jay castor 7acmusyrzpu unsplash

Korrik 2021


Çfarë do të mendoje për një trajner që i udhëzon lojtarët e tij, por nuk i stërvit kurrë ata? Apo për një mësuese matematike që shpjegon mësimin, por nuk korrigjon kurrë gabimet e nxënësve të saj? Apo për një mjek që flet për shëndetin, por shpërfill kancerin?

Ndoshta do të thoshe se të gjithë ata po bëjnë gjysmën e punës së tyre. Stërvitja atletike kërkon udhëzime dhe ushtrime. Mësimdhënia kërkon shpjegimin dhe korrigjimin. Mjekimi kërkon forcimin e shëndetit dhe luftimin e sëmundjeve, apo jo?

Mirë pra, çfarë do të mendoje për një kishë që jep mësim dhe dishepullon, por që nuk praktikon disiplinën në kishë? A ka kuptim kjo për ty? Ma do mendja se ka kuptim për shumë kisha, sepse çdo kishë mëson dhe dishepullon, por shumë pak e praktikojnë disiplinën në kishë. Problemi është se të bësh dishepuj pa disiplinë, ka po aq kuptim sa një mjek që shpërfill tumoret.

Unë e kuptoj ngurrimin për ta praktikuar disiplinën në kishë. Është një çështje e vështirë për një sërë arsyesh. Gjithsesi, ky ngurrim për ta praktikuar disiplinën në kishë, një ngurrim që ndoshta shumë nga ne e ndiejmë, mund të sugjerojë që ne besojmë se jemi më të mençur dhe më të dashur se Perëndia. Në fund të fundit, Perëndia “ndreq atë që do” dhe “fshikullon çdo bir që ai pranon” (Hebrenjve 12:6). A e dimë ne më mirë se Perëndia?

Perëndia i disiplinon fëmijët e Tij për hir të jetës, rritjes dhe shëndetit të tyre: “Perëndia na ndreq për të mirën tonë, që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij” (Hebrenjve 12:10). Po, është e dhimbshme, por ia vlen: “Por çdo ndreqje aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u kthen një fryt të paqshëm drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të saj” (Hebrenjve 12:11). Një fryt të paqshëm drejtësie. Kjo është një pamje e bukur.

Si përfundim, disiplina në kishë  çon në rritjen e kishës, ashtu si krasitja e një kaçubeje trëndafili jep më shumë trëndafila. E thënë ndryshe, disiplina në kishë është një aspekt i dishepullimit të krishterë. Vini re se fjalët “dishepull” dhe “disiplinë” janë kushërinj etimologjikë. Të dyja fjalët janë marrë nga fusha e arsimit, e cila përfshin mësimdhënien dhe korrigjimin. Nuk është për t'u habitur që ekziston një praktikë shekullore e referimit të “disiplinës formuese” dhe “disiplinës korrigjuese”.

Qëllimi im në këtë abetare është ta njoh lexuesin me bazat e disiplinës korrigjuese në kishë—“çfarë”, “kur”, “si” dhe disa fjalë më shumë mbi “pse”-në.

ÇFARË ËSHTË DISIPLINA NË KISHË? 

Çfarë është disiplina korrigjuese në kishë? Disiplina në kishë është procesi i korrigjimit të mëkatit në jetën e bashkësisë dhe anëtarëve të saj. Kjo mund të nënkuptojë korrigjimin e mëkatit përmes një fjale paralajmëruese private. Mund të nënkuptojë edhe korrigjimin e mëkatit duke e hequr zyrtarisht një individ nga anëtarësia. Disiplina në kishë mund të bëhet në cilëndo mënyrë, por qëllimi është gjithmonë të korrigjojmë shkeljet e ligjit të Perëndisë midis njerëzve të Perëndisë. 

Jo ndëshkues, por përmirësues, profetik dhe proleptik

Ky korrigjim i mëkatit nuk është një veprim ndëshkues; nuk është duke zbatuar drejtësinë e Perëndisë në vetvete. Përkundrazi, është përmirësues, profetik dhe proleptik (paraprirës). Me përmirësues dua të them që ka për qëllim ta ndihmojë individin e krishterë dhe bashkësinë të rritet në perëndishmëri—në ngjashmërinë me Perëndinë. Nëse një anëtar i kishës merret me thashetheme apo shpifje, një anëtar tjetër duhet ta korrigjojë mëkatin në mënyrë që thashethemexhiu të ndalojë së përgojuari dhe të thotë fjalë dashurie në vend të thashethemeve. Perëndia nuk i përdor fjalët e Tij për të dëmtuar padrejtësisht; as populli i Tij nuk duhet ta bëjë.

