pertacia

 Gusht 2022                                            Nga: Crossway
 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Fjalët e Urta 31:26-29

Hap gojën e saj me urtësi
dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë. 
Ajo mbikëqyr si shkon shtëpia e vet
dhe nuk ha bukën e përtacisë. 
Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin të lume; 
edhe burri i saj e lëvdon duke thënë: 
“Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha,
por ti i tejkalon të gjitha ato.”

Edhe pse te Fjalët e Urta burrat janë cituar shpesh si shembuj konkretë të mençurisë, këto thënie urtësie aplikohen po njësoj edhe për gratë. Mençuria që Perëndia mëson te Fjalët e Urta mund të kuptohet shumë mirë edhe nga burrat edhe nga gratë.

“Ajo mbikëqyr si shkon shtëpia e vet”, fokusohet te zelli i kësaj gruaje për t’u kujdesur për shtëpinë, për fëmijët dhe për shërbëtorët e saj. Refuzimi i përtacisë përmban një nga virtytet kryesore të Fjalëve të Urta. Në një familje të dashur, anëtarët kuptojnë vlerën e njëri-tjetrit. Këtu fëmijët dhe burri ofrojnë lavdërimin e tyre. Vargu 29 jep fjalët e burrit, ose ndoshta edhe të burrit edhe të fëmijëve.

2 e Thesalonikasve 3:10-12

Në fakt, edhe kur ishim te ju, ju porosisim këtë: se po qe se ndonjë nuk do të punojë, as të mos hajë. Sepse dëgjojmë se disa prej jush ecin në mënyrë të parregullt, nuk punojnë fare dhe merren me gjëra të kota. Këta i porosisim dhe i nxisim, përmes Zotit tonë Jezu Krisht, që të hanë bukën e tyre duke punuar shtruar.

Pali nuk pranon të varet nga të tjerët për jetën e vet. Ai ndërmori një barrë të rëndë të punës manuale, përveç përkushtimit të tij në shërbesë që të shmangë kthimin në një barrë financiare për ndonjë të krishterë në Thesalonik, edhe pse (në dallim nga thesalonikasit dembelë) ishte e drejta e tij nga Perëndia të mbështetej (shih 1 e Korintasve 9:3-15; 2 e Korintasve 11:7-9; 1 e Thesalonikasve 2:9). Ai donte t’u jepte të konvertuarve një shembull për të ndjekur.

Në vargun 11 gjendet një lojë fjalësh në greqisht: jo ergazomenous (“të punosh”) por periergazomenous (“të merresh me gjëra të kota, të përzihesh me të tjerët”). Ata që nuk pranonin të punonin e shfrytëzonin kohën e tyre të lirë për t’u marrë me punët e të tjerëve. Krahaso me 1 e Timoteut, ku kureshtja e pafe rrjedh nga përtacia. Pali i urdhëron me forcë përtacët të kthehen në punë, që të mund të jenë të pavarur financiarisht. “duke punuar shtruar”. E kundërta e të qenët njeri ngatërrestar, ose njeri që merresh me gjëra të kota.

Mateu 25:24-29

Por kështu erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një talent dhe tha: “Zot, e dija se je njeri i ashpër, që korr ku nuk ke mbjellë dhe mbledh ku nuk ke shpërndarë dhe pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd në tokë; ja ku e ke tëndin”. Dhe i zoti duke iu përgjigjur i tha: “Shërbëtor i lig dhe përtac, ti e dije se unë korr atje ku nuk kam mbjellë dhe mbledh aty ku nuk kam shpërndarë. Ti duhet ta kishe vënë paranë time te këmbyesit e parave dhe kështu, në kthimin tim, do ta kisha marrë timin me interes. Ia merrni, pra, këtij talentin dhe ia jepni atij që ka dhjetë talenta. Sepse atij që ka do t’i jepet dhe do t’i teprojë, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.

