Qershor 2026
Nuk ka përllogaritje racionale që mund të shpjegojë se përse njeriu do të hidhte poshtë shërbesën e një jete të tërë për disa çaste kënaqësie kalimtare.
Si çdo pastor që ka qenë në shërbesë për shumë vite, edhe unë kam parë shumë rënie morale midis kolegëve të mi shërbesëtarë. Vetëm gjatë këtij viti të fundit numëroj të paktën katër burra — dhe secilin prej tyre e njoh personalisht (deri diku) — të cilët tanimë nuk janë më në shërbesë për shkak të një mëkati skualifikues. Nuk po e shkruaj këtë artikull me dëshirën për t’i gjykuar ata. Unë lutem për ta, për familjet dhe kishat e tyre, si dhe për personat kundër të cilëve kanë mëkatuar. Për ata burra, rruga përpara do të jetë e vështirë dhe e gjatë (po të jenë të gatshëm ta ndërmarrin), por ne adhurojmë një Perëndi të cilit i pëlqen të falë kur ne rrëfejmë me përulje, pendohemi me zemër, largohemi nga mëkati, u nënshtrohemi atyre që janë në autoritet mbi ne dhe i besojmë vetëm Krishtit.
(Vlen të përmendet edhe fakti që falja nga Perëndia nuk nënkupton domosdoshmërisht rikthimin në shërbesën publike.)
Sa herë që del në dritë çështja e një mëkati skualifikues, është shumë e lehtë të fillosh të mendosh se si ka mundur vallë të ndodhë një rënie kaq katastrofike. Habia e madhe shprehet sidomos në rastet e mëkatit seksual. Ne mendojmë me vete ose u themi miqve: “Çfarë po i thoshte mendja atij? Si u tregua kaq i marrë? A nuk e dinte se do ta kapnin? Përse sakrifikoi kaq shumë, për kaq pak?”.
Sidoqoftë, s’ka dyshim që mëkati nuk vepron sipas rregullave të racionalitetit. Nuk ka përllogaritje racionale që mund të na shpjegojë se përse disa burra hedhin tej shërbesën e një jete të tërë për disa çaste kënaqësie kalimtare. Epshi i zemrës nuk u nënshtrohet fakteve gjakftohta. Askush nuk kryen një mëkat seksual për shkak se i ka peshuar njëherë të mirat dhe të këqijat e një sjelljeje të tillë. Satani kamuflohet si një engjëll drite. Ai është mjeshtër në mashtrimin e shërbëtorëve të tij, e ndonjëherë edhe ne jemi mjeshtra në mashtrimin e vetes. Mund ta konsiderosh si ligjin e pashmangshëm të natyrës së rënë njerëzore: mëkati të bën të marrë.
Ky ligj i pashmangshëm — i vërtetë për çdo të krishterë — është veçanërisht i vërtetë për drejtuesit e shërbesave. Po të shkruaj ty, vëlla pastor. Po të shkruaj ty, student i shkollës biblike. Dhe po i shkruaj vetes, sepse botimi i librave dhe të folurit nëpër konferenca nuk të jep një ilaç kundër marrëzisë. Përkundrazi, mund të bëhet një helm që t’i mpin shqisat.
Të vërteta diagnostikuese për kohë të rrezikshme
Duket sikur po dëgjojmë gjithnjë e më shumë raste rëniesh në mëkat të pastorëve. Është pak e vështirë të dimë nëse rastet po rriten realisht apo nëse tani kemi më tepër mundësi për të marrë informacione që në brezat e mëparshëm kalonin pa u vënë re (as nuk zbuloheshin e as nuk shpërndaheshin). Pa dyshim që ndërlidhja e tepruar që ofron bota jonë digjitale është pjesë e këtij ekuacioni. Megjithatë, mund të jetë e mundur që rastet e rënieve të pastorëve të jenë vërtet në rritje.
Mendoje pak: Udhëtimet nuk kanë qenë kurrë më të lehta. Komunikimi nuk ka qenë kurrë më i lehtë. Privatësia nuk ka qenë kurrë më e arritshme. Gllabërimi nga vesi i pornografisë nuk ka qenë kurrë më i lehtë. Hasja e imazheve dhe përmbajtjeve seksuale nuk ka qenë kurrë më e lehtë. Nuk është e vështirë të dallosh se rritja e tundimit çon në rritje të shkeljeve.
Fatkeqësisht, nuk ka receta të pagabueshme që sigurojnë se një i krishterë nuk do të kryejë kurrë tradhti bashkëshortore apo se pastorët nuk do të kryejnë kurrë mëkate skualifikuese.
Mirëpo, në të njëjtën kohë, ka disa çështje që mund t’i marrim në konsideratë — e të lutemi të mos i harrojmë — të cilat mund të na ndihmojnë për ta ruajtur shpirtin tonë.
Ja dhjetë gjëra që miqtë e mi pastorë (dhe të gjithë të krishterët) duhet të shqyrtojnë vazhdimisht dhe periodikisht, që mëkati të mos na bëjë të marrë.