Duke thënë se disiplina në kishë është profetike, dua të them se ajo ndriçon dritën e së vërtetës së Perëndisë mbi gabimin dhe mëkatin. Ajo ekspozon kancerin në jetën e një individi ose të trupit të tij, në mënyrë që kanceri të mund të hiqet. Mëkati është një mjeshtër maskimi. Për shembull, thashethemeve u pëlqen të mbajnë maskën e “shqetësimit të devotshëm”. Thashethemexhiu mund të mendojë se fjalët e tij janë të arsyeshme, madje edhe dashamirëse. Gjithsesi, dishepulli i kishës e ekspozon mëkatin për atë që është. E ekspozon mëkatin si përpara mëkatarit, ashtu edhe para të gjithëve atyre që janë të përfshirë, në mënyrë që të gjithë të mësojnë dhe të përfitojnë.

Duke thënë se disiplina në kishë është proleptike, dua të them se është një pamje e vogël gjykimi në të tashmen që paralajmëron një gjykim edhe më të madh që do të vijë (p.sh. 1 e Korintasve 5:5). Një paralajmërim i tillë është i hirshëm. Supozoni sikur një mësuese në klasë i vë nota kaluese një nxënëseje kur ajo meriton nota ngelëse, gjatë gjithë semestrit, nga frika se mos e shkurajon nxënësen, por me të vetmin qëllim për ta ngelur atë në fund të semestrit. Kjo nuk do të ishte e hirshme! Në të njëjtën mënyrë, disiplina në kishë është një mënyrë dashamirëse për t'i thënë një individi të ngecur në mëkat: “Kujdes, një dënim edhe më i madh do të vijë nëse vazhdon në këtë rrugë. Të lutem, kthehu tani!”

Nuk është për t’u habitur që njerëzit nuk e duan disiplinën. Është e vështirë. Por sa i mëshirshëm është Zoti për ta paralajmëruar popullin e Tij për gjykimin e madh, që do të vijë, në mënyra relativisht të vogla tani!

Themelet biblike dhe teologjike

Pas disiplinës në kishë fshihet një nga projektet më të mëdha të historisë shëlbuese—projekti i rikthimit të njerëzve të rënë te Perëndia në vendin ku ata do ta pasqyronin edhe një herë Zotin, ndërsa ushtronin rregullin e Tij dashamirës dhe jetëdhënës në të gjithë krijimin (Zanafilla 1:26-28; 3:1-6).

Adami dhe Eva duhej t’i shëmbëllenin Perëndisë. Po kështu edhe mbretëria e Izraelit. Sidoqoftë, dështimi i Adamit dhe Evës për ta përfaqësuar sundimin e Perëndisë, i nxitur nga dëshira për të sunduar sipas kushteve të tyre, rezultoi në dëbimin e tyre nga vendi i Perëndisë, Kopsht i Edenit. Po kështu, dështimi i njëjtë i Izraelit për ta zbatuar ligjin e Perëndisë dhe për ta pasqyruar karakterin e Perëndisë për kombet, rezultoi në mërgim.

Si krijesa të bëra sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, veprimet tona në vetvete flasin për Të, si pasqyra që pasqyrojnë objektin me të cilin përballen. Problemi është se njerëzimi i rënë e shtrembëron imazhin e Perëndisë, si pasqyra të valëzuara shformuese. Meqenëse njerëzimi i rënë flet gënjeshtra, për shembull, bota ka arritur në përfundimin se fjalëve të vetë Perëndisë nuk mund t'u besohet, atëherë edhe Ai duhet të jetë gënjeshtar. Ashtu siç sillet një krijesë, ashtu duhet të sillet edhe krijuesi i saj.

Për fat të mirë, një bir i Adamit, një bir i Izraelit, e zbatoi ligjin e Perëndisë në mënyrë të përsosur, i njëjti, të cilin Pali do ta përshkruante si “shëmbëllimi i Perëndisë së padukshëm” (Kolosianëve 1:15). Tani, ata që janë bashkuar me këtë Bir të vetëm, thirren të mbajnë të njëjtin “shëmbëllim”, gjë që e mësojmë ta bëjmë gjatë jetës në kishë “nga lavdia në lavdi” (shih 2 e Korintasve 3:18; Romakëve 8:29; 1 e Korintasve 15:49; Kolosianëve 3: 9-10).

