twc posts the instrumental cause of justification 1920

Mars 2024  


R.C. Sproul  

Shpesh ndodh që doktrina e Reformimit mbi drejtësimin përmblidhet me sloganin Sola Fide, që do të thotë “vetëm prej besimit”. Togfjalëshi sola fide është mësimi sipas të cilit drejtësimi është vetëm prej besimit.

Edhe Kisha Katolike e Romës ka mësuar historikisht se drejtësimi është prej besimit. Sipas tyre, besimi është stadi fillestar i drejtësimit. Është themeli dhe rrënja e drejtësimit tonë. Roma këmbëngul për domosdoshmërinë e besimit për drejtësim. Pra, Roma e afirmon qartësisht përbërësin ‘fide’ të sola fide-s. Ajo që ata nuk afirmojnë është përbërësi sola, sepse edhe pse besimi është pikënisja, themeli dhe rrënja e drejtësimit, vetëm prania e tij, nuk mjafton për ta realizuar drejtësimin. Duhet të ketë diçka tjetër përveç besimit, me qëllim që të drejtësohemi, dhe ky është një kusht i nevojshëm. Kushti i nevojshëm është një faktor që duhet të jetë i pranishëm për të sjellë një efekt apo pasojë, por prania e tij nuk e garanton rezultatin.

Për shembull, në rrethana normale, prania e oksigjenit është një kusht i nevojshëm për të pasur zjarr. Mirëpo për ne, fatmirësisht, vetëm prania e oksigjenit nuk mjafton për të pasur zjarr. Në qoftë se do të vlente e kundërta, sa herë që do të merrnim frymë, do të merrnim zjarr. Kështu që duhet bërë dallimi mes një kushti të nevojshëm dhe një kushti të mjaftueshëm. Kushti i mjaftueshëm e garanton në mënyrë absolute ardhjen e pasojës.

Duke pasur parasysh këtë dallim, mund të vëmë re ndryshimin mes pikëpamjes katolike romake dhe asaj të Reformimit lidhur me marrëdhënien mes besimit dhe drejtësimit. Sipas pikëpamjes katolike, besimi është një kusht i nevojshëm për drejtësimin, por jo një kusht i mjaftueshëm për të. Sipas pikëpamjes protestante, besimi jo vetëm që është një kusht i nevojshëm, por edhe i mjaftueshëm për drejtësimin. Domethënë, kur besojmë në Krishtin dhe i zëmë besë Atij, Perëndia me siguri do të na shpallë të drejtësuar përpara Tij. Pikëpamja e reformimit, e cila është edhe pikëpamja biblike, thotë se nëse besimi është i pranishëm, edhe drejtësimi do të jetë i pranishëm gjithashtu.

Ajo që është e papërfytyrueshme sipas pikëpamjes së reformimit është pasja e besimit pa pasur edhe drejtësimin. Nuk mund të kemi drejtësim pa besim, siç nuk mund të kemi besim pa drejtësim. Roma thotë se nuk mund të kemi drejtësim pa besim, ama mund të kemi besim pa drejtësim. Mund ta ruajmë besimin, por po të kryejmë një mëkat vdekjeprurës që do ta shkatërrojë hirin e drejtësimit, do të përfundojmë të dënuar përjetësisht (po qe se nuk bëjmë pendesën e duhur). Mirëpo, për drejtuesit e Reformimit, prania e besimit të vërtetë mjafton që ne të marrim hir dhe ta ruajmë gjendjen e drejtësimit.

Besorja shprehet kështu:

Besimi, pra, marrja e Krishtit dhe mbështetja në Të dhe në drejtësinë e Tij, është instrumenti i vetëm i drejtësimit.

Instrumenti është një vegël që përdoret për një qëllim të caktuar. Kur hartuesit e Besores së Westminster-it shkruan se besimi është instrumenti i vetëm i drejtësimit, ata e njihnin mirë debatin e shek. XVI rreth shkakut instrumental të drejtësimit. Është e nevojshme që ta kuptojmë qartë këtë doktrinë, pra, doktrinën e shkakut instrumental të drejtësimit, sepse ka të bëjë me mënyrën se si shpëtohemi.

Termi ‘shkak instrumental’ e ka pikënisjen historikisht në shek. IV përpara Krishtit, te filozofia e Aristotelit. Ai e kishte merak shpjegimin e koncepteve të lëvizjes dhe ndryshimit. Në përpjekje për ta bërë këtë, ai theksoi disa shkaqe që çojnë në ndryshimin e gjendjes dhe statusit të një sendi. Mirëpo, ç’lidhje ka kjo me temën në shqyrtim? Ne nuk jemi të drejtësuar për nga natyra. Përkundrazi, jemi të padrejtë dhe statusi ynë përpara Perëndisë është se meritojmë zemërimin e Tij të pazbutur. Na nevojitet një ndryshim statusi, nga gjendja e dënimit në gjendjen e drejtësimit.

Aristoteli nxori në pah katër lloj shkaqesh: shkaku formal, shkaku i efektshëm, shkaku i fundit dhe shkaku material. Ai nuk e përfshiu shkakun instrumental. Mirëpo, katër shkaqet e tij përbëjnë themelin e konceptit të shkakut instrumental.

Ai përdori shembullin e statujës që e ka zanafillën te një bllok guri që del nga gurorja. Aristoteli e përkufizoi bllokun e gurit si shkakun material, pra, si lëndën e parë prej së cilës bëhet gjithçka tjetër. Shkaku formal është ideja në mendjen e skulptorit, ose skica a projekti i tij, pra, se si duhet të duket skulptura e përfunduar. Duhet të ketë një koncept fillestar përpara se të ketë një rezultat. Shkaku i efektshëm është ai që sjell ndryshimin nga guri te statuja dhe në këtë rast është skulptori. Është ai që e sjell në jetë statujën. Shkaku i fundit është qëllimi për të cilin bëhet skulptura, që në rastin tonë është të zbukurojë një kopsht.

