update repentance 620

Mars 2024 


Davidi shkroi një prej psalmeve të pendimit, Psalmin 51, pasi u ballafaqua nga profeti Nathan. Nathani i tha Davidit se kishte mëkatuar rëndë kundër Perëndisë, duke e marrë Bath-Shebën për grua dhe duke i vrarë të shoqin, Uriahun.

Është e rëndësishme të vëmë re dhimbjen dhe keqardhjen e sinqertë që shprehu Davidi, por gjithashtu duhet të kuptojmë që pendimi i zemrës është vepra e Perëndisë Frymë e Shenjtë. Davidi u pendua për shkak të ndikimit të Frymës së Shenjtë në të. Jo vetëm kaq, por teksa e shkruan lutjen e tij, ai e bën këtë nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë. Në Psalmin 51, Fryma e Shenjtë e demonstron qartë se si e prodhon pendimin në zemrat tona. Mbajeni këtë në mendje teksa shohim psalmin.

Psalmi 51 fillon kështu: “Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembshurinë e madhe që ke, fshiji të ligat që kam bërë.” (Psalmi 51:1). Këtu ndeshim një element që është thelbësor për pendimin. Zakonisht, kur një person bëhet i vetëdijshëm për mëkatin e vet dhe largohet prej tij, ai i dorëzohet plotësisht mëshirës së Perëndisë. Fryti i parë i pendimit të mirëfilltë është njohja e nevojës sonë të thellë për mëshirë. Davidi nuk i kërkon drejtësi Perëndisë. Ai e di se po qe se Perëndia do ta trajtonte sipas drejtësisë, fundi i tij do të ishte shkatërrimi i menjëhershëm. Për pasojë, Davidi e hap rrëfimin e vet me një lutje për mëshirë.

Kur i lutet Perëndisë që t’ia fshijë të ligat, Davidi i kërkon Perëndisë që t’ia heqë njollën nga shpirti, t’ia mbulojë padrejtësinë e tij dhe ta pastrojë nga mëkati që tashmë ishte një përbërës i përhershëm i jetës së tij. Kështu që ai thotë: “Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im” (Psalmi 51:2).

Konceptet e faljes dhe pastrimit janë të lidhura ngushtë, por nuk janë e njëjta gjë. Në Dhiatën e Re, apostulli Gjon shkruan këto fjalë: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 e Gjonit 1:9). Ne dalim përpara Perëndisë dhe rrëfejmë mëkatet tona, me një frymë pendimi, duke kërkuar jo vetëm faljen e Tij, por edhe forcën për të mos e përsëritur më atë mëkat. Ne i lutemi Perëndisë që prirja jonë për ligësi të eliminohet, ashtu siç bën Davidi në këtë psalm.

Davidi vazhdon: “Sepse i pranoj të ligat që kam bërë dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara” (Psalmi 51:3). Nuk bëhet fjalë thjesht për një pranim të rastësishëm faji. Davidi është një njeri që po vuan; ai thotë: “E di që jam fajtor”. Nuk bën asnjë përpjekje për ta minimizuar fajin e vet. Asnjë përpjekje për ta justifikuar veten. Ne, bëjmë të kundërtën, duke qenë shpesh mjeshtër të gjetjes së arsyeve të duhura dhe jemi të shpejtë në justifikimin e vetes duke dhënë lloj-lloj shkaqesh për sjelljen tonë; mëkatare. Mirëpo, në këto vargje, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, Davidi vjen në pikën kur sillet me sinqeritet me Perëndinë. E pranon fajin e vet, duke e kuptuar se mëkati i rri gjithnjë përpara. Nuk e heq dot qafe dhe ky fakt e mundon atë.

Atëherë ai thërret: “Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe në sytë e tu” (Psalmi 51:4). Në njëfarë kuptimi, Davidi këtu po përdor një hiperbolë. Ai ka mëkatuar në mënyrë të tmerrshme kundër Uriahut, familjes dhe miqve të Uriahut, Bath-Shebës dhe mbarë kombit të njerëzve të Perëndisë. Mirëpo, Davidi e kupton se mëkati i vet është në radhë të parë një fyerje kundër Perëndisë, sepse Perëndia është e vetmja qenie e përsosur në univers. Meqenëse Perëndia është gjyqtari i qiellit dhe i tokës, gjithë mëkati përkufizohet nga këndvështrimi i shkeljes së ligjit të Perëndisë dhe është një shkelje ndaj shenjtërisë së Tij. Davidi e di këtë fakt dhe e pranon atë. Ai nuk e minimizon realitetin e mëkatit të vet kundër qenieve njerëzore, por e pranon që në fundit të fundit, i gjithë mëkati është kryer kundër Perëndisë.