Kishat lokale duhet të jenë këtu në tokë vendet ku kombet mund të shkojnë për të gjetur njerëz, që gjithnjë e më shumë e pasqyrojnë Perëndinë me të vërtetë dhe me ndershmëri. Ndërsa bota sheh shenjtërinë, dashurinë dhe unitetin e kishave lokale, do ta dijë më mirë se si është Perëndia dhe do t`i japë lavde Atij (p.sh. Mateu 5:14-16; Gjoni 13:34-35; 1 e Pjetrit 2:12). Disiplina në kishë, pra, është përgjigjja e kishës kur një nga të vetët nuk arrin ta përfaqësojë shenjtërinë, dashurinë ose unitetin e Perëndisë duke qenë i pabindur ndaj Perëndisë. Është një përpjekje për t’i korrigjuar imazhet e rreme, ndërsa ato shfaqen brenda jetës së trupit të Krishtit, pothuajse si një pastrim i njollave të papastërtisë nga një pasqyrë.

Tekstet e veçanta

Jezusi u jep bashkësive lokale autoritetin për t’i disiplinuar të vetët te Mateu 16:16-19 dhe 18:15-20. Fuqia e çelësave për lidhjen dhe zgjidhjen në tokë, e përmendur për herë të parë te Mateu 16:18, i dorëzohet bashkësisë lokale te Mateu 18:15-20, të cilin do ta shqyrtojmë më me kujdes më poshtë.

Pali i përshkruan proceset e disiplinimit në kishë në disa vende, duke përfshirë 1 e Korintasve 5, 2 e Korintasve 2:6, Galatasve 6:1, Efesianëve 5:11, 1 e Thesalonikasve 5:14, 2 e Thesalonikasve 3:6-15, 1 e Timoteut 5:19-20, 2 e Timoteut 3:5 dhe Titi 3:9-11.

Gjoni i referohet një lloji disipline te 2 e Gjonit 10. Juda duket se e ka në mendje këtë disiplinë te Juda 22 dhe 23. Mund të përmenden më shumë shembuj. Në të vërtetë, disiplina në kishë është ajo që Jezusi dhe autorët biblikë kanë në mendje, sa herë që u thonë dëgjuesve të tyre për ta korrigjuar mëkatin në jetën e tyre të përbashkët.

KUR DUHET TA PRAKTIKOJË DISIPLINËN NJË KISHË?

Kur duhet ta praktikojë disiplinën një kishë? Përgjigjja e shkurtër është kjo: kur dikush mëkaton. Por përgjigjja mund të ndryshojë në varësi të faktit nëse po flasim për disiplinë jozyrtare ose zyrtare të kishës, për të përdorur dallimin që bën Jay Adams midis përballjeve private dhe përballjeve publike në të gjithë kishën.

Çfarëdolloj mëkati, qoftë i një natyre të rëndë apo jo të rëndë, mund të shkaktojë një qortim privat midis dy vëllezërve ose motrave në besim. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të qortojmë çdo mëkat që bën një anëtar tjetër i kishës. Me pak fjalë, çdo mëkat, sado i vogël të jetë, klasifikohet në sferën e asaj që dy të krishterë mund të shkaktojnë me dashuri, me njëri-tjetrin në një mjedis privat, me maturi dhe ndërvarësi.

Kur i kthehemi pyetjes se cilat mëkate kërkojnë disiplinë korrigjuese zyrtare ose në të gjithë kishën, këtë duhet ta trajtojmë pak më me kujdes.

Listat biblike

Disa nga teologjitë më të vjetra paraqitën listat se kur është e përshtatshme për ta zbatuar disiplinën zyrtare. Për shembull, kleriku kongregacionist, John Angell James, tha se duhet të disiplinohen pesë lloje shkeljesh: (i) të gjitha veset skandaloze dhe imoralitetet (p.sh. 1 e Korintasve 5:11-13); (ii) mohimi i doktrinës së krishterë (p.sh. Galatasve 1:8; 2 e Timoteut 2:17-21; 1 e Timoteut 6:35; 2 e Gjonit 10f); (iii) nxitja e përçarjes (Titi 3:10); (iv) dështimi për t’u kujdesur për familjen e afërt kur ata janë në nevojë (p.sh. 1 e Timoteut 5:8); (v) dhe armiqësia e papajtuar (p.sh. Mateu 18:7). [1]

Këto lloje listash biblike mund të jenë të dobishme deri në njëfarë pike. Vini re se secila prej mëkateve të përshkruara jo vetëm që janë të rënda, por kanë edhe shfaqje të jashtme. Ato nuk janë vetëm mëkate të brendshme të zemrës; ato mund të shihen me sy ose të dëgjohen me veshë. Dhe në atë manifestim të jashtëm ato mashtrojnë si botën, edhe delet e tjera për të vërtetën e krishterimit.

