“Porse, duajini armiqtë tuaj dhe bëni mirë, dhe jepni hua duke mos shpresuar asgjë për kthim; dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh, dhe do të jeni bij të Shumë të Lartit; sepse ai është i mirë ndaj mosmirënjohësve dhe të ligjve. Jini të përdëllyeshëm, ashtu si Ati juaj është i përdëllyeshëm.” LUKA 6:35-36
“Jini të përdëllyeshëm, ashtu si Ati juaj është i përdëllyeshëm” është një deklaratë e përmbledhur e mësimit të famshëm të Jezusit te Lumnitë (Luka 6:20-23). Në fakt, kjo do të ishte një moto e mirë për jetën e çdo besimtari. Këto fjalë theksojnë gjithçka që Jezusi ka thënë më parë në lidhje me mënyrën se si duhet t’i trajtojmë të tjerët — sidomos ata që na urrejnë për shkak të besnikërisë sonë ndaj Tij (v. 22).
Megjithatë, kjo duhet të na nxitë të pyesim: si duket në të vërtetë të qenët i përdëllyeshëm? Si Bariu ynë i urtë dhe i dhembshur, Jezusi nuk na lë që të përpiqemi vetë për ta kuptuar këtë parim. Përkundrazi, Ai na jep udhëzime specifike se çfarë do të thotë ta imitojmë Atin tonë të përdëllyeshëm qiellor.
Perëndia është “i mirë ndaj mosmirënjohësve dhe të ligjve”. Si fëmijë të Tij, ne duhet të kuptojmë se jemi thirrur për ta demonstruar këtë lloj mirësie, duke i dashur armiqtë tanë, duke e kthyer të ligën me të mirë dhe duke u dhënë të tjerëve pa pritur që të na e kthejnë. Vini re se Jezusi nuk përfshin përjashtime ose rrugëdalje këtu.
Pasi na ka thirrur për të qenë kanale të mirësisë së Perëndisë, Jezusi thotë menjëherë se nuk duhet t’i gjykojmë të tjerët (Luka 6:37). Ai nuk po na kërkon që të mos i përdorim më aftësitë tona gjykuese në marrëdhëniet tona; ne duhet ta përdorim mendjen për të bërë dallimin mes së vërtetës dhe gabimit, mes së mirës dhe së keqes. Po ashtu, Jezusi nuk po na mëson që të mos e shohim mëkatin dhe as që të mos i vëmë në dukje gabimet. Përkundrazi, kur Jezusi na urdhëron që të mos gjykojmë, Ai është duke dënuar frymën e vetëdrejtësisë, vetëlartësimit, hipokrizisë dhe gjykimit të ashpër — një qasje kjo që përpiqet të vërë në dukje gabimet e të tjerëve dhe gjithmonë shoqërohet me ndjesinë e hidhësisë.
Fryma e shpërsisë e shkel tërësisht nxitjen e Jezusit për të treguar mëshirë të bollshme si ndaj miqve, ashtu edhe ndaj armiqve. Secili prej nesh ka nevojë që të indentifikojë çdo frymë gjykimi që mund të ketë përqafuar, ta shkulë atë me rrënjë dhe ta zëvendësojë mizorinë me mirësi dhe ashpërsinë me mirëkuptim.
Kjo është mënyra se si u tregojmë të tjerëve atë lloj mëshire që Perëndia na ka treguar neve. Tregohet një histori (ndoshta e sajuar) se, kur mbretëresha Elizabetë II ishte ende vajzë, ajo dhe motra e saj, Margaret-a, para se të shkonin në ndonjë festë, dëgjonin nënën e tyre t’ju thoshte: “Mos harroni: fëmijët mbretërorë sillen në mënyrë mbretërore.” Sjellja e tyre nuk do t’i bënte ato anëtare të familjes mbretërore, por do të demonstronte anëtarësinë e tyre në atë familje.
I krishterë, ti dhe unë jemi anëtarë të familjes mbretërore të gjithësisë dhe Mbreti i krijimit është Ati ynë. Sigurohu që sjellja jote të reflektojë se kush je dhe i kujt je. Ji i përdëllyeshëm, ashtu sikurse Ati yt është i përdëllyeshëm.
