premium photo 1676031753819 84ee9e478085

Mars 2022


E kujtoj shumë qartë atë natë. Fatmirësisht, Ray jo. I vogli jonë i tretë po qante përsëri në orën një të mëngjesit, edhe pse Dane ishte nëntë muajsh dhe duhej të flinte gjatë gjithë natës. Nga frika se mos zgjoja Eric-un dhe Krista-n, sepse ishin të gjithë në një dhomë, ngrihesha për ta qetësuar dhe për ta ushqyer, dhe tashmë ishte mësuar dhe i priste vizitat gjatë natës.

Isha e rraskapitur nga kërkesat e tre fëmijëve gjatë ditës dhe nga nevojat e vazhdueshme të foshnjës me gji gjatë natës, dhe atë natë e humba toruan. Kur foshnja nisi të qarën rutinë, pashë nga Ray, që edhe vetë po flinte si foshnjë, pavarësisht gjithë zhurmës, dhe lodhja e mëria që kisha, filluan të derdhen në lot mbi jastëk. Kur kjo nuk e zgjoi Ray-n (Si ia bëjnë baballarët e rinj të flenë me kaq zhurmë?), u përpoqa t’i shkund shpatullën dhe të qaja në veshin e tij. I befasuar, ai u ngrit papritur. “E dashur, çfarë ka ndodhur?”, -pyeti ai i alarmuar nga lotët e mi. “Jam e lodhur. Jam kaaaq e lodhur,” i thashë në vajtim. “U bënë muaj që s’fle natën dhe ti gërhet ndërsa biri yt qan me të madhe në dhomën tjetër! Nuk ia dal dot më!”

Fatmirësisht, Perëndia më ka dhënë një bashkëshort të duruar dhe mirëkuptues. E kaluam natën bashkë dhe gjatë ditës tjetër, Ray me dashamirësi organizoi për mua një shkëputje të vogël te shtëpia e një mikeshe të vjetër. Kundër protestave të mia duke thënë se foshnja do të qante e do të kishte nevojë për mua, Ray më çoi atje për një natë me gjumë të thellë e të pandërprerë, ndërsa ai kujdesej për tre të vegjlit tanë. U ktheva në shtëpi e rifreskuar–dhe nuk e mësova kurrë sa herë ishte zgjuar Dane atë natë, sepse sigurisht, Ray kishte fjetur gjithë natën.

“Mëmësia kërkon më të mirën prej nesh si gra–aty mësojmë të shërbejmë dhe të bëhemi më shumë si Krishti.”

Me sa duket, realiteti i rritjes së një fëmije për Krishtin nuk ishte bërë kurrë pjesë e fantazive të mia prej nëne. Megjithatë, pasi mirëpritëm fëmijën tonë të parë në shtëpi, shumë shpejt kuptova se mëmësia do të kërkonte nga unë më tepër nga ç’do të mund të jepja. Ku do t’i gjeja burimet e nevojshme për të dorëzuar pritshmërinë time për gjumë kur të isha e lodhur, ose dëshirën për të ngrënë pa u ndërprerë, apo atë nevojën për t’u larguar kur të ndihesha e mbingarkuar? Gjatë viteve të para, Perëndia përdori disa të vërteta për të më ndihmuar të mbështetesha në fuqinë e Tij, kur lodhja dhe frika më kërcënonin të më mposhtnin.

Perëndia mirëpret nevojtarin

Mëmësia është koha kur shumë gra mësojnë të shërbejnë. Kur përballemi me përgjegjësitë dhe kërkesat e mëmësisë, problemi ynë më i thellë nuk është domosdoshmërisht një bashkëshort shumë i ngarkuar me punë apo i pandjeshëm, një foshnjë me dhimbje barku apo buxheti i shtrënguar. Problemi më i madh është prirja jonë për të vënë veten në qendër. Mëmësia është e lodhshme dhe e rrëmujshme, madje shpesh e palavdishme.

Çdo fëmijë ka nevojë dhe meriton një përkushtim të pamerituar dhe të pakushtëzuar nga të paktën një i rritur në jetën e tij. Ky lloj përkushtimi është i kushtueshëm, por gjithçka me vlerë është e kushtueshme: përkushtimi me gjithë zemër për Krishtin, një jetë me integritet, një martesë e dashur–dhe mëmësia. Mëmësia kërkon më të mirën prej nesh si gra–aty mësojmë të shërbejmë dhe të bëhemi më shumë si Krishti. Ne ndjekim Atë që “e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori” (Filipianëve 2:7).

Ndërsa u shërbejmë të vegjëlve tanë, mund të mbështetemi në mirëpritjen e shërbëtorit të Zotit (Isaia 42:1). Krahët e Tij janë gjithnjë të hapur për nënat e lodhura dhe nevojtare. Jo vetëm që krahët e Tij janë të hapura për nënat e rraskapitura–por Ai i mban fëmijët tanë shumë pranë zemrës së Tij. Isaia 40:11 na tregon se Ai i mbledh qengjat në krahët e Tij dhe i mban në gjirin e Tij, duke i udhëhequr me ëmbëlsi dhe kujdes ato që kanë të vegjlit e tyre. Shpëtimtari ynë shërbëtor është gjithashtu Bari i kujdesshëm. Ndaj, kur trupat tanë janë shteruar, Ai e kupton dhe na prin në shtigje që ripërtërijnë shpirtin tonë (Psalmi 23:2-3), duke na fuqizuar “me çdo fuqi, sipas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo durim e zemërgjerësi, me gëzim” (Kolosianëve 1:11).