Megjithatë, kjo listë nuk arrin të bëjë llogaritjen e një numri të madh mëkatesh që Shkrimet nuk i trajtojnë kurrë (po mëkati që lidhet me abortin?). Plus, tekstet mbi disiplinën në kishë mund të përmendin vetëm një mëkat të veçantë, të tillë si 1 e Korintasve 5, i cili diskuton mëkatin e imoralitetit me gruan e babait; por me siguri Pali nuk do të thotë që kishat të disiplinojnë vetëm atë mëkat. Si duhet ta zgjerojnë kishat zbatimin nga shembuj të tillë në mëkate të tjera?

I jashtëm, i rëndë dhe i papenduar

Një mënyrë për të përmbledhur të dhënat biblike është të thuash se ajo disiplinë zyrtare e kishës kërkohet në rastet e mëkatit të jashtëm, të rëndë dhe të papenduar. Një mëkat duhet të ketë një shfaqje të jashtme. Duhet të jetë diçka që mund të shihet me sy ose të dëgjohet me veshë. Kishat nuk duhet ta ngrenë shpejt flamurin e kuq të dëbimit sa herë që dyshojnë për lakmi ose krenari në zemrën e dikujt. Nuk është çështja se mëkatet e zemrës nuk janë të rënda. Perëndia e di që ne nuk mund t’i shohim zemrat e njëri-tjetrit dhe se problemet e vërteta të zemrës do të dalin në sipërfaqe gjithsesi (1 e Samuelit 16:7; Mateu 7: 17f; Marku 7:21).

Së dyti, një mëkat duhet të jetë i rëndë. Për shembull, unë mund të vërej një vëlla që ekzagjeron detajet e një historie dhe pastaj përballem privatisht me të për këtë çështje. Por edhe nëse ai e mohon, unë ndoshta nuk do ta nxirrja para kishës. Pse jo? Së pari, diçka si mëkati i zbukurimit të historive është e rrënjosur në mëkate shumë më domethënëse dhe të padukshme si idhujtaria dhe vetëjustifikimi. Ato mëkate dua t’i diskutoj në kohën personale me të. Së dyti, ndjekja e çdo mëkati të vogël, në jetën e një kishe ndoshta do të shkaktojë paranojë dhe do ta shtyjë bashkësinë drejt legalizmit. Së treti, qartazi duhet të ketë një vend për dashuri për të “mbuluar një mori mëkatesh” në jetën e një bashkësie (1e Pjetrit 4:8). Jo çdo mëkat duhet të ndiqet deri në ekstrem. Fatmirësisht, Perëndia nuk e ka bërë atë me ne.

Më në fund, disiplina zyrtare e kishës është mënyra e duhur e veprimit, kur nuk ka pendesë për mëkatin. Personi i përfshirë në një mëkat të rëndë është konfrontuar privatisht me urdhërimet e Perëndisë në Shkrime, por ai ose ajo nuk pranon të heqë dorë nga mëkati. Në dukje, personi vlerëson mëkatin më shumë se Jezusin. Mund të ketë një lloj përjashtimi këtu, të cilin do ta shqyrtojmë më poshtë.

Të tre faktorët ishin në lojë në përvojën time të parë me disiplinën korrigjuese të kishës. Personi në fjalë ishte një mik i mirë dhe partner vrapimi. Megjithatë, as unë, as kisha nuk ishim në dijeni të faktit se ai ishte i përfshirë në të jetuarin në mëkat seksual, të paktën derisa ma tha një ditë gjatë një dreke. Menjëherë e pyeta nëse e dinte çfarë thoshte Bibla për një veprim të tillë. E dinte shumë mirë. Megjithatë ai tha se kishte bërë paqe me Perëndinë. Unë e nxita që të pendohej. Edhe të tjerë bënë të njëjtën gjë. Por ai na dha të gjithëve të njëjtën përgjigje: “Perëndia nuk e ka problem.” Pas disa muajsh bisedash të tilla, kisha e largoi zyrtarisht nga grupi i saj. Mëkati i tij ishte i rëndë, i papenduar dhe kishte një shfaqje të qartë të jashtme. Do të mashtronte të tjerët si brenda dhe jashtë kishës për vetë kuptimin e të qenët i krishterë. Kisha kaloi disa muaj duke u kujdesur për atë njeri. Ne e donim atë. Ne donim që ai të largohej nga mëkati i tij dhe ta kuptonte që Jezusi është më i vlefshëm se gjithçka që mund të të sigurojë kjo botë. Megjithatë, ishte e qartë pothuajse menjëherë që ai nuk kishte ndërmend të largohej. Ai ishte i vendosur. Kur u vu para një zgjedhje midis mëkatit të tij dhe Fjalës së Perëndisë, ai zgjodhi mëkatin. Kështu që kisha veproi zyrtarisht.