Këtyre katër shkaqeve mund t’u shtojmë edhe konceptin e shkakut instrumental, i cili ka të bëjë me mjetin përmes të cilit ndodh ndryshimi. Në qoftë se skulptori dëshiron ta kthejë bllokun e gurit në një statujë, duhet ta gdhendë atë për t’i dhënë trajtë, formë dhe si edhe për ta lëmuar atë. Dalta dhe çekiçi janë veglat e tij, mjetet përmes së cilave realizohet ndryshimi. Në gjuhën angleze, mjetet i dallojmë përmes fjalëve ‘prej’ dhe ‘përmes’.

Kur reformatorët thoshin se drejtësimi është prej ose përmes besimit, ata shpallnin se mjeti ose instrumenti përmes të cilit drejtësohemi është besimi dhe vetëm besimi. I vetmi instrument që na nevojitet, i vetmi mjet që kërkohet për të kaluar nga një gjendje dënimi në një gjendje drejtësimi, është besimi. Mirëpo, besimi nuk është e vetmja gjë që na nevojitet për t’u drejtësuar. Ne kemi nevojë edhe për Krishtin që të drejtësohemi. Domethënë që të drejtësohemi, kemi nevojë për drejtësinë e Tij të përsosur dhe për shlyerjen e Tij në kryq. Gjithçka që kërkohet nga Perëndia për të përmbushur standardin e Tij të së drejtës dhe drejtësisë, është përmbushur objektivisht në dhe përmes veprës së Krishtit. Ai e ka bërë gjithë punën vetë. I gjithë debati katoliko-protestant rreth drejtësimit, nuk përqendrohet aq shumë në veprën objektive të Krishtit sa në mënyrën se si i përfitojmë dobitë e veprës së Tij. Si përvetësohet subjektivisht vepra objektive e Krishtit? Përgjigjja e reformatorëve, e bazuar në mësimet e apostullit Pal, ishte “vetëm në dhe përmes, ose prej dhe përmes besimit”. Mirëpo, nuk është vetëm besimi që na shpëton. Kur themi se drejtësimi ynë është vetëm përmes besimit, po themi që drejtësimi ynë është vetëm prej dhe përmes besimit tonë në Krishtin.

Shkaku instrumental i drejtësimit, sipas kishës së Romës, është pagëzimi dhe pendesa. Roma i përkufizon këto sakramente si instrumente prej dhe përmes së cilave drejtësohet njeriu. Ndryshimi, pra, qëndron në mes të shpëtimit që arrihet në mënyrë priftërore, (pra, nëpërmjet administrimit të sakramenteve nga kisha) dhe shpëtimit që përjetohet vetëm përmes besimit në Krishtin. Mirëpo, ky është një ndryshim rrënjësor. Besorja thotë se besimi është i vetmi instrument drejtësimi, për shkak se vetëm përmes besimit ne qëndrojmë në drejtësinë e Krishtit dhe e marrim atë drejtësi. Drejtësia e Krishtit, përfitimet e shlyerjes së Tij, merita objektive apo baza për drejtësimin tonë, i ofrohen falas gjithkujt që beson. “I drejti do të jetojë prej besimit” (Romakëve 1:17). Ne nuk drejtësohemi prej besimit plus veprat, por vetëm prej besimit. Gjithçka që nevojitet për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë është vetëm të besuarit në veprën e Krishtit dhe të zënët besë asaj.

Besimi ama nuk është baza e drejtësimit tonë. Baza e drejtësimit tonë është drejtësia e Krishtit, merita e Tij. Reformatorët thoshin se shkaku meritor i drejtësimit tonë është vetëm drejtësia e Krishtit. Shkaku instrumental i drejtësimit tonë është besimi, por kur themi se jemi drejtësuar vetëm prej besimit, nuk duam të themi se besimi është një vepër meritore që i shton ndonjë gjë bazës së drejtësimit tonë.

Çfarë ndryshimi sjell kjo në praktikë? Ka njerëz që thonë se besojnë në drejtësimin vetëm prej besimit, por që mbështeten në besimin e tyre sikur të ishte një vepër meritore ose e mirë, që i plotëson kërkesat e drejtësisë së Perëndisë. Fakti që një person ka besim, nuk i shton asnjë meritë llogarisë së tij. Besimi shton merita të pafundme në llogarinë e tij me anë të ngarkimit, por është merita e Krishtit ajo që i ngarkohet atij. Mund të përfitojmë nga meritat e Krishtit vetëm përmes besimit dhe nuk ka asnjë meritë për këtë. I vetmi që mund të na shpëtojë është Krishti, dhe e vetmja mënyrë për të pasur qasje tek Ai është përmes besimit. Ne nuk mbështetemi në asgjë tjetër në jetën tonë, përveç Krishtit dhe drejtësisë së Tij për shpëtimin tonë.

Ky fragment është marrë me përshtatje nga libri Truths We Confess” nga R.C. Sproul. Te ky libër, i cili tashmë është rishikuar plotësisht dhe gjendet në një vëllim të vetëm e lehtësisht të përdorshëm, Dr. Sproul i njeh lexuesit me Besoren e rëndësishme të Uestminsterit (“Westminster Confession”), duke ndarë me ta mprehtësi të shumta rreth saj dhe se si t’i zbatojmë ato në jetën bashkëkohore.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/instrumental-cause-justification
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Cili është emri i Perëndisë?
A ka nivele mëkati?
Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë
A ka Jezusi një apo dy natyra?
>