Kur ne si nëna ndihemi të shteruara, të izoluara dhe të irrituara, kemi mundësinë e zgjedhjes. Mund të zgjedhim t’i rezistojmë ndërhyrjes së vazhdueshme në kohën dhe hapësirën tonë personale, duke lënë mërinë të shtohet. Ose mund të zgjedhim të mirëpresim atë nevojtarin e vogël që po thekson dobësitë tona dhe po na tregon nevojat tona. Ne që njohim Krishtin i përkasim një Shpëtimtari që mirëpret nevojtarin (Mateu 11:28). I forti nuk ka nevojë për Të. Le të vazhdojmë të mbështetemi tek Ai.

Privilegjet e mëmësisë

Nënat hedhin themelin për besimin e të ardhmes. Një nënë është ndikimi i parë dhe kryesor në jetën e një fëmije. Ajo përcakton tonin emocional në shtëpinë e saj, duke i dhënë formë shpirtit të fëmijës së saj. Duke luajtur kështu një rol jetësor në botë, për shkak të pozicionit të saj të bekuar nga Perëndia. Fëmija i saj është investimi për të ardhmen, që mban vulën e rolit të saj si nënë përgjatë jetës së tij.

Përmes kujdesit tënd si nënë, edhe pse shumë kërkues në vitet e para, ti po bekon fëmijën tënd me rehatinë e përkushtimit dhe paqen e sigurisë. Po i mëson fëmijës të gjitha vlerat që duhen kaluar në brezat e ardhshëm: dashuria, besnikëria, bindja, respekti, ndershmëria, bujaria. Kur ne u shërbejmë mirë fëmijëve tanë, ne po u mësojmë atyre të përqafojnë detyrimet morale, të cilat më vonë do t’i ndihmojnë të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme, martesa të shëndetshme dhe familje të sigurta. Ndjeshmëria, kujdesi dhe vëmendja jote po mbjellin fara, që do t’i japin fryte të perëndishme në vitet e mëvonshme.

“Shijo privilegjin e dërgimit të një djali apo vajze të fortë dhe shndritës/e në këtë botë me mëkat dhe trishtim, me kurajën për ta jetuar mirë jetën, për hir të Krishtit.”

Ti përcakton tonin emocional në shtëpinë tënde. Mund të ndihmosh ndërtimin e një mjedisi zbulimi, rritjeje dhe krijimtarie. Mund të këshillosh dhe inkurajosh fëmijën tënd për t’i rezistuar konsumerizmit që po gllabëron sot botën tonë. Ti po e përgatit për marrëdhëniet e tij në të ardhmen, ndërsa i jep kujdesin tënd tani si nënë. Puna jote e vështirë dhe mundimet e vlefshme do t’i mësojnë të respektojë babain e tij dhe të dojë vëllezërit dhe motrat, të zgjedhë ushqim të mirë dhe argëtim kuptimplotë, të vlerësojë pastërtinë dhe sjelljen e mirë, dhe gjithashtu të zgjedhë cilat beteja ia vlejnë për të shpenzuar energjinë dhe reputacionin e tij.

Dikush do të ndikojë te fëmija yt

Mendo për privilegjin që ke në drejtimin e një mendjeje dhe zemre të re në zhvillimin shpirtëror, intelektual dhe social. Mendo për bekimin e prezantimit të fëmijës tënd me Perëndinë e universit dhe të vërtetat e përjetshme të fjalës së Tij. Mendo për kënaqësinë që do të gjesh kur të shohësh fëmijën tënd të thotë të vërtetën atëherë kur është e vështirë, të shprehë dashuri në vend të egoizmit dhe të tregojë mirësi plot sinqeritet. Shijo privilegjin e dërgimit të një djali apo vajze të fortë dhe shndritës/e në këtë botë me mëkat dhe trishtim, me kurajën për ta jetuar mirë jetën, për hir të Krishtit. Merr zemër!

Dikush do të ndikojë te fëmija yt gjatë viteve të tij të para, duke i ngulitur vlera dhe duke vulosur standarde në shpirtin e ri të tij. Bëhu ti! Si gjyshe e pesëmbëdhjetë nipërve dhe mbesave, mund të të siguroj se çmimi që do të paguash për mëmësinë do të fillojë të duket i parëndësishëm ndërsa do të shohësh fëmijën të rritet në Krishtin, duke e quajtur atë Zotin dhe Shpëtimtarin e vet. “Le të mos ligështohemi duke bërë të mirën, sepse, po të mos ligështohemi, do të korrim në kohën e vet” (Galatasve 6:9).

Ndërsa mirëpresim privilegjin  të qenët nënë, le të jemi gra që janë të gatshme të paguajnë çmimin dhe t’u nënshtrohen sakrificave që mëmësia e perëndishme kërkon. Le të mos neglizhojmë atë për të cilën Perëndia na ka thirrur të bëjmë, as të injorojmë atë që na ka kërkuar të jemi–shërbëtorët e Tij për brezat e ardhshëm. Do t’ia vlejë! “Sepse ju i shërbeni Zotit Krisht” (Kolosianëve 3:24).


Jani Ortlund është bashkëshortja e Ray Ortlund, shërben si zv.drejtoreshë e “Renewal Ministries”, dhe ka podkastet e saj te He Restores My Soul. Ajo është autorja e Help! I’m Married to My Pastor: Encouragement for Ministry Wives and Those Who Love Them.


Përktheu: Sara Gjana| Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje: https://www.desiringgod.org/articles/mothering-little-children-with-a-big-god  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi prindërimin
Kërkimi për gëzim