SI DUHET TA PRAKTIKOJË DISIPLINËN NJË KISHË?

Si duhet ta praktikojë disiplinën një kishë? Jezusi jep përvijimin themelor te Mateu 18:15-17. Ai u thotë dishepujve të Tij:

Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se ai të dëgjon, e fitove vëllanë tënd, por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve. Nëse pastaj refuzon t’i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon të dëgjojë edhe kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës.

Vini re këtu që shkelja fillon midis dy vëllezërve dhe reagimi nuk duhet të zgjasë më shumë nga sa është nevoja për të sjellë pajtim. Jezusi e përshkruan procesin e pajtimit me katër hapa.

Katër hapa themelorë

1. Nëse një problem me mëkatin mund të zgjidhet midis dy personave nga vetë ata, atëherë çështja është e mbyllur.

2. Nëse nuk mund të zgjidhet, atëherë vëllai ndaj të cilit është mëkatuar, duhet të marrë dy ose tre të tjerë me vete në mënyrë “që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve” (Mateu 18:16). Jezusi e merr këtë frazë nga Ligji i Përtërirë 19, i cili në kontekst ka për qëllim të mbrojë njerëzit nga akuzat e rreme. Ligji i Përtërirë në fakt kërkon një “hetim me kujdes” sa herë që ka ndonjë dyshim në lidhje me shkeljen (Ligji i Përtërirë 19:18). Kjo për mua do të thotë se edhe Jezusi do që të krishterët të merren me të vërtetën dhe drejtësinë, gjë që mund të kërkojë kujdesin e duhur. Dy ose tre dëshmitarët duhet të jenë në gjendje të pohojnë se, me të vërtetë, ekziston një vepër e rëndë dhe e jashtme dhe, në të vërtetë, shkelësi nuk është penduar. Shpresojmë që përfshirja e njerëzve të tjerë ose do ta sjellë shkelësin në vete, ose do ta ndihmojë të ofenduarin të kuptojë se nuk duhet të ofendohet aq shumë. Si ky hap, ashtu edhe hapi pararendës mund të ndodhin gjatë disa takimeve, sido që t’u duket e drejtë palëve.

3. Nëse ndërhyrja e dy ose tre personave nuk sjell një zgjidhje, pala e ofenduar udhëzohet që t'ia tregojë kishës (Mateu 18:17a). Në bashkësinë time, kjo bëhet zakonisht përmes pleqve, pasi Zoti u ka thënë pleqve të kishës të sigurojnë mbikëqyrje në të gjitha punët e kishës (1 e Timoteut 5:17; Hebrenjve 13:17; 1 e Pjetrit 5:2). Pleqtë do të shpallin emrin e palës së akuzuar me mëkat të jashtëm, të rëndë dhe të papenduar. Ata do të japin një përshkrim shumë të shkurtër të mëkatit, një përshkrim i gjykuar që të mos u shkaktojë pengesë të tjerëve ose të sjellë siklet të panevojshëm për ndonjë anëtar të familjes. Dhe, zakonisht, ata do t'i japin bashkësisë dy muaj kohë për ta kërkuar mëkatarin dhe për ta thirrur atë në pendim.

4. Hapi i fundit i disiplinës në kishë është përjashtimi nga shoqëria ose anëtarësia e kishës, që në thelb do të thotë përjashtim nga Tryeza e Perëndisë: “Në qoftë se refuzon të dëgjojë edhe kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës” (Mateu 18: 17b). Ai duhet të trajtohet si dikush jashtë popullit të besëlidhjes së Zotit, si dikush që nuk duhet ta marrë darkën e besëlidhjes së Krishtit (edhe pse ndoshta do të inkurajohet të vazhdojë të marrë pjesë në mbledhjet e kishës; shih diskutimin më poshtë). Bashkësia jonë do ta ndërmarrë këtë hap pasi të kenë kaluar dy muajt dhe individi nuk ka pranuar të heqë dorë nga mëkati. Dy muaj është një numër arbitrar, natyrisht; thjesht paraqet një afat kohor bazë për të korresponduar me mbledhjet e planifikuara rregullisht të anëtarëve të kishës sonë. Në çdo situatë të caktuar, kisha mund ta gjykojë të nevojshme ta përshpejtojë ose ta ngadalësojë atë afat kohor.

