“Por po ju them juve që po dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë.” LUKA 6:27
Kur lexoni Biblën dhe ajo ju përshkruan krishterimin, dhe pastaj shihni veten tuaj, a e vrisni ndonjëherë mendjen nëse jeni me të vërtetë i krishterë? Mua për vete më ndodh.
As siguria jonë si besimtarë dhe as dashuria e Perëndisë për ne nuk varen nga aftësia jonë për të jetuar në përputhje me disa parime të krishtera; përkundrazi, të dyja varen nga ajo që Krishti ka arritur në kryq për ne. Megjithatë, Bibla na mëson të kërkojmë prova të shpëtimit tonë në të tashmen. Nëse jemi me të vërtetë fëmijë të Atit, ne duhet t’u shfaqim të tjerëve një dashuri që i ngjan dashurisë së Krishtit për ne.
Jezusi na bën thirrje për t’i dashur njerëzit në një mënyrë që nuk ka lidhje me pamjen e tyre, me meritat apo me faktin nëse janë për t’u dashur. Ne e dimë se pikërisht kështu na do Perëndia — dashuria e Tij nuk është e bazuar mbi faktin nëse ne e rregullojmë sjelljen tonë, nëse e meritojmë vëmendjen e Tij apo nëse tregojmë se jemi të gatshëm për të shkuar tek Ai ose për të qenë të dobishëm për Të. Asnjëra nga këto nuk kontribuon në dashurinë e Perëndisë për ne. Jo — “Perëndia e nxjerr në pah dashurinë e vet ndaj nesh në atë që, ndërsa ne ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8, theksimi i shtuar).
Prandaj, masa më e madhe e besimit tonë është dashuria — dashuria që reflekton atë dashuri që e kemi marrë me një bollëk kaq të madh. Ne shfaqim dashurinë agape — dashurinë e pakushtëzuar dhe sakrifikuese — pasi ajo është shprehje e karakterit të Perëndisë dhe e gjithçkaje që Ai ka bërë për ne. Ne nuk ua shfaqim këtë lloj dashurie armiqve tanë ngaqë jemi të verbër para faktit se si janë ata realisht, por ngaqë kemi soditur dashurinë që Perëndia ka për ne. Jezusi thotë se, kur i shohim të tjerët ashtu siç janë — në gjithë shëmtinë dhe zemërligësinë e tyre, në gjithë mallkimet e tyre, në gjithë urrejtjen e tyre dhe në gjithë mosgatishmërinë e tyre për të na dhënë atë që na detyrohen — duhet të tregohemi realistë për të gjitha këto, dhe pastaj t’i duam ata. Jezusi thotë: Duke e parë gjithë atë armiqësi, dua që ju t’i doni armiqtë tuaj.
Prej natyre, ne nuk jemi në gjendje për të treguar një dashuri të tillë. Por merrni parasysh se ç’lloj ndryshimi do të sillnim në kulturën tonë nëse do të ishim gati për të jetuar, si në mënyra të përditshme, ashtu edhe të jashtëzakonshme, me një dashuri si ajo e Krishtit, e cila përpiqet të bëjë më të mirën për ata që janë sjellë me armiqësi ndaj nesh. Nuk ka pikë dyshimi që kjo do të ishte diçka revolucionare.
