyrë, duhet të nxitojë secili prej nesh drejt fronit të hirit. Përgjërimi në të cilin vetë shpirti i njeriut nuk përfshihet krejtësisht, me një zell plot ankth dhe me një dëshirë të ethshme, është po aq i paefektshëm, sa edhe hija që nuk ka fuqi, duke qenë pa përmbajtje, ngaqë i mungojnë pikërisht ato elemente që do t’i jepnin forcë. 

“Lutja e zjarrtë”, thoshte një teolog qëmoti, “është si një top i pozicionuar te portat e qiellit, që i shpërthen ato dykanatësh.” Një e metë e zakonshme e shumicës prej nesh është lehtësia me të cilën u dorëzohemi shpërqendrimeve. Mendimet tona enden sa andej-këtej dhe përparojmë me vështirësi drejt destinacionit të dëshiruar. Mendja jonë nuk e ruan dot përqendrimin, por merr kot, njëlloj si elementi merkur. Sa e keqe e madhe është kjo gjë! Jo vetëm që na dëmton, por ç’është më e keqja, e fyen Perëndinë tonë. Ç’do të mendonim për atë njeri që kur gjendet në një audiencë me një princ, për t’i paraqitur një kërkesë, nis e luan me një pendë ose përpiqet të vrasë një mizë? 

Vargu ynë na bën thirrje për vazhdimësi dhe ngulmim në lutje. Davidi nuk bërtiti një herë të vetme për t’u zhytur më pas në heshtje, por britmat e tij të shenjta vazhduan derisa e zbritën poshtë bekimin. Lutja nuk mund të jetë puna jonë e rastit, por angazhimi ynë i përditshëm, madje zakoni apo profesioni ynë. Ashtu si artistët që harxhojnë orë të tëra përpara modeleve të tyre dhe poetët që rendin pa fre pas muzave, edhe ne duhet t’i vardisemi lutjes. Duhet të zhytemi aq shumë në lutje, sa ajo të jetë si vetë ajri që thithim, dhe kështu duhet të lutemi pa pushim. Zot, na mëso që të lutemi, në mënyrë që të jemi gjithnjë e më shumë të efektshëm në përgjërimet tona!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>