Pse të ngadalësohet ose përshpejtohet procesi?

Ndonjëherë proceset e disiplinës duhet të lëvizin mjaft ngadalë. Kështu duhet të ndodhë, për shembull, kur një mëkatar tregon të paktën njëfarë interesi për të luftuar kundër mëkatit të tij. Nuk është vetëm natyra e mëkatit që duhet marrë në konsideratë, por është edhe natyra e vetë mëkatarit. Thënë troç, mëkatarët e ndryshëm kërkojnë strategji të ndryshme. Siç udhëzon Pali: “Por, ju bëjmë thirrje, vëllezër, t'i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni zemërgjerë me të gjithë” (1 e Thesalonikasve 5:14). Ndonjëherë nuk është e dukshme menjëherë nëse njerëzit janë të plogët ose mospërfillës ndaj mëkatit të tyre apo nëse janë vërtet të dobët.

Mbaj mend që punoja me një vëlla të përfshirë në një lloj varësie dhe, për njëfarë kohe, nuk isha i sigurt nëse ai thjesht po justifikohej për rënien e tij morale apo nëse shpirti i tij ishte dobësuar dhe keqformuar nga vitet e kaluara në mëkat, duke e bërë shumë herë më të vështirë të hiqte dorë nga mëkati. Përgjigjja për këto lloj pyetjesh duhet të ndikojë në shpejtësinë e zhvillimit të proceseve të disiplinës.

Ndonjëherë proceset e disiplinës duhet të përshpejtohen, gjë që mund të nënkuptojë kapërcimin e një ose dy prej hapave të përshkruar nga Jezusi te Mateu 18. Dy përligjje të qarta biblike për përshpejtimin e proceseve të disiplinës janë (i) ndasitë në kishë dhe (ii) skandali publik (d.m.th., mëkati që do ta paraqesë Krishtin keq në komunitetin përtej kishës). Në lidhje me kategorinë e parë, Pali thotë: “Refuzoje një njeri sektar, mbasi ta kesh qortuar një herë e dy herë” (Titi 3:10). Nuk është plotësisht e qartë se çfarë lloj procesi ka Pali në mendje këtu, por fjalët e tij sugjerojnë se kisha duhet t’u përgjigjet shpejt dhe me vendosmëri atyre që nxisin përçarje për hir të trupit të Krishtit.

Një proces edhe më i shpejtë është paraqitur te 1 e Korintasve 5, ku Pali i bën thirrje kishës që menjëherë ta heqë një individ që dihet se është përfshirë në një mëkat që përbën skandal publik, domethënë një mëkat, të cilin as komuniteti jo i krishterë nuk e miraton. Në fakt, Pali as nuk i thotë kishës që ta paralajmërojë këtë njeri që të ketë mundësi që ai të pendohet. Ai thjesht u thotë atyre që “t`i dorëzohet ai Satanit” (v. 5a).

Pse ta kapërcejmë çështjen e pendimit dhe të mos i japim këtij njeriu një mundësi të dytë? Nuk tregon se Palit nuk i interesojnë pendimi apo mundësia e dytë. Përkundrazi, ai i thotë kishës që ta largojë këtë njeri në mënyrë që “të shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus” (v. 5b). Me siguri, Pali është i hapur për njeriun që do t’i ribashkohet përfundimisht kishës, nëse ai vërtet pendohet (shih 2 e Korintasve 2:5-8). Por çështja është se mëkati i tij është i njohur publikisht dhe bën një deklaratë publike për Krishtin. Prandaj, kisha duhet të përgjigjet me një deklaratë po aq publike para botës: “Nuk është e pranueshme! Të krishterët nuk e bëjnë këtë sjellje!”

