Mars 2023

“Do të kujdesem për sjelljen time.”

Psalmi 39:1

Bashkudhëtar, mos thuaj në zemrën tënde: “Do të shkoj sa andej këtej dhe nuk do të mëkatoj”, sepse rreziku i mëkatit është gjithnjë i pranishëm, prandaj nuk mund të mburresh se ke shpëtuar prej tij. Rruga është e mbushur me baltë deri në gju, kështu që edhe po i hodhe hapat me kujdes, vështirë se do të dalësh pa i përbaltur paksa rrobat e tua. Kjo është një botë e zhytur në katran, ndaj duhet të jesh vigjilent, që të mos i ndysh duart duke u marrë me të. Në çdo qoshe rruge të ka zënë pritë një kusar që do të grabitë gurët e tu të çmuar; ka një tundim në çdo mëshirë; një kurth në çdo gëzim, dhe në qoftë se një ditë do të mbërrish në qiell, kjo do të jetë një mrekulli e hirit hyjnor, e cila i duhet atribuar plotësisht fuqisë së Atit tënd. 

Ji vigjilent! Kur dikush mban fishekzjarre në dorën e vet, duhet të bëjë kujdes se mos i afrohet ndonjë qiriu; kështu edhe ju duhet të ruheni se mos bini në ngasje. Madje edhe veprimet e përditshme janë vegla të mprehta; kështu që duhet të kini shumë kujdes se si i përdorni ato. 

Nuk ka asgjë në këtë botë, e cila mund ta ushqejë perëndishmërinë e një të krishteri, ndërsa gjithçka bashkëpunon për ta shkatërruar atë. Me sa ëndje duhet t’i drejtosh sytë nga Perëndia, në mënyrë që të të ruajë! Lutja jote duhet të jetë: “Përforcomë dhe unë do të shpëtoj!”. Mirëpo, lutja duhet të shoqërohet edhe me vigjilencë, duke e ruajtur çdo mendim, fjalë dhe veprim tëndin me xhelozi të shenjtë. Mos e zbulo veten pa qenë nevoja; por nëse je thirrur për ta bërë këtë, nëse të kërkohet të shkosh aty ku fluturojnë shigjetat, mos dil pa shqytin tënd; sepse nëse i paudhi të kap qoftë edhe një herë pa mburojën tënde, ai do të gëzohet se i ka ardhur ora e fitores, dhe shpejt do të bëjë që të biesh i goditur nga shigjetat e tij. Edhe pse nuk do të vritesh, mund të plagosesh. 

Ji zgjuar; ji syçelë, sepse rreziku mund të të kaplojë kur gjithçka duket kaq e sigurt përreth teje! Për pasojë, ki kujdes, ji vigjilent, rri zgjuar dhe lutu! Askush nuk ra në gabim për shkak të përkujdesjes së tepërt. Fryma e Shenjtë na udhëheqtë në të gjitha udhët tona, me qëllim që ato të pëlqehen gjithnjë prej Zotit!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin