Janar 2023

Vepro ashtu si ke thënë.

2 i Samuelit 7:25

Premtimet e Perëndisë nuk janë dhënë për t’u hedhur në një qoshe si një letër e pavlerë; Ai synonte që ato të përdoreshin. Floriri i Perëndisë nuk është si paratë e kopracit. Ai është dhënë që me të të bëhet tregti. Asgjë nuk e kënaq Zotin tonë më shumë sesa kur sheh që premtimet e Tij vihen në qarkullim. Atij i pëlqen shumë kur sheh që bijtë e Vet ia përmendin premtimet e Tij dhe i thonë: “O ZOT, Perëndi … vepro ashtu si ke thënë…” 

Ne e përlëvdojmë Perëndinë duke ia përmendur premtimet e Tij. A mos mendon vallë se Perëndia do të varfërohet duke të të dhënë pasuritë që të ka premtuar? A mos të gënjen mendja vallë se Perëndia do të bëhet më pak i shenjtë duke të të dhënë shenjtëri? A mos mendon vallë se do të humbasë diçka nga pastërtia e Tij duke të të pastruar nga mëkatet e tua? Në fakt, Ai ka thënë: “‘Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë’, thotë ZOTI, ‘edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe si purpur, do të bëhen si leshi’” (Isaia 1:18).

Besimi kapet fort pas premtimit të faljes dhe nuk ngurron të thotë: “Ky është një premtim i çmuar, a thua të jetë i vërtetë?”, por shkon drejt e te froni i hirit me të në dorë duke u përgjëruar: “Zot, ja ku është premtimi. Vepro ashtu si ke thënë.” Dhe Zoti ynë përgjigjet: “U bëftë ashtu si dëshiron!”. Në të vërtetë, një i krishterë e çnderon Perëndinë nëse kur e rrok një premtim, nuk del me të përpara Zotit. Mirëpo, kur shpejton për te froni i hirit dhe këlthet: “Zot, nuk di ç’të them tjetër, përveçse: Ti ke thënë”, dëshira e tij do të realizohet. Bankieri ynë qiellor i thyen me kënaqësi çeqet e lëshuara prej Tij. 

Kurrë mos e lini premtimin të ndryshket. Nxirreni nga milli shpatën e premtimeve dhe vringëllojeni atë me tërsëllëm të shenjtë! Mos mendoni se Perëndia bezdiset kur ia kujtoni me ngulm premtimet e Tij. Ai mezi ç’pret t’i dëgjojë britmat e thekshme të shpirtrave nevojtarë. Zoti e ka për kënaqësi t’u bëjë të mira njerëzve dhe është më i gatshëm që t’ju dëgjojë, nga sa jeni ju që t’i drejtoheni Atij në lutje. Dielli nuk lodhet së ndriçuari dhe as burimi së rrjedhuri. Mbajtja e premtimeve është në natyrën e Perëndisë; kështu që shkoni pa humbur kohë te froni me fjalët: “Vepro ashtu si ke thënë.”


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>