Pasi e themi këtë, ia vlen të shikojmë tek 1 e Korintasve 5 se nuk ishte aspak çështja nëse ai person ishte apo jo i përfshirë në mëkat. Ky ishte një fakt i pakundërshtueshëm. Sidoqoftë, nëse ekziston çështja nëse ka ndodhur apo jo një mëkat, edhe nëse është një mëkat skandaloz, kisha duhet të marrë kohën e mjaftueshme për të kryer një hetim të plotë, siç kërkon Jezusi te Mateu 18. Për shembull, një kishë nuk duhet ta disiplinojë dikë për përvetësim (një mëkat skandalizues publik) bazuar në thashetheme, dhe pastaj të dalë që gjykatat laike e mbyllin çështjen tre muaj më vonë për shkak të provave të pamjaftueshme.

Atëherë, cilat janë dy arsyet që mund ta detyrojnë një kishë të përshpejtojë proceset e disiplinës? Një kishë mund ta konsiderojë si lëvizje të mençur përshpejtimin e procesit kur i) ekziston një kërcënim i menjëhershëm ndaj unitetit të trupit të kishës ose ii) ekziston një mëkat që mund të sjellë dëm të madh në emrin e Krishtit në komunitet. Nuk ka një formulë të saktë për të përcaktuar kur kalohet njëra nga këto vija dhe një kishë bën mirë të caktojë një shumicë pleqsh të perëndishëm për të mbikëqyrur çështje kaq të vështira.

Pjesëmarrja dhe restaurimi

Anëtarët e kishës shpesh vrasin mendjen nëse një person, i cili është përjashtuar nga anëtarësia dhe Darka e Zotit, mund të vazhdojë të marrë pjesë në takimet javore të kishës, si edhe si duhet të ndërveprojnë ata me të gjatë gjithë javës. Dhiata e Re e adreson këtë çështje në disa raste si p.sh (1 e Korintasve 5:9, 11; 2 e Thesalonikasve 3:6, 14-15; 2 e Timoteut 3:5; Titi 3:10; 2 e Gjonit 10) dhe rrethana të ndryshme mund të kërkojnë përgjigje të ndryshme. Por udhëzimet e dhëna nga pleqtë në kishën time zakonisht konsistojnë në dy pika: 

  • Me përjashtim të situatave në të cilat prania e palës së papenduar është një kërcënim fizik për bashkësinë, një kishë duhet ta mirëpresë pjesëmarrjen e personit në takimet javore. Nuk ka vend më të mirë për personin se të ulet dhe të dëgjojë Fjalën e Perëndisë. 
  • Megjithëse anëtarët e familjes së një individi të disiplinuar duhet sigurisht të vazhdojnë të përmbushin detyrimet biblike të jetës familjare (p.sh. Efesianëve 6:1-3; 1 e Timoteut 5:8; 1 e Pjetrit 3:1-2), rrjedha e marrëdhënieve të anëtarëve të kishës me individin e disiplinuar duhet të ndryshojë dukshëm. Ndërveprimet nuk duhet të karakterizohen nga rastësia ose mirëdashja, por nga biseda të qëllimshme në lidhje me pendimin.

Restaurimi i anëtarësimit në kishë ndodh kur ka shenja të pendimit të vërtetë. Se si duket pendimi i vërtetë, kjo varet nga natyra e mëkatit. Ndonjëherë pendimi është një çështje bardhezi, si në rastin kur një burrë ka braktisur gruan e tij. Për të, pendim do të thotë kthim tek ajo, qartë dhe thjesht. Megjithatë, ndonjëherë pendim nuk do të thotë ta mposhtësh një mëkat plotësisht, por të tregosh një zell të ri në luftën kundër mëkatit, si me një person të ngecur në një varësi të përsëritur.

Qartësisht, çështja e pendimit të vërtetë është një çështje e vështirë që kërkon shumë mençuri. Maturia duhet të jetë e ekuilibruar me dhembshurinë. Mund të duhet të kalojë ca kohë që pendimi të shfaqet nga frytet e tij, por jo shumë kohë (shih 2 e Korintasve 2:5-8). Pasi një kishë të vendosë që ta rikthejë një individ të penduar në gjirin e saj dhe në Darkën e Zotit, nuk duhet të flitet për një periudhë prove ose për një qytetar të dorës së dytë. Përkundrazi, kisha duhet ta shpallë publikisht faljen e dhënë (Gjoni 20:23), të afirmojë dashurinë e saj për individin që pendohet (2 e Korintasve 2:8) dhe të festojë (Luka 15:24).

PSE DUHET TA PRAKTIKOJË DISIPLINËN NJË KISHË?

