actionvance t7el2ig3jmc unsplash

Korrik 2021


Nga Dennis E. Johnson

E sotmja vlen për përjetësinë (Right Now Counts Forever). Titulli i Dr. Sproul në rubrikën e çdo artikulli të Tabletalk përshkruan saktësisht marrëdhënien midis ungjillit dhe qiejve të rinj e tokës së re. Lajmi i mirë i vdekjes sakrifikuese dhe ringjalljes së lavdishme të Krishtit ka pasoja të përjetshme për fatin e çdo qenieje njerëzore. Përgjigjja jote ndaj atij mesazhi—qoftë me besim të përulur apo mosbesim mohues—do të jetë pika e kthesës midis lumturisë së pafundme që shkon përtej ëndrrave më të bukura dhe vuajtjeve pa pushim përtej maktheve më të këqija.

Perëndia i gjallë, që është sovran mbi çdo atom të universit të Tij dhe mbi çdo nanosekondë të historisë, po e çon kozmosin drejt një fundi që do të shfaqë madhështinë e mençurisë, fuqisë, drejtësisë dhe mëshirës së Tij për çdo krijesë kudo. Qiejt dhe toka e tanishme, të njollosur nga mëkati njerëzor dhe mallkimi që ai lë, do të “vjetërohen” dhe do të “ndërrohen” (Hebrenjve 1:11-12), do të tunden dhe hiqen (12:26-27). Për qiellin dhe tokën e parë nuk do të ketë asnjë “vend”, por në vend të tyre do të ketë qiej të rinj dhe tokë të re (Zbulesa 20:11; 21:1).

Premtimi është po aq i vjetër sa profecia e Isaias: "Sepse ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje” (Isaia 65:17-18; shih 66:22-23). Apostulli Pjetër pohon se drejtësia do të banojë në qiejt e rinj dhe në tokën e re që presim (2 e Pjetrit 3:13). Pali shton se gjithë krijimi, që tani i është nënshtruar kotësisë dhe prishjes, i bashkohet bijve të Perëndisë në pritjen për liri nga “skllavëria e prishjes” në ringjalljen tonë (Romakëve 8:19-22).

Si t’i përshkruajmë qiejt e rinj dhe tokën e re? Për të përshkruar kozmosin e ardhshëm me fjalë mohuese, mund të themi se mjerimet që tani shkaktojnë kaq shumë dëm dhe shqetësim nuk do të jenë më: jo më vajtim, as dhimbje, as vdekje—s’do të ketë më mbetje të mallkimit (Zbulesa 21:4; 22:3). Është më e vështirë të portretizosh me fjalë pohore një botë pa ligësi dhe mjerim. Profetët dhe apostujt e shtrydhin gjuhën deri në pikën e fundit, për të dhënë qoftë edhe një grimcë të realiteteve të lavdishme që janë përtej përjetimeve tona. Mund të themi se ringjallja e Jezusit është fryti i parë i krijimit të ri të përsosur, kështu që trupi i Tij i lavdishëm dhe i ngritur, paraprin ringjalljen që do të ndodhë te populli i Tij (1 e Korintasve 15:20-22; Filipianëve 3:21). Pasi u ngrit, Ai mund të hante dhe të prekej (Luka 24:39-43), kështu që trupi i Tij na shtyn të mendojmë se peisazhi i përshkruar në librin e Zbulesës—gjethet kurative të pemës së jetës dhe frytet e saj të vazhdueshme, për shembull (Zbulesa 22:1-5)—nuk janë tërësisht simbolike. Të paktën mund të themi se shtëpia jonë e fundit nuk është eter dhe pa trajtë, por është një rikonfirmim i fortë i projektimit origjinal të Krijuesit, sepse Ai pohoi se qiejt dhe toka e parë ishin “shumë mirë” (Zanafilla 1:31).

Fjala e Perëndisë shfaq mjaftueshëm nga qiejt e rinj dhe toka e re për të na nxitur të pyesim: “Si mund të jem pjesë e vendit të kënaqësisë së vërtetë në praninë e Perëndisë?” Kjo pyetje na drejton te ungjilli. Qiejt e rinj dhe toka e re do të popullohen nga “shërbëtorët” e Perëndisë (Zbulesa 22:3-5), që janë kapur pas Fjalës së Perëndisë dhe kanë rrëfyer Jezusin (1:2, 9, 20:4). Ata janë çliruar përmes gjakut të Qengjit, dhe emrat e tyre janë shkruar në Librin e Tij të Jetës (12:11; 20:12, 15; 21:27). 

Gjithsesi, vizionet e Zbulesës theksojnë rëndësinë e madhe të ungjillit në një perpektivë tjetër, që të kthjellon. Ata që nuk i kanë emrat të shkruar në librin e Qengjit do të gjykohen në bazë të veprimeve të tyre që kanë kryer gjatë jetës. Pa mbulesën shlyese të gjakut të Qengjit, ata do të jenë të zhveshur para zemërimit të drejtësisë së Perëndisë, të dënuar, dhe “do të hidhen në liqenin e zjarrit,” që është vdekja e dytë (20:13-15). Shpirtrat e tyre do të ribashkohen me trupat në të cilët rebeluan, dhe në atë liqen zjarri do të përjetojnë jo vetëm vuajtje të pafundme fizike, por gjithashtu mohim të qetësisë shpirtërore dhe mendore. Vetë Jezusi foli për këtë dënim të tmerrshëm e të përjetshëm të rebelëve, një vend ku “krimbi i tyre nuk vdes dhe zjarri nuk fiket” (Marku 9:43-48; Isaia 66:24).

A e godet zemrën tënde kjo perspektivë e një mjerimi të pafund, që është vulosur nga drejtësia e pandryshueshme e Perëndisë? Duhet ta bëjë. Tani është koha për t’i besuar Qengjit dhe gjakut të Tij shpengues. 

A e zgjojnë zemrën tënde kënaqësitë që na presin në qiejt e rinj dhe tokën e re? Duhet ta bëjnë. Tani është koha për t’i besuar Qengjit dhe gjakut të Tij shpengues. E sotmja vërtetë vlen për përjetësinë.

 

Dr. Dennis E. Johnson është profesor i teologjisë praktike në "Seminarin Westminster" në Kaliforni dhe mësues në Kishën Presbiteriane në Amerikë. Ai është autori i disa librave, përfshirë "Walking with Jesus Through His Word".

Botuar me leje: https://tabletalkmagazine.com/article/2015/01/new-heavens-and-new-earth/  
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaTable Talk, Ungjilli

Postime të ngjashme