Të Zhgënjyer Butësisht Dhe Në Mënyrë Të Hirshme

Dhjetor 2020


Romakëve 3:25–26

Të cilin e paraqiti Perëndia... për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe drejtësues i atij që beson në Jezusin.

Historia e kthimit në besim të Martin Luterit, ilustron një çështje. Gati sa s`e kishte vrarë rrufeja dhe i bëri një betim Perëndisë se do të bëhej murg. E megjithatë, si murg, ai ishte krejtësisht i paaftë të gjente paqe me Perëndinë.

Martin Luteri e kërkoi Perëndinë në çdo mënyrë, ashtu si e mësonte kisha e asaj kohe—me vepra të mira, përmes meritave të shenjtorëve, në procesin e rrëfimit dhe faljes, përmes shkallës së misticizmit. Përveç këtyre gjërave, ai u caktua profesor në universitet, për të studiuar dhe dhënë mësim Biblën.

Dëgjoni se si e përshkroi Luteri më vonë zbulimin e tij. Si ishte përgatitur ai për të parë dhe pranuar Krishtin për atë që është në të vërtetë?

Dëshiroja shumë të kuptoja letrën e Palit drejtuar romakëve dhe asgjë nuk më pengonte përveç shprehjes: “drejtësia e Perëndisë”, për shkak se e kuptoja si atë drejtësi me të cilën Perëndia është i drejtë dhe me të drejtë e ndëshkon të padrejtin. Situata ime ishte e tillë, edhe pse isha një murg i patëmetë, gjendesha para Perëndisë si mëkatar me ndërgjegje të shqetësuar, nuk kisha siguri që meritat e mia do ta qetësonin Atë. Prandaj, nuk e doja një Perëndi të drejtë dhe të zemëruar, por përkundrazi e urreja dhe murmuritja kundër Tij. Megjithatë, qëndrova pranë Palit të dashur dhe kisha një dëshirë të madhe të dija se çfarë donte të thoshte ai.

Natë e ditë meditoja, derisa e dallova lidhjen mes drejtësisë së Perëndisë dhe deklaratës që “i drejti do të jetojë përmes besimit”. Atëherë e kuptova se drejtësia e Perëndisë është ajo drejtësi përmes së cilës, nëpërmjet hirit dhe mëshirës së Tij të plotë, Perëndia na shfajëson me anë të besimit. Në atë moment, ndjeva që u linda sërish dhe sikur eca përmes portave të hapura në parajsë.

Në manastir, Luterit nuk i kishte mbetur më asgjë për të dhënë nga vetja. Kish gjetur dëshpërimin nga shpëtimi që fitohej nga vetë ai, por me hirin e Perëndisë, ai nuk hoqi dorë prej dëshirës dhe shpresës së tij. Ai e ktheu vëmendjen tek ai vend ku shpresonte të gjente ndihmë, te Bibla. Ai tha: “Kisha shumë dëshirë që të kuptoja.” Dhe tha sërish: “Kisha një dëshirë të zjarrtë.” për të ditur kuptimin. Pastaj tha: “Natë e ditë meditoja.”

Me fjalë të tjera, Perëndia e përgatiti Luterin të shihte kuptimin e vërtetë të Krishtit dhe ta pranonte këtë fakt, duke trazuar një dëshirë të thellë dhe të fuqishme në zemrën e tij për ngushëllimin dhe shpengimin, që mund të vinte vetëm prej Krishtit.

Perëndia e bën këtë vazhdimisht. Ai mund të jetë duke e bërë për ju këtë stinë Adventi; duke ju zhgënjyer me butësi dhe në mënyrë të hirshme përmes jetës që nuk ka Krishtin në qendër, duke ju mbushur me dëshira dhe ëndje, të cilat s’mund ta gjejnë përmbushjen e tyre në atë që ju ofron kjo botë, por vetëm në Perëndinë-njeri.

Kjo mund të jetë një dhurate fantastike për Krishtlindje! Lërini të gjitha mundimet tuaja e kësaj bote t`ju çojnë te Fjala e Perëndisë. Ajo ka për të qenë e ëmbël, sikur të jeni duke hyrë në parajsë.


Shkëputur nga libri i John Piper "Agimi i gëzimit të pashkatërrueshëm"


Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>