tetor 12

Tetor 2022


Ne nuk e përlëvdojmë Perëndinë duke siguruar për nevojat e tij, por duke u lutur që ai të sigurojë për nevojat tona–duke besuar se Ai do të përgjigjet dhe duke jetuar në gëzimin e atij kujdesi që siguron për gjithçka, ndërkohë që ne e japim jetën tonë me dashuri për njerëzit e tjerë.

Këtu jemi në zemrën e lajmit të mirë të hedonizmit të krishterë: Perëndia këmbëngul që ne t’i kërkojmë të na ndihmojë, në mënyrë që Ai të marrë lavdinë. “Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më përlëvdosh” (Psalmi 50:15). Kjo na ballafaqon me faktin tronditës se duhet të kemi kujdes nga mendimi se Ai ka nevojë për ne. Duhet të kemi kujdes se si i shërbejmë Perëndisë, duhet të tregojmë kujdes të veçantë që ta lëmë Atë të na shërbejë neve, që të mos ia rrëmbejmë lavdinë që i takon. “[Perëndia] as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë” (Veprat 17:25).

Kjo tingëllon shumë çuditshëm. Shumica prej nesh mendojmë se t’i shërbesh Perëndisë është një gjë krejtësisht pozitive. Nuk e kemi marrë parasysh që të shërbyerit Perëndisë mund të jetë një ofendim për Të. Por meditimi mbi vetë kuptimin e lutjes e bën të qartë këtë gjë.

Në romanin “Robinson Kruzo”, heroi zgjodhi Psalmin 50:12-15 si tekstin e tij të preferuar për të gjetur shpresë, teksa mbeti vetëm në një ishull: Perëndia thotë: “Po të kisha uri, nuk do ta thosha; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat... Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më përlëvdosh.”

Kjo do të thotë: se ekziston një mënyrë për t’i shërbyer Perëndisë, e cila do ta nënçmonte Atë si nevojtar për shërbimin tonë. Oh, sa të kujdesshëm duhet të tregohemi për të mos e shfuqizuar hirin e Perëndisë në Krishtin. Jezusi tha: “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave” (Marku 10:45). Ai synon të jetë shërbëtori ynë. Ai synon të marrë lavdinë si Dhënësi.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia