Prill 2025
Ky artikull është pjesë e serisë Tri gjëra që duhet të dini rreth...
David Strain
E duam fort librin e Ruthit, sepse rrëfen romancën e këndshme mes saj dhe Boazit. E duam këtë libër, sepse është plot e përplot me ironi të lezetshme, që duhet të na bëjnë të qeshim nga gëzimi me mirësinë e Perëndisë. E duam këtë libër, sepse është një rrëfenjë që nuk përqendrohet në bëmat e luftëtarëve, gjyqtarëve apo mbretërve, por në jetën e dy grave të përvuajtura që po përpiqen të gjejnë rrugën drejt normalitetit dhe shpresës. Mirëpo, libri i Ruthit na ofron shumë më tepër se kaq.
1. Hapat e padukshëm të mëkatit.
Së pari, në rrëfimin hapës të vendimit fatal të Naomit dhe Elimelekut për ta lënë vendin, vërejmë disa vendime që janë në dukje të arsyeshme dhe që secili prej tyre e çon familjen me hapa të vegjël larg premtimeve të Perëndisë. Tragjedia e vdekjes së Elimelekut dhe e dy bijve të tij, Mahlonit dhe Kilionit, dhe kthimi i Orpahut për në shtëpinë e vet në vend që të shkonte në Izrael bashkë me Naomin dhe Ruthin, janë dy gjërat që flasin për një familje e cila më parë ecte në besnikërinë e Perëndisë, por që tashmë e kishte humbur rrugën. Emri i Elimelekut do të thotë: “Perëndia im është Mbret”. Mirëpo, martesa e bijve të tij me vajza pagane dhe braktisja e tokës së premtuar, në favor të bollëkut të dukshëm të Moabit, dëshmojnë për dritëshkurtësinë e tij. Zija e bukës ishte një nga mallkimet paralajmëruese që Perëndia kishte premtuar të sillte mbi popullin e Tij, për shkak të shkeljes së besëlidhjes prej tyre (Ligji i Përtërirë 28:15–18, 38–40). Mirëpo, duket se në vend që të kujtonin Fjalën e Perëndisë, pra, të qëndronin në tokën e tyre dhe të pendoheshin për shkeljen e besëlidhjes, Elimeleku u përpoq që ta lexonte provaninë me anë të këtij arsyetimi: “Meqë nuk ka zi buke në Moab, atëherë kjo do të thotë që duhet të zhvendosemi atje”. Mirëpo, nuk jemi asnjëherë interpretues të saktë të provanisë. Në fakt, duhet të sundojë Fjala e Perëndinë në jetën tonë dhe jo rezultatet e gjykimeve të mendjes sonë.
2. Hiri bujar i Perëndisë.
Ndryshe nga Orpahu, Ruthi vendosi të vazhdonte me Naomin dhe ta bënte të vetin popullin e Naomit dhe të Perëndisë. Ajo u kthye në besim. Pjesa tjetër e kësaj historie ilustron në mënyrë të mrekullueshme mirëpritjen e kësaj moabiteje në komunitetin e besëlidhjes. Në mbretërinë e Jezu Krishtit, mëkatarët që i zënë besë Atij, janë të mirëpritur nga çdo fis, gjuhë dhe komb. Siç ndodhin gjërat, është më shpesh vejusha hebreje, Naomi, që sillet si pagane dhe jo nusja e saj ish pagane. Për shembull, libri duket sikur na thotë se ajo e nxit Ruthin që ta zërë në pritë Boazin natën vonë në lëmin e tij, në përpjekje për të gjetur burrë. Mirëpo, Boazi ishte një burrë i Perëndisë dhe integriteti e mirësia e tij, e sollën qoftë Ruthin në komunitetin e besëlidhjes përmes martesës, ashtu edhe Naomin nga hidhërimi në gëzimin e rigjetur. Gjithashtu, mund të themi se libri i Ruthit është po aq për rivendosjen e Naomit pas endjeve zemërthyera të saj, sa është edhe për vetë Ruthin që vjen dhe gjen strehë nën hijen e krahëve të Të Plotfuqishmit.
