images

Qershor 2026


Kevin DeYoung-u shqyrton arsyet përse Bibla nuk e mbështet transgjinorizmin dhe se si Perëndia e ka krijuar secilin prej nesh mashkull ose femër.

Sipas Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA): “Transgjinor është një term gjithëpërfshirës për ata persona, identiteti, shprehja gjinore apo sjella e të cilëve nuk përkon me atë që zakonisht i bashkëngjitet seksit që u është caktuar në lindje.” Në qendër të përkufizimit të APA-së — dhe në qendër të vetë lëvizjes së transgjinorëve — është dallimi midis seksit dhe gjinisë.

Siç përsëritet shpeshherë në ditët e sotme, seksi ka të bëjë me biologjinë, me kromozomet, me hormonet, me anatominë e brendshme dhe atë të jashtme. Ata thonë se seksi “caktohet në lindje”, në bazë të këtyre realiteteve biologjike.

Nga ana tjetër, na thuhet se identiteti gjinor ka të bëjë me mënyrën se si një person ndihet, ka të bëjë me ndjesinë e tij të brendshme të identitetit dhe me mënyrën se si ky person zgjedh ta shprehë këtë identitet përmes veshjes, stilit të flokëve, zërit, pamjes së jashtme, sjelljes, emrit dhe përemrave. Sipas kësaj, gjinia është një konstrukt social dhe nuk ka nevojë të përkojë me seksin e përcaktuar biologjikisht. Në bazë të kësaj, jo vetëm që gjinia ndahet nga seksi, por njerëzit nuk duhet të kufizohen nga zgjedhja midis dy gjinive (jobinarë) e as nga ndonjë gjini në përgjithësi (fluiditet gjinor).

Qëllimi i këtij artikulli është të shqyrtojë se çfarë thotë Bibla për këtë tërësi bindjesh. Do të shohim se Bibla nuk e mbështet transgjinorizmin. Në fakt, Perëndia na ka krijuar femër ose mashkull, dhe ai dëshiron që ne të jetojmë — në pamje, qëndrim dhe sjellje — sipas seksit biologjik.

Në mbështetje të këtij përfundimi, do të nxjerr në pah katër të vërteta biblike, thelbësore për meshkujt dhe femrat.

E vërteta nr. 1: Trupat tanë kanë rëndësi

E vetmja jetë që kemi këtu në tokë është ajo e qenies së tërë: trup dhe shpirt. Të gjitha frikërat dhe shpresat, gëzimet dhe hidhërimet, aventurat dhe dështimet, përjetohen në personin e trupëzuar. Gjithçka që bëjmë për ta dashur Perëndinë dhe të afërmin, apo për t’u rebeluar kundër Perëndisë dhe për ta keqtrajtuar të afërmin, e bëjmë si persona të trupëzuar. Siç e thotë edhe John Kleinig-u në librin e tij të shkëlqyer “Krijuar në mënyrë të mrekullueshme”: “E gjithë jeta njerëzore në këtë tokë ka të njëjtin kushtëzim për këdo: jetohet në trup.”[1]

Shumë njerëz kanë një marrëdhënie të dyfishtë me trupin e tyre. Edhe pse duket qartë që në kulturën tonë mendojmë tepër për trupin — duke qenë të fiksuar pas pamjes, pas humbjes së peshës dhe shmangies së efekteve të natyrshme të moshimit — edhe e kundërta qëndron: ne mendojmë më pak nga ç’duhet për trupat tanë. Me gjithë njohurinë shkencore që kemi në dispozicion, nuk mahnitemi nga kompleksiteti, nga bukuria dhe projektimi plot hollësi i trupit njerëzor. Për të thënë të vërtetën, shumë prej nesh i urrejnë trupat e tyre. I konsiderojnë shumë të errët ose shumë të zbehtë, shumë të dobët apo të shëndoshë, me shumë thinja, shumë të ngadaltë, shumë të rrudhur, shumë jo tërheqës. Madje, shumë prej nesh do të donin të çliroheshin nga trupat dhe barrët që i shoqërojnë këta trupa.

Megjithatë, Perëndia tregon një histori tërësisht të ndryshme. Perëndia krijoi të përbrendshmet tona; Perëndia na endi në barkun e nënës (Psalmi 139:13). Edhe pse i ndiejmë efektet e Rënies në trupat tanë, gjithsesi, secili prej nesh është krijuar në mënyrë të mrekullueshme (vargu 14). Fakti që vetë Biri i përsosur i Perëndisë mori trup njerëzor do të thotë që trupëzimi nuk është në thelb i pistë apo i lig. Fakti që Krishti është ringjallur dhe tani mbretëron në qiell si Perëndia-njeri i përjetshëm, do të thotë që trupi njerëzor nuk është antietik në lidhjen e thellë me Perëndinë dhe në përbashkësinë me të. Fakti që shpresa jonë e fundit është ringjallja e të vdekurve, do të thotë që trupëzimi është i mirë dhe i dëshiruar, dhe se, pa trupat tanë, shpengimi ynë do të ishte i paplotë (Romakëve 8:23).

