Mars 2023

Prandaj, ai që mendon se qëndron, le të shohë që të mos bjerë.

1 e Korintasve 10:12

Është vërtet e çuditshme, por ekziston edhe ajo që mund të quhet krenaria e hirit. Dikush i thotë vetes: “Unë kam besim të madh—nuk do të bie kurrë; besimpaku mund të bjerë, por unë nuk do të bie kurrë.” “Unë kam dashuri të zjarrtë”, thotë një tjetër. “Unë mund të qëndroj; nuk ka asnjë rrezik që të dal nga rruga e drejtë.” Ai që krenohet me hirin, në të vërtetë, ka shumë pak hire me të cilat mund të krenohet. Disa nga ata që e bëjnë këtë, mendojnë se hiret e tyre mund t’i ruajnë ata, duke mos e ditur se po nuk rrodhi vazhdimisht uji nga burimi, përroi do të thahet shumë shpejt. Në qoftë se nuk e mbajmë llambën të mbushur me vaj, megjithëse ajo mund të ndriçojë bukur sot, do të nxjerrë tym nesër, duke përhapur një erë të ndyrë përreth. 

Ki kujdes se mos lëvdohesh me hiret e tua, por gjithë lëvdimi dhe besimi yt le të jenë në Krishtin dhe fuqinë e Tij, sepse vetëm kështu mund t’i ruhesh rrëzimit. Ji shumë më këmbëngulës në lutje! Kalo më shumë kohë në adhurim të shenjtë! Lexoji vazhdimisht Shkrimet dhe me më shumë zell! Vigjilo me kujdes mbi jetën tënde! Jeto më pranë Perëndisë! Ndiq vetëm shembujt më të mirë dhe mëso prej tyre! Bisedat e tua le të jenë të mbushura me tema për qiellin. Qoftë zemra jote e parfumosur me dashuri për shpirtrat e njerëzve! Pra, jeto në atë mënyrë që njerëzit ta njohin menjëherë se ke qenë me Jezusin dhe se ke mësuar prej Tij! Kështu, kur të vijë ajo ditë e lume, kur Ai që ti e do shumë, të thotë: “Ngjitu këtu”, qofsh i lumtur ta dëgjosh tek të thotë: “Luftën e mirë e luftove, e përfundove vrapimin, e ruajte besimin, dhe pas kësaj të pret gati kurora e drejtësisë, e cila nuk vyshket kurrë.” 

Bëj përpara, o i krishterë, me kujdes dhe vigjilencë! Vazhdo përpara me frikë të shenjtë dhe dridhje! Bëj përpara me besim, duke u mbështetur vetëm në Jezusin, dhe lutja jote e përhershme qoftë: “Më ndihmo sipas fjalës sate” (Psalmi 119:116). Ai dhe vetëm Ai është i aftë që “t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju vërë të paqortueshëm dhe me ngazëllim para lavdisë së tij” (Juda 1:24).


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>