premium photo 1664273586606 d7c9804729c2

Qershor 2022


Perëndia na krijoi për lavdinë e Tij

“Bëj që të vijnë bijtë e mi nga larg dhe bijat e mia nga skajet e tokës, tërë ata që quhen me emrin tim, që kam krijuar për lavdinë time” (Isaia 43:6-7). Perëndia na bëri të gjithëve sipas shëmbëlltyrës së Tij që të transmetojmë, ose reflektojmë karakterin dhe bukurinë e Tij morale.

Çdo njeri duhet të jetojë për lavdinë e Perëndisë

“Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë” (1 e Korintasve 10:31). Mënyra për të jetuar për lavdinë e Perëndisë është duke e dashur Atë (Mateu 22:37), duke i besuar Atij (Romakëve 4:20), duke i qenë falënderues (Psalmi 50:14) dhe duke iu bindur Atij (Mateu 5:16). Kur bëjmë këto gjëra, ne reflektojmë lavdinë e Perëndisë.

Të gjithë kemi mëkatuar dhe nuk e arrijmë lavdinë e Perëndisë

“Të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë” (Romakëve 3:23). “Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi… dhe e ndërruan lavdinë e Perëndisë së paprishshëm në një shëmbëllim…” (Romakëve 1:21-23). Asnjëri prej nesh nuk e ka dashur, nuk i ka besuar, nuk e ka falënderuar dhe nuk i është bindur Perendisë ashtu siç duhet.

Të gjithë meritojmë ndëshkim të përjetshëm

“Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhurata e Perëndisë është jeta e përjetshme nëpërmjet Krishtit Jezus, Zotit tonë” (Romakëve 6:23). Ata që nuk iu bindën Zotit Jezus “do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e forcës së tij” (2 e Thesalonikasve 1:9). “Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme” (Mateu 25:46).

Në këtë mëshirë të madhe, Perëndia dërgoi Birin e Tij të vetëm, Jezu Krishtin, që t’i siguronte mëkatarëve rrugën për në jetën e përjetshme

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne” (Galatasve 3:13). “Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 e Pjetrit 3:18).

Jeta e përjetshme është një dhuratë falas për të gjithë ata që do të besojnë te Perëndia si Zot dhe Shpëtimtar

“Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh” (Veprat 16:31). “Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh” (Romakëve 10:9). “Sepse, me anë të hirit jeni të shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhuratë e Perëndisë, jo prej veprave, që askush të mos mburret” (Efesianëve 2:8). “U kryqëzova bashkë me Krishtin; por rroj; jo më unë, po Krishti rron në mua; por ajo që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20).

Duke nxitur fuqinë e Veprave 1:8 në ju,

Pastor John

John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i Kolegjit dhe Seminarit Betlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i Kishës Baptiste Betlehem, në Miniapolis, Minesota. Ai është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Katër prej librave të John Piper janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e Shko Dëm Jetën, Pesë Pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë, Virusi Korona dhe Krishti dhe Lajm i Mirë, Gëzim i Madh.


Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Botuar me leje nga DesiringGod:  https://www.desiringgod.org/articles/a-summary-of-the-gospel-to-help-you-enjoy-it-and-share-it  
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme