Shtator_14

Shtator 2022


Te Filipianëve 4:6, Pali thotë: “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim.” Pastaj te Filipianëve 4:19 (thjesht 13 vargje më pas), Ai jep premtimin çlirues të hirit të ardhshëm: “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Krishtin Jezus.”

Nëse jetojmë me besim në këtë premtim të hirit të ardhshëm, do të jetë shumë e vështirë që shqetësimi të mbijetojë. Pasuritë e Perëndisë në lavdi janë të pashtershme. Ai vërtet dëshiron që ne të mos shqetësohemi për të ardhmen tonë.

Ne duhet të ndjekim këtë model që Pali na paraqet. Duhet të luftojmë kundër mosbesimit, që vjen si rezultat i ankthit, duke përdorur si armë premtimet e hirit të ardhshëm.

Kur jam në ankth për ndonjë takim apo nismë të re, që mbartin rrezik, e luftoj rregullisht mosbesimin me një nga premtimet që përdor më shpesh, dhe ky është Isaia 41:10.

Ditën që u largova nga Amerika për të kaluar tre vjet në Gjermani, babai im më telefonoi dhe më dha këtë premtim në telefon. Për tre vjet duhet t’ia kem cituar vetes pesëqind herë që të kaloja përmes periudhave të jashtëzakonshme të stresit. “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.”

Aq herë e kam luftuar ankthin me këtë premtim, saqë kur mendja ime nuk po bluan ndonjë mendim, tingulli që dëgjohet është ai i premtimit të Isaias 41:10.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>