Pastaj ai thotë diçka që shpesh anashkalohet. Kjo deklaratë gjendet në pjesën e dytë të vargut 4 dhe është një prej shprehjeve më të fuqishme të pendimit të vërtetë që ndeshim në Shkrimin e Shenjtë: “Me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon” (Psalmi 51:4). Davidi në fakt thotë: “O Zot, ke gjithë të drejtën që të më gjykosh dhe është e qartë se nuk meritoj asgjë më tepër sesa gjykimin dhe zemërimin Tënd”. Davidi e pranon se Perëndia është i pafajshëm dhe se ka gjithë të drejtën për ta gjykuar atë. Nuk ka pazarllëqe dhe negociata me Perëndinë.

“Ja, unë jam mbrujtur në paudhësi dhe nëna ime më ka ngjizur në mëkat. Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson urtësinë në fshehtësinë e zemrës” (Psalmi 51:5-6). Perëndia jo vetëm që dëshiron t’i tregojmë të vërtetën, por Ai e do atë nga brendësia e thellë e qenies sonë. Davidi e pranon se nuk ka vepruar ashtu si e urdhëron Perëndia dhe se bindja e tij ka të bëjë më tepër me ceremonitë e jashtme sesa me veprat që rrjedhin nga thelbi i qenies së tij.

Atëherë Davidi lutet sërish për pastrim: “Më pastro me hisop dhe do të jem i dëlirë; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora” (Psalmi 51:7). Mund ta ndiejmë paaftësinë e tejskajshme në zërin e Davidit. Davidi nuk thotë: “Perëndi, prit pak. Përpara se ta vazhdoj dialogun në lutje, duhet të pastroj duart! Duhet të lahem!” Davidi e di se është i paaftë që të heqë njollën e fajit nga vetja. Ai nuk bën dot asgjë për të. Ne duhet t’i bashkohemi Davidit duke shpallur se nuk i shlyejmë dot vetë mëkatet tona. 

Përmes profetit Isaia, Perëndia dha më pas këtë premtim:

“Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë”, thotë Zoti, “edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe si purpur, do të bëhen si leshi.” (Isaia 1:18)

Perëndia është i lumtur të na pastrojë kur na gjen të zhyer në pisllëk. 

Davidi më pas thotë: “Bëj që të ndjej gëzim e ngazëllim” (Psalmi 51:8a). Pendimi është një gjë e dhimbshme. Kush e ka për kënaqësi rrëfimin e mëkateve dhe pranimin e fajit? Faji është shkatërruesi më i fuqishëm i gëzimit që ekziston. Edhe pse Davidi nuk është i lumtur teksa lutet, ai i kërkon Perëndisë që t’i ripërtërijë shpirtin dhe ta bëjë që të ndiejë gëzim e ngazëllim sërish. Ai e thekson këtë fakt kur thotë: “Bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë” (Psalmi 51:8b). A nuk është kjo një fjali interesante? Ai thotë:

Zot, më ke dërrmuar. Kockat më janë thyer, por nuk ishte Satani apo Nathani që mi theu ato, Ti mi theve kockat kur më binde për fajin tim. Prandaj qëndroj përpara Teje si një njeri i thyer dhe e vetmja mënyrë se si mund të vazhdoj të jetoj është nëse më shëron dhe më kthen gëzimin e ngazëllimin.

Më pas ai thotë: “Fshihe fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshiji të tëra paudhësitë e mia. O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur” (Psalmi 51:9-10). E vetmja mënyrë për të pasur një zemër të pastër është përmes një vepre rikrijimi hyjnor. Unë jam i paaftë që ta bëj këtë gjë me forcat e mia. Vetëm Perëndia mund të krijojë një zemër të pastër dhe Ai krijon zemra të pastra duke fshirë mëkatin tonë.

