tetor 13

Tetor 2022


Personalisht, për mua, imazhi më i jashtëzakonshëm që Bibla jep për ardhjen e dytë të Krishtit gjendet te Luka 12:35-37, e cila e portretizon kështu kthimin e një zotërie nga një banket dasme:

“Le të jenë ijët tuaj ngjeshur, dhe llambat ndezur. Ngjasojuni atyre, që presin zotërinë e tyre, kur të kthehet nga dasma, që kur të vijë e të trokasë, menjëherë t’ia hapin. Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet, do t’i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t’i ulë ata në tryezë, dhe do të vijë pranë dhe do t’u shërbejë.”

Është e sigurt që ne quhemi shërbëtorë–dhe nuk ka dyshim që kjo do të thotë se ne duhet të bëjmë pikërisht atë që na thuhet të bëjmë. Por mrekullia e kësaj tabloje është që “zotëria” këmbëngul që të shërbejë. Mund ta kishim pritur këtë gjatë shërbesës së Jezusit mbi tokë, përderisa ai tha: “Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si shpërblesë për shpengimin e shumë vetave” (Marku 10:45). Por Luka 12:35-37 është një tablo e ardhjes së dytë, kur Biri i Njeriut do të vijë me lavdinë verbuese të Atit të Tij “me engjëjt e fuqisë së tij, në flakë zjarri”, siç thotë 2 e Thesalonikasve 1:7-8. Pse portretizoheshka Jezusi si një kamerier që shërben në tryezë në ardhjen e Tij të dytë?

Sepse vetë zemra e lavdisë së Tij është plotësia e hirit që derdhet në mirësi ndaj njerëzve nevojtarë. Ja pse Efesianëve 2:7 thotë se Ai synon “që të tregojë në kohët që do të vijnë pasurinë e pamasë të hirit të tij, me anë të mirësisë ndaj nesh në Krishtin Jezusin”.

Cila është madhështia e Perëndisë tonë? Cila është veçantia e Tij në botë? Isaia përgjigjet: “Nga kohët e lashta askush nuk kishte dëgjuar kurrë, asnjë vesh nuk kishte dëgjuar dhe asnjë sy nuk kishte parë ndonjë Perëndi tjetër veç teje, që vepron për atë që ka shpresë tek ai” (Isaia 64:4). Nuk ka asnjë perëndi tjetër si ky. Ai nuk heq kurrë dorë nga roli i bamirësit të pashtershëm ndaj popullit të Tij të lumtur, i cili gjithmonë mbështetet tek Ai.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>