Veprimet e shërbëtorit të tretë duket se rrjedhin nga pikëpamja e gabuar që ai kishte për të zotin, që shfaqet në përtaci dhe mjeshtëri të keqe.

Në Dhiatën e Vjetër, izraelitët e kishin të ndaluar t’i kërkonin interes izraelitëve të tjerë (Eksodi 22:25; Levetiku 25:35-37; Ligji i Përtërirë 23:19), por ishte e lejueshme t’u kërkoje interes për paratë që u jepnin borxh johebrenjve (Ligji i Përtërirë 23:20). Sidoqoftë, pika kryesore e shëmbëlltyrës ka të bëjë me rëndësinë e të qenët një shërbëtor besnik ndaj gjithçkaje që Perëndia ka besuar në kujdesin tënd.

Të përdorësh aftësitë e dhëna nga Perëndia me urtësi dhe produktivitet është një aspekt jetësor i dishepullimit dhe do të shpërblehet me mundësi shtesë për t’i shërbyer Perëndisë me besnikëri dhe fryte.

Hebrenjve 5:8-11

Edhe pse ishte Bir, mësoi në ato që vuajti, bindjen, dhe, si u bë i përkryer, u bë shkaktari i shpëtimit të përjetshëm për të gjithë ata që i binden, duke qenë i quajtur kryeprift nga Perëndia sipas rendit të Melkisedekut. Për këtë kemi shumë për të thënë, por vështirë për t’u shpjeguar, sepse u bëtë të ngathët në dëgjim.

Gjatë fëmijërisë së tij, Jezusit nuk i mungonte asnjë cilësi e perëndishme në karakter, por i mungonte eksperienca e plotë e të jetuarit një jetë të përsosur njerëzore, duke iu bindur Atit në gjithçka, pa mëkat. Bindja e përsosur e gjithë jetës së Jezusit (Hebrenjve 5:8; Hebrenjve 7:26-28) siguron bazën për shpëtimin e përjetshëm (Hebrenjve 2:10; Hebrenjve 9:23-28) dhe për “përsosjen” përfundimtare të atyre që përgjigjen në besim dhe bindje (Hebrenjve 10:14; Hebrenjve 11:40; Hebrenjve 12:23; krahaso me Hebrenjve 9:9; Hebrenjve 10:1).

Autori ndërpret paraqitjen e rolit të Jezusit si kryeprift (Hebrenjve 4:14-5:10; Hebrenjve 7-10) që t’i sfidojë lexuesit të maturohen edhe më tepër në besimin e tyre. Ai i qorton për mungesën e maturisë (Hebrenjve 5:11-14), liston bazat që ata tashmë duhet t’i njihnin (Hebrenjve 6:1-3) dhe i paralajmëron për rrezikun e largimit nga besimi (Hebrenjve 6:4-8). Megjithatë, ai pohon bindjen e tij në ta (Hebrenjve 6:9-10) ndërsa edhe njëherë, inkurajon këmbënguljen e tyre (Hebrenjve 6:11-12).

Edhe pse shpesh ai i inkurajon lexuesit e tij (p.sh., Hebrenjve 6:9-10; Hebrenjve 10:32-34), këtu autori i qorton. Sidoqoftë, më vonë ai do të “shpjegojë” (Hebrenjve 7) referimin e Melkisedekut (Hebrenjve 5:10). Pak më parë, autori i kishte nxitur lexuesit e tij t’i “kushtojmë vëmendje asaj që kemi lexuar” (Hebrenjve 2:1), tani i quan të ngathët në dëgjim. “Përtac” (Hebrenjve 6:12) është e njëjta fjalë si “i ngathët”.

Hebrenjve 6:10-12

Sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve. Dhe dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës, që të mos bëheni të ngathët, por imitues të atyre, që nëpërmjet besimit dhe zemërgjerësisë trashëgojnë premtimet.

