Janar 2023

“Unë të ndihmoj”, thotë ZOTI.

Isaia 41:14

Këtë mëngjes, le ta dëgjojmë Zotin Jezus teksa i thotë secilit prej nesh: “Unë të ndihmoj.” 

“Për mua, Perëndinë tënd, nuk është ndonjë gjë e madhe të të ndihmoj. Mbaj parasysh se ç’kam bërë tashmë për ty. Çfarë? Nuk qenkam i aftë të të ndihmoj? E pse kështu? Unë të bleva me gjakun Tim. Çfarë? Nuk të ndihmuakam dot? Unë kam vdekur për ty; dhe nëse e bëra këtë gjë kaq të madhe për ty, a nuk do ta bëj vallë diçka më të vogël? Unë të ndihmoj! Kjo është gjëja më e vogël që mund të bëj për ty. Unë kam bërë më shumë dhe do të bëj edhe më shumë. Të zgjodha përpara se të krijohej bota. Bëra besëlidhjen për ty. Hoqa dorë nga lavdia ime dhe u bëra njeri për ty, madje dhashë jetën Time për ty. Dhe nëse i bëra të gjitha këto, patjetër që do të të ndihmoj edhe tani. Duke të të ndihmuar, po të jap atë që kam blerë prej kohësh për ty. Edhe sikur të të nevojitej një ndihmë 1.000 herë më e madhe, prapëseprapë do të ta jepja, sepse po kërkon shumë pak në krahasim me atë që jam gati të të jap. Për ty mund të jetë një nevojë shumë e madhe, por Mua nuk më kushton asgjë të ta plotësoj atë. Nuk të ndihmuakam dot ty? Mos ki frikë! Nëse një milingonë do të paraqitej te dera e hambarit tënd, për të të kërkuar ndihmë, nuk do të ishte një humbje e madhe për ty sikur t’i jepje asaj një dorë nga gruri yt. Njësoj si ajo, edhe ti nuk je gjë tjetër veçse një insekt i vockël përpara portës së bollëkut Tim. Unë të ndihmoj!”

O shpirti im, a nuk të mjafton kjo vallë? A të duhet më shumë fuqi sesa gjithëfuqishmëria e Trinisë së bashkuar? A dëshiron vallë më shumë urtësi sesa ajo që banon tek Ati, më shumë dashuri sesa ajo që shfaqet në Birin, ose më shumë forcë sesa ajo që dëftehet në veprat e Frymës? Sille këtu enën tënde bosh! Sigurisht që ky pus do ta mbushë atë. Nxito, mblidhi nevojat e tua dhe silli këtu—zbrazëtinë tënde, pikëllimet dhe mungesat e tua! Pa shiko, ky lumë i Perëndisë është përplot, gati të plotësojë nevojat e tua. Çfarë mund të dëshirosh tjetër? Eja, shpirt im, bëj përpara me guxim! Perëndia i Përjetshëm është ndihmuesi yt! 

Mos ki frikë, jam me ty, o, mos e humb!
Unë, unë jam Perëndia yt dhe sërish do të të ndihmoj!


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>