Në gjithë këtë, Boazi, i afërmi shpengues, shërben si simboli i Zotit Jezu Krisht. Detyra e të afërmit shpengues ishte që të blinte tokat që dikur i përkisnin të afërmit të tij të vdekur, me qëllim që pjesa e këtij të fundit në Izrael, të mbetej brenda familjes. Natyrisht, kjo e bënte mundësinë për ta luajtur këtë rol edhe më fitimprurëse. Mirëpo, në këtë rast, kjo e drejtë përfshinte edhe detyrën shtesë që të siguronte për Naomin të martohej me Ruthin dhe të rriste një trashëgimtar të Elimelekut. Çdo fëmijë i lindur prej këtij bashkimi do të trashëgonte tokën e Elimelekut dhe ajo nuk do t’i përkiste më shpenguesit.
Në librin e Ruthit, kishte një të afërm shpengues që kishte një pretendim më të fortë sesa Boazi. Ai qe fillimisht i interesuar për ta bërë këtë kur e mori vesh për tokën dhe pronat. Mirëpo, kur mori vesh edhe për dy gratë, edhe për detyrën për të siguruar një trashëgimtar për Elimelekun, ai hoqi dorë sa hap e mbyll sytë. Detyra e tij ndaj familjes së Elimelekut mund t’i kushtonte më tepër sesa përfitimet që do të nxirrte prej pronave. Mirëpo, Boazi nuk e kishte këtë problem. Ai ishte gati që t’i paguante të gjitha kostot dhe ta mbante gjithë barrën. Ja ku kemi një parashijim tjetër të ungjillit në librin e Ruthit, sepse kemi një të afërm shpengues të vërtetë e të përsosur në Jezu Krishtin, i cili, duke paguar koston e tmerrshme të dhënies së jetës së Vet, dha gjithçka me hare për ta bërë kishën nusen e Vet.
3. Prejardhja modeste e Obedit.
Libri mbyllet me martesën e Ruthit me Boazin dhe lindjen e djalit të tyre, trashëgimtarit të Elimelekut, i cili është Obedi. Tregimtari përdor një fjalë për ngjizjen e Ruthit, që përdoret vetëm dy herë në Biblën hebraike, ku rasti më i famshëm është mallkimi që bie mbi Evën te Zanafilla 3:16. Eva mund të ngjizej dhe të lindte fëmijë mes shumë dhimbjesh, e megjithatë fara e saj një ditë do të shtypte kokën e gjarprit. Ruthi përshkruhet si Eva e re dhe biri i saj është një fëmijë premtimi, që do t’i shërbente qëllimeve të Perëndisë (Obed do të thotë “shërbëtor”). Mësojmë se Obedi është babai i Jeseut dhe Jeseu është i ati i Davidit.
Libri i Ruthit filloi duke e vendosur periudhën e zhvillimit të ngjarjeve të tij në kohën e Gjyqtarëve, kur nuk kishte mbret dhe secili prej tyre bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e vet (Gjyqtarëve 21:25). Mirëpo, tashmë e shohim planin sovran të Perëndisë në realizim e sipër, madje edhe në detajet e përditshme të një familjeje të parëndësishme. Ai po endte të gjitha detajet në një pëlhurë të vetme, për të siguruar lindjen e mbretit David dhe përmes Davidit, Mbretit të Mbretërve, Zotit Jezu Krisht, Shërbëtorit të Përvuajtur. Jezusi vjen nga një prejardhje modeste. Ai është njëri prej nesh. Dhe për shkak se Ai është i tillë, mund të qëndrojë në vendin tonë dhe mund të vuajë bashkë me ne në dobësitë tona.
Ky artikull bën pjesë në serinë Every Book of the Bible: 3 Things to Know.
Botuar me leje: https://learn.ligonier.org/articles/3-things-ruth
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2025