Provat jepen për bindjen e autorit në shpëtimin e lexuesve të tij (Hebrenjve 6:9; Hebrenjve 10:32-34), përfshirë frytin e mirë të shërbesës së tyre (punës) dhe dashurisë së të shenjtëve (shih Hebrenjve 3:1; Hebrenjve 13:24).

Qëllimi i paralajmërimit (Hebrenjve 6:4-8), në fakt i të gjithë letrës, është të inkurajojë këmbëngulje të vërtetë deri në fund. Kjo kërkon shpresë, që është e lidhur ngushtë me besimin (shih Hebrenjve 11:1; krahaso me Hebrenjve 10:22), dhe durim këmbëngulës (krahaso me Hebrenjve 6:15). Abrahami është shembulli i drejtpërdrejtë te Hebrenjve 6:13-15; shembuj të tjerë gjenden te Hebrenjve 11 (shenjtorët e Dhiatës së Vjetër) dhe te Hebrenjve 13:7 (drejtuesit e kishës).

Fjalët e Urta 18:9-12

Edhe ai që është përtac në punën e tij
është vëlla i plëngprishësit. 
Emri i Zotit është një kala e fortë, 
tek ai turret i drejti dhe mbrohet. 
Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë 
dhe si një mur i lartë në përfytyrimin e tij. 
Përpara shkatërrimit zemra e njeriut lartohet, 
por para lavdisë vjen përulësia.

Vargu 10 dhe 11 përshkruan dy lloje sigurie (ZOTI dhe pasuritë), ndërsa Fjalët e Urta 18:9 dhe Fjalët e Urta 18:2 përshkruajnë dy gjëra që sjellin shkatërrimin e njeriut (përtacia dhe krenaria). Të marra së bashku, këto fjalë të urta nënkuptojnë se pasuritë japin ndjesi të rreme sigurie, të cilat të çojnë në përtaci, krenari dhe rënie, por përulësia dhe frika e Perëndisë i lartëson njerëzit.

Kolosianëve 3:23-24

Dhe çdo gjë që të bëni, bëjeni prej shpirtit, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Zotit Krisht.

Marrëdhëniet midis burrave dhe grave, prindërve dhe fëmijëve janë të caktuara nga Perëndia që prej krijimit. Prandaj, udhëzimet e Palit për martesën përfaqësojnë vullnetin e përsosur të Perëndisë. Nga ana tjetër, lloji i të shërbyerit që praktikohej në shekullin e parë, rrallëherë ishte në përputhje me vullnetin e Perëndisë; Shkrimi e rregullon institucionin pa e lavdëruar dhe e keqja e trafikimit të qenieve njerëzore dënohet në Dhiatën e Re (1 e Timoteut 1:10; krahaso me Zbulesa 18:11-13).

Siç ndodh me çdo qytet ose fshat në botën romake, duhet të ketë pasur shumë skllevër (ose robër) në Kolose; Pali i trajton ata me dinjitet dhe u apelon drejtpërdrejt që të nderojnë Krishtin në zemrat, punët dhe me sjelljen e tyre. Filemoni (shih librin e Filemonit) ishte një kolosian që përfitoi nga puna e skllavit të tij, Onesimit. Skllevërit (ose robërit) duhet të punojnë me gjithë zemër, jo vetëm për të kënaqur zotërit tokësorë, por sikur të ishin duke punuar për Zotin. Parimet e Kolosianëve 3:22-4:1 aplikohen te punëdhënësit dhe punëmarrësit e sotëm.

Psalmi 128:2

Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua,
do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë. 