Ndërsa një kishë shkon drejt praktikimit të disiplinës kishtare, ajo shpesh do të përballet me situata të jetës reale, të cilat janë komplekse dhe nuk kanë një “rast studimor” të saktë te Shkrimi për ta ndihmuar të kërkojë nëpër shumëllojshmëritë e ndryshme të rrethanave. Nuk do të jetë gjithmonë e qartë nëse kërkohet thjesht disiplina zyrtare e kishës, sa kohë duhet të zgjasin proceset ose nëse pala fajtore pendohet vërtet dhe kështu me radhë. 

Ndërsa një asamble dhe udhëheqësit e saj punojnë për këto çështje komplekse, ata duhet të kujtojnë se kisha është thirrur, mbi të gjitha, për të ruajtur emrin dhe lavdinë e Krishtit. Në thelb, disiplina e kishës ka të bëjë me reputacionin e Krishtit dhe nëse kisha mund të vazhdojë ose jo të afirmojë shprehjen verbale të dikujt, jeta e të cilit e portretizon në mënyrën më të keqe të mundshme Krishtin. Mëkatet dhe rrethanat e mëkatit do të ndryshojnë jashtëzakonisht shumë, por kjo pyetje gjithmonë duhet të jetë në ballë të mendimeve të kishave tona: “Si do ta pasqyrojë mëkati i këtij mëkatari dhe përgjigjja jonë ndaj tij, dashurinë e shenjtë të Krishtit?”

Mbi të gjitha, të kujdesesh për reputacionin e Krishtit do të thotë të kujdesesh për të mirën e jo të krishterëve. Kur kishat dështojnë ta praktikojnë disiplinën e kishës, ato fillojnë të duken si bota. Ata janë si kripa që është bërë e amësht, e cila nuk vlen më për asgjë, veçse për t`u shkelur nga njerëzit (Mateu 5:13). Ata nuk janë aspak dëshmitarë të Perëndisë në një botë të humbur në errësirë.

Gjithashtu, të kujdesesh për reputacionin e Krishtit do të thotë të kujdesesh për anëtarët e tjerë të kishës. Të krishterët duhet të dëshirojnë të duken si Jezusi dhe disiplina e kishës ndihmon për ta mbajtur të qartë dëshminë e Tij të shenjtë. Anëtarëve u kujtohet që të kenë më shumë kujdes në jetën e tyre sa herë që procedohet me një veprim zyrtar disiplinimi. Kongregacionisti James e përmbledh mirë atë: “Përparësitë e disiplinës janë të dukshme. Ajo rifuqizon të dobtët, zbulon hipokritët, qarkullon një frikë shpëtuese nëpër kishë, shton një nxitje të vazhdueshme për vigjilencë dhe lutje, vërteton përtej dyshimeve faktin dhe pasojat e dobësisë njerëzore dhe për më tepër, dëshmon publikisht kundër padrejtësisë”. [2]

Përfundimisht, të kujdesesh për reputacionin e Krishtit do të thotë të kujdesesh për individin e ngecur në mëkat. Te 1 e Korintasve 5, Pali e dinte se veprimi më i dashur ishte ta përjashtonte një burrë nga bashkësia “që të shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus” (1 e Korintasve 5:5).

Pse duhet që një kishë ta praktikojë disiplinën? Për të mirën e individit, të mirën e jo të krishterëve, të mirën e kishës dhe lavdinë e Krishtit. [3] Kujtimi i këtyre qëllimeve themelore do t’i ndihmojë kishat dhe pleqtë të kalojnë nga një çështje e vështirë në tjetrën, duke ditur se mençuria dhe dashuria e Zotit do të mbizotërojnë, edhe kur tonat nuk do të kenë më sukses.

1. John Angell James, Church Fellowship ose The Church Member’s Guide, marrë nga vëllimi XI i botimit të 10-të te Works of John Angell James, 53.

2. James, Christian Fellowship, 53.

3. Shiko Mark Dever, Nine Marks of a Healthy Church (Crossway, 2004), 174-78.

Jonathan Leeman redakton serinë e librave 9Marks si dhe 9Marks Journal. Ai është edhe autor i disa librave për kishën. Që nga thirrja e tij për shërbesë, Jonathan-i ka marrë një master në teologji nga “Seminari Bapstist Jugor i Teologjisë”, si edhe një doktoraturë nga “Universiteti i Uellsit”. Ai jeton me gruan dhe katër vajzat e tij në Sheverli, Merilend, ku është edhe plak në kishën baptiste Cheverly.

Botuar me leje:https://www.9marks.org/article/church-discipline-primer/ 
Përktheu:  Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Etiketa9marks

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do