1. Shqyrto nëse je besnik në përkushtimin personal.
Një burrë besnik mund të bjerë në një mëkat të papritur në çaste dobësie, por nuk kam njohur kurrë një pastor që jetonte në mëkat e njëkohësisht ishte i përkushtuar çdo ditë në lutje të zellshme. Nuk i bie dot shkurt rrugës drejt shenjtërisë.
Shërbesëtari duhet të jetë i kujdesshëm edhe kur fillon të kërkojë rrugë të shkurtra për përgatitjen e predikimeve. Unë kam nevojë për përgatitje të ngadaltë e të qëllimshme të predikimit, për të ushqyer fillimisht shpirtin tim. Zemra do të më ftohej nëse do të predikoja vazhdimisht diçka që e kam predikuar më parë apo që e kam vjedhur nga dikush tjetër, qoftë edhe nëse më ka marrë më pak kohë, apo kam treguar më pak përkushtim gjatë përgatitjes.
2. Shqyrto nëse ke më shumë dëshirë të qëndrosh larg shtëpisë sesa të kthehesh atje.
Edhe nëse të pëlqen udhëtimi në vetvete (mua jo), gjithsesi duhet të jesh i gëzuar sa herë që kthehesh në shtëpi te bashkëshortja dhe fëmijët. Ashtu si pastorit duhet t’i pëlqejë më shumë t’u predikojë të vetëve sesa të huajve, po kështu ai duhet të dojë më shumë të qëndrojë me familjen sesa me turmat dhe mbështetësit diku tjetër. Diçka nuk shkon kur pastori ndihet më i lumtur sa më larg shtëpisë të jetë. Mendoje jetën tënde si të përbërë nga rrathë të brendashkruar — me Perëndinë në qendër, pastaj familjen, më pas pleqtë dhe stafin e kishës, pastaj bashkësinë, mandej denominacionin, pastaj rrjetin më të gjerë dhe në fund internetin. Duhet të kalojmë më shumë kohë duke u kujdesur për rrathët që janë më pranë qendrës. Nëse ata janë të shëndetshëm, do të mund të përballosh vështirësitë në rrathët e jashtëm. Ki kujdes nga drejtuesit që e kalojnë të gjithë kohën në rrathët e jashtëm (sidomos në internet), por janë të pashëndetshëm në qendër.
3. Shqyrto nëse ke rrëshqitur në një qëndrim vetëmbrojtjeje dhe pretendimi.
Kohët e fundit dëgjova një pastor me shumë përvojë të thoshte se, në çdo rast dështimi në shërbesë që ai kishte parë, krenaria kishte qenë faktori i përbashkët. Nëse nuk janë të kujdesshëm, pastorët mund të përdorin manipulimin dhe presionin për të krijuar një kulturë pranimi pa kundërshtim dhe një rreth njerëzish besnikë që thonë vetëm “po”. Me kalimin e kohës, disa njerëz fillojnë të besojnë se rregullat normale të integritetit të krishterë nuk vlejnë për pastorin. Kur drejtuesit nuk arrijnë t’i pranojnë gabimet dhe këmbëngulin për të përfituar privilegjet më të mira për vete, atëherë gjendemi buzë greminës.
4. Shqyrto nëse ke marrëdhënie tepër miqësore apo të afërta me gratë.
Nuk ka nevojë që pastorët të kenë sjellje të çuditshme me gratë dhe as t’i trajtojnë të gjitha sikur të ishin njësoj si gruaja e Potifarit (shumica prej nesh as nuk janë aq të pashëm sa Jozefi!). Mirëpo gjykimi i shëndoshë dhe kujdesi frymëror duhet të na ruajnë që të mos udhëtojmë vetëm me gra të tjera, të mos dërgojmë mesazhe të gjata private, të mos ndërveprojmë shumë “online”, të mos u dërgojmë apo t’u kërkojmë foto dhe as të mos u tregojmë dobësi personale. Gruaja ime nuk do që unë të jem i pasjellshëm me gratë; megjithatë, ajo nuk do as që unë të krijoj miqësi të afërta me gratë e tjera.
5. Shqyrto nëse nuk je më vigjilent në luftimin e epshit dhe tundimit.
Çdo pastor ka dëgjuar (e me shumë mundësi predikuar) për rrezikun e pornografisë. Mirëpo rreziku nuk nis aty zakonisht. Mëkatet e mëdha thuajse gjithmonë nisin si kompromise të vogla: vështrime të zgjatura, shaka të papërshtatshme, gracka joshëse të vendosura në mediet sociale dhe video gjithmonë e më të dyshimta në YouTube. Kur ne i justifikojmë mëkatet “e vogla”, po i ftojmë mëkatet e mëdha që të na gjejnë — dhe me kalimin e kohës, me ndihmën e Satanit dhe të algoritmit, ato do të na gjejnë.