Ky pasazh dhuron një pamje tërheqëse të mënyrës se si personi besnik (ai që ka frikën e ZOTIT, pra, ai që ecën në rrugët e tij; krahaso me Psalmin 112:1; Ligji i Përtërirë 8:6) e sheh bekimin (ose lumturinë e vërtetë) në shtëpinë e tij: ai është në gjendje ta punojë tokën e tij dhe të hajë frytin e punës së duarve të tij (një bekim besëlidhje, krahaso me Ligjin e Përtërirë 28:1-6 dhe Ligjin e Përtërirë 28:33); ai ka një grua që është si një hardhi prodhimtare (pra., një sjellëse e gëzimit si vera, dhe nëna e fëmijëve; krahaso me Psalmin 127:3), dhe bijtë si drurë ulliri rreth tryezës (pra, plot energji dhe premtime). Asgjë nuk sugjeron se një lumturi e tillë është “automatike”; pjesa e mbetur e Letërsisë së Urtësisë plotëson sesi ata që kanë frikën e Zotit, punojnë me dëshirë, duan bashkëshortin/bashkëshorten dhe i mësojnë mirë fëmijët e tyre në perëndishmëri. Fokusi i këtij psalmi është aura e bekimit hyjnor që rrethon një familje të tillë.

Fjalët e Urta 10:4

Kush punon me dorë përtace, varfërohet,  
por dora e njerëzve të zellshëm të pasuron.

Fjala “i zellshëm” është një tjetër përcaktim për “i mençur” dhe “i drejtë”. Konteksti i paragrafit (krahaso me Fjalët e Urta 10:3) tregon se zelli që Zoti kërkon nga i drejti është mënyra e tij për të siguruar nevojat e tyre materiale. Kontrastet te Fjalët e Urta 10:6-32 tregojnë për më tepër se zelli të cilit i referohet është i themeluar në “frikën e ZOTIT” (Fjalët e Urta 10:27a) dhe ka më tepër se thjesht nevoja fizike në pikëpamje (Fjalët e Urta 10:16-17). Në një kulturë si Izraeli i lashtë, bazuar në agrikulturën mbijetuese, “pasuria” nënkupton të korra të mira, një familje e mirë-ushqyer dhe një fermë e mirë për t’iu trashëguar fëmijëve, në vend të një pasurie luksoze që lexuesi modern mund të mendojë. Për më tepër, Fjalët e Urta ka një grup të qartë prioritetesh në të cilat mençuria është shumë më e mirë se pasuria, dhe drejtësia me disa të mira materiale është më e mirë se pasuria pa e njohur Zotin dhe pa ecur në drejtësi (Fjalët e Urta 3:13-15; Fjalët e Urta 8:19; Fjalët e Urta 15:16-17; Fjalët e Urta 16:8, 16; Fjalët e Urta 17:1).

2 e Timoteut 2:4-7

Asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohen me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar. Po ashtu, nëse dikush merr pjesë në gara, nuk kurorëzohet po të mos ketë luftuar sipas rregullave. Bujku që mundohet duhet të marrë i pari pjesën e fryteve. Mendoji ato që të them, dhe Zoti të dhëntë mend për të gjitha.

Përgjatë letrës së tij, Pali thekson mesazhin që Timoteu ka marrë prej tij (shih 2 e Timoteut 1:13, 2:8). Ndërsa Pali përballet me vdekjen, ai inkurajon Timoteun ta kalojë ungjillin te njerëzit besnikë që do të mësojnë njëri-tjetrin, që ungjilli të ruhet për brezat e ardhshëm.

Duke përdorur tre analogji, Pali parashtron thirrjen për të shërbyer dhe vuajtur. Vargu 4 nxit për një dëshirë të vendosur që të kënaqë Perëndinë. Vargu 5 ripërsërit atë që njeriu duhet t’i bindet rregullave të Perëndisë për të pasur sukses. Vargu 6 është më pak i qarti, por duket se inkurajon punën e palodhur, duke parashtruar premtimin e bekimit.

Pali nxit Timoteun të bëjë përpjekjen për të menduar dhe medituar në atë që Pali ka shkruar; dhe ndërsa ai e bën këtë, Perëndia do t’i japë mendësi në gjithçka për të cilën Pali e ka udhëzuar. Përpjekjet e besimtarit dhe fuqizimi i Perëndisë, funksionojnë së bashku.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-slothfulness/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


EtiketaCrossway, Përtacia

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
>