Davidi pastaj lutet: “Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë” (Psalmi 51:11). Ai e kupton se kjo është gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një mëkatari. Në të vërtetë, Davidi e di se Perëndia do të na largojë nga prania e Vet, në qoftë se ngulmojmë në mospendim. Jezusi na paralajmëroi se ata që e refuzojnë do të largohen një herë e përgjithmonë nga Perëndia. Mirëpo, lutja e pendimit është streha e besimtarit. Është përgjigjja e perëndishme e dikujt që e di se është në mëkat. Ky lloj reagimi duhet t’i karakterizojë jetët e atyre që janë kthyer në besim.

Davidi vazhdon: “Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkrahmë me frymë dashamirëse. Atëherë do t’u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje” (Psalmi 51:12-13). Shpesh dëgjojmë se njerëzve nuk iu pëlqen të jenë në prani të të krishterëve, sepse këta të fundit karakterizohen nga vetëdrejtësia e ndërthurur me vetëkënaqësinë apo hiqen si engjëj ose shenjtorë të mbaruar. Mirëpo, kjo nuk duhet të ndodhë asnjëherë. Të krishterët nuk kanë asgjë që t’u ngjallë vetëkënaqësi dhe as nuk jemi të drejtët që përpiqen të ndreqin të padrejtët. Siç tha njëherë një predikues: “Ungjillëzimi është njëlloj sikur një lypës t’i tregonte një lypësi tjetër se ku të gjejë bukë”. Ndryshimi kryesor mes besimtarit dhe jobesimtarit ka të bëjë me faljen. E vetmja gjë që e kualifikon një person për të qenë shërbëtor në emër të Krishtit është fakti që e ka përjetuar faljen dhe do t’u flasë për të edhe të tjerëve.

O Zot, hap buzët e mia dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd. Ti në fakt nuk ndien ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as holokausti. Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar. (Psalmi 51:15-17).

Këtu gjejmë thelbin e pendimit profetik siç shihet në kapitullin e fundit. Natyra e vërtetë e pendimit të perëndishëm gjendet në frazën “o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar”. Davidi po thotë se po të mundej t’i shlyente mëkatet, ai do ta bënte, por duke parë se si janë gjërat, e vetmja shpresë e tij është që Perëndia do ta pranojë atë sipas mëshirës së Vet.

Bibla na e thotë qartazi dhe na e tregon në mënyrë të nënkuptuar se Perëndia i kundërvihet krenarëve dhe u jep hir të përulurve. Davidi e di që kjo është e vërtetë. Duke qenë i thyer, ai e njeh Perëndinë dhe se si sillet Perëndia me njerëzit e penduar. Ai e kupton që Perëndia kurrë nuk e urren apo përçmon një zemër të thyer e të penduar. Kjo është ajo që Perëndia dëshiron prej nesh. Kjo është ajo që Jezusi kishte në mendje kur tha te Lumturitë: Lum ata që vajtojnë, sepse ata “do të ngushëllohen” (Mateu 5:4). Ky varg nuk ka të bëjë thjesht me dikë që po vajton humbjen e të dashurit të vet, por me dhimbjen që përjetojmë kur bindemi për mëkatin tonë. Jezusi na siguron se Perëndia, me anë të Frymës së Tij të Shenjtë, do të na ngushëllojë kur vajtojmë për mëkatin tonë.

Ua rekomandoj të gjithë të krishterëve që ta mësojnë përmendsh Psalmin 51. Është një model i përsosur i pendimit të perëndishëm. Shumë herë në jetën time kam dalë përpara Zotit dhe i kam thënë: “O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër”, ose “Fshi të tëra paudhësitë e mia. Më pastro me hisop dhe do të jem i dëlirë”. Shumë e shumë herë jam lutur: “O Zot, kthema gëzimin e shpëtimit”, dhe kam thirrur: “Kundër teje, vetëm kundër teje kam mëkatuar”. Kur ndihemi të dërrmuar nga realiteti i fajit tonë, nuk i gjejmë dot fjalët për ta shprehur si duhet pendimin përpara Perëndisë. Është një bekim i vërtetë kur i vëmë fjalët e Shkrimit të Shenjtë në buzët tona në raste të tilla.

Ky fragment është marrë nga libërthi i pyetjeve thelbësore të R.C. Sproul me titullin “What Is Repentance?”.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/what-does-repentance-look
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë është shlyerja e kufizuar?
Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin