Shtator_13

Shtator 2022


Dy ditët e fundit kemi parë se Mateu 6:25-34 përmban të paktën shtatë premtime nga Jezusi për të na ndihmuar të luftojmë luftën e mirë kundër mosbesimit dhe të çlirohemi nga shqetësimi. Sot do të shohim tri premtimet e fundit.

Premtimi #5: “Mos u shqetësoni, pra, duke thënë: ‘Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?’ Sepse paganët i kërkojnë të gjitha këto; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për këto të gjitha.” (Mateu 6:31-32)

Mos mendo se Perëndia nuk i di nevojat e tua. Ai i di të gjitha. Ai është gjithashtu “Ati yt qiellor”. Ai nuk të sheh me shpërfillje nga larg. Ai kujdeset. Ai do të veprojë për t’i përmbushur nevojat e tua në kohën më të mirë.

Premtimi #6: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto do t’ju shtohen.” (Mateu 6:33)

Nëse i kushtohesh kauzës së Tij në botë, në vend që të shqetësohesh për nevojat e tua materiale, Ai do të sigurohet që ke gjithçka që të nevojitet për të bërë vullnetin e Tij dhe për t’i dhënë Atij lavdi. Ja si e kuptoj frazën: “dhe të gjitha këto do t’ju shtohen.” Gjithë ushqimi, pija dhe veshja–dhe gjithçka tjetër–që do të të nevojitet për të bërë vullnetin e Tij dhe për ta përlëvduar Atë, do të të jepet. Kjo mund të nënkuptojë që qëllimi i Tij për ty është të vdesësh për Të, por Ai do të sigurojë gjithçka që ke nevojë për ta bërë këtë për lavdinë e Tij.

Ky premtim i ngjan atij te Romakëve 8:32: “Qysh nuk do të na dhurojë [Perëndia] të gjitha gjërat bashkë me të [Krishtin]?” Dhe kjo pasohet nga: “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: ‘Për shkakun tënd po vritemi gjithë ditën; u llogaritëm si dele për therje.’ Por në të gjitha këto jemi më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi” (Romakëve 8:35-37). Zia e bukës dhe të zhveshurit mund të vijnë, por ne do të kemi gjithçka që na nevojitet për të qenë më shumë se fitimtarë.

Premtimi #7: “Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet vetë për vete. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.” (Mateu 6:34)

Perëndia do të kujdeset që të mos sprovohesh më tepër nga sa mund ta përballosh (1 e Korintasve 10:13). Ai do të punojë për ty, që “forca jote” të vazhdojë “sa janë ditët e tua” (Ligji i Përtërirë 33:25).

Çdo ditë ka shqetësimin e saj. Por jo më tepër shqetësim nga sa mund të përballosh me hirin e Tij. Çdo ditë do të ketë mëshira të reja çdo mëngjes–mëshira që i mjaftojnë shqetësimeve të asaj dite (Vajtimet 3:22-23). Ai nuk do të presë prej teje ndonjë vepër të mirë, për të cilën nuk të siguron hirin që të nevojitet (2 e Korintasve 9:8).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>