6. Shqyrto nëse të mungojnë miqësitë e vërteta dhe transparente.
Shqetësohem sa herë që takoj drejtues të krishterë që nuk duket se kanë miq të ngushtë. Me miq nuk nënkuptoj miqtë e famshëm apo “miqtë” që i takojnë disa herë në vit në takime apo konferenca. Kemi nevojë për miq që nuk kanë frikë të na bëjnë pyetje të vështira, miq që na njohin prej shumë kohësh, të cilët do të linin gjithçka për të na ngushëlluar gjatë sprovave dhe do të linin gjithçka për të na qortuar kur biem në tundim.
7. Shqyrto se sa do të të kushtojnë mëkatet e tua kur të zbulohen.
Shërbesa pastorale nuk është si profesionet e tjera, sepse ajo nuk na lejon ta ndajmë shërbesën nga karakteri i shërbesëtarit. Mendoj për mundësitë që më janë dhënë për shkak të shërbesës pastorale, jetesën që kam për shkak të shërbesës pastorale, vlerësimin dhe respektin (nga disa) që kam për shkak të shërbesës pastorale. Sa marrëzi e madhe do të ishte ta shkëmbeja gjithë këtë për një dëshirim të mishit. Le të mos mendojmë se mëkatet mund t’i fshehim përgjithmonë! Zakonisht ato zbulohen pas disa javësh apo muajsh, ndonjëherë vitesh, ndonjëherë pas vdekjes (duke turpëruar kështu ndjekësit, familjen dhe miqtë), dhe janë gjithmonë të zbuluara para fronit të gjykimit të Krishtit. Mund t’i gënjesh të tjerët (për njëfarë kohe). Mund të gënjesh edhe veten. Por Perëndia e di të vërtetën, dhe gënjeshtra nuk do të zgjasë përgjithmonë.
8. Shqyrto dëmin që do t’u bësh të tjerëve me mëkatin tënd.
Premtimi i hirit nuk duhet të na bëjë që të nënvlerësojmë mizorinë e mëkatit. Dridhem kur mendoj se ç’dëm do t’i bëja gruas, fëmijëve, bashkësisë dhe të gjithë atyre që janë ndihmuar nga diçka që kam shkruar, mësuar apo predikuar, po të kryeja një mëkat skualifikues. Më dhemb të mendoj për lëndimin dhe hutimin që do t’u shkaktoja atyre që janë drejtuar te Krishti përmes meje, ose që janë pagëzuar apo martuar prej meje, ose që janë nxitur ta duan më shumë Krishtin përmes meje. Pa dyshim që nuk është shërbesëtari që vepron, është gjithmonë fjala e Perëndisë përmes nesh; megjithatë, për aq kohë sa Perëndia përdor mësues njerëzorë, ne mësuesit duhet të mbajmë një përgjegjësi të veçantë për ta ruajtur jetën tonë të panjollosur nga mëkati.
9. Merr në konsideratë kënaqësitë që janë më të mëdha, më të ëmbla e më afatgjata se mëkati.
Vargu im i preferuar për të luftuar tundimin është Mateu 5:8: “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.” Unë dua ta shoh Perëndinë — në këtë jetë dhe në jetën që do të vijë. Duhet të luftojmë për të besuar se bukuria e shenjtërisë dhe hijeshia e Krishtit janë më të mira se magjepsja nga format dhe lëkura. Dhe jo vetëm që Perëndia të kënaq më shumë sesa seksi i ndaluar, por çdo ditë ka gjëra më të ëmbla, kënaqësi tokësore — si ndërgjegjja e pastër, martesa jetëgjatë, frytet e punës së lodhshme, buzëqeshja e nipërve dhe të qeshurat me miqtë. Nuk ekziston asnjë mëkat aq i kënaqshëm, kundrejt të cilit Perëndia të mos mund të sigurojë gëzime më të shenjta e më të kënaqshme në mënyra të tjera.
10. Merr në konsideratë nderin dhe lavdinë e Krishtit.
Ky është thelbi i çështjes, apo jo? Si shërbesëtarë të krishterë, ne nuk mbajmë vetëm emrin e Krishtit, neve na është dhënë privilegji i jashtëzakonshëm për të administruar misteret e Krishtit, për të treguar dashurinë e Krishtit dhe për të predikuar ungjillin e Krishtit. E di se një artikull i tillë mund ta bëjë mëkatarin që të dëshpërohet për shpëtimin dhe të mendojë se Perëndia nuk mund ta përdorë sërish. Megjithatë, nuk është ky qëllimi. Ka gjithmonë më tepër hir në Krishtin se padrejtësi në ne. Sidoqoftë, është e shëndetshme të ndiejmë njëfarë frike nga Zoti, e cila, në fund të fundit, është fillimi i njohjes. Besoj se Perëndia u ka dhënë pastorëve thirrjen më të mirë e më të lartë. Ç’mund të jetë më keq se të çnderosh një Mik, Zot dhe Shpëtimtar si Krishti?
Kevin DeYoung është pastori kryesor i kishës “Christ Covenant” (PCA) në Matthews, North Carolina dhe profesor i asociuar i teologjisë sistematike në Reformed Theological Seminary.
Botuar me leje: https://clearlyreformed.org/sin-makes-you-stupid/
Përktheu: Sara Jaupllari | Redaktoi: Lea Allkoja
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©dritez.al 2026