Para se të merremi drejtpërdrejt me pretendimet e transgjinorizmit, duhet të mendojmë siç duhet për trupat tanë. Perëndia nuk interesohet vetëm për botën e brendshme të mendimeve, dëshirave, bindjeve dhe ndjenjave tona. Bibla na urdhëron: “Përlëvdoni Perëndinë, pra, me trupin tuaj…” (1 e Korintasve 6:20). Krahët dhe këmbët tona, sytë dhe veshët, duart dhe shputat e këmbëve, organet tona seksuale janë agjentë për nderimin apo çnderimin e Perëndisë. Njeriu nuk është si ndonjë marionetë, goja dhe gjymtyrët e së cilës lëvizen nga një person i jashtëm, ndarazi marionetës. Mirëpo trupi njerëzor nuk është as ndonjë makineri në të cilën funksionet e jashtme kontrollohen nga një procesor i brendshëm që mund të zhvendoset nga një makineri në tjetrën. Mendoni se sa shpesh Jezusi preku trupin e dikujt apo u prek nga dikush (Marku 1:41; 5:27, 41; 6:56; 7:33; 8:23; 9:27). Jezusi kuptonte atë që bota mund ta mohojë tërthorazi — faktin që trupat tanë nuk na janë dhënë rastësisht. Trupat tanë kanë rëndësi për Perëndinë dhe duhet të kenë edhe për ne.

E vërteta nr. 2: Trupat tanë na janë dhënë si dhuratë

Është një e vërtetë e qartë biblike — e cituar qartësisht që në kapitullin e parë të Biblës — se ne jemi qenie të krijuara (Zanafilla 1:26-27). Kjo nuk është e vërtetë vetëm për Adamin dhe Evën, por për çdo qenie njerëzore që erdhi prej tyre (Zanafilla 5:1-2). Jetët tona, shpirtrat tanë, trupat tanë, e gjithë qenia jonë është dhuratë prej Perëndisë.

E vërteta e thjeshtë — se Perëndia krijoi secilin prej nesh — nënkupton se nuk e krijuam ne veten tonë (Psalmi 100:3). Ne nuk e shkaktuam vetë lindjen tonë. Nuk i vendosëm ne lëkurën, kockat, organet dhe muskujt në trupin tonë. Nuk vendosëm ne nëse do të lindnim femër apo mashkull, apo me çfarë ngjyre sysh do të lindnim dhe as nëse do të dilnim leshatorë nga barku i nënës apo pa flokë fare. Trupat tanë na u dhanë.

Nëse do ta thoshim ndryshe, Bibla thekson se trupi është i dhënë. Nëse ka një gabim thelbësor në ideologjinë transgjinore, është gënjeshtra se trupat tanë fizikë janë të ndryshueshëm, ndërsa ndjenjat tona jofizike dhe identiteti ynë janë të pacenueshëm. Transgjinorizmi “funksionon” vetëm kur hamendësojmë se, kur trupat tanë thonë një gjë, ndërsa ndjenjat e brendshme dhe perceptimet na thonë diçka tjetër, atëherë gabim duhet të jenë trupat tanë. Bibla nuk e përshkruan kështu trupin. E vërteta është që unë jam më tepër sesa thjesht mendimet, dëshirat, bindjet dhe ndjenjat e mia; unë jam trup dhe shpirt. Trupat tanë u krijuan për ne dhe ata jemi ne. Siç e thotë edhe Kleinig-u: “Ne nuk e kuptojmë dot kompleksitetin, bukurinë dhe misterin e trupit njerëzor nëse nuk kuptojmë se ai na është dhënë. Ne nuk e bëmë vetë trupin tonë; ai u krijua për ne. Na është dhënë me të gjitha karakteristikat e tij shquese.”[2]

Një nga ironitë e kohës ku jetojmë është se, përveç transgjinorizmit, shumica e njerëzve janë të bindur se realitetet objektive të trupit nuk duhet të ndikohen nga çfarë mendojmë apo ndiejmë. Nëse dikush ka lëkurë të bardhë, ai nuk duhet të identifikohet si njeri me ngjyrë. Nëse dikush ka prejardhje europiane, ai nuk duhet të identifikohet si aziatik. Nëse një vajzë adoleshente, plotësisht e shëndetshme, mendon se është shumë mbipeshë, prindërit do t’i thonë se vlerësimi negativ që ajo ka për trupin e vet është i gabuar. Nëse një njeri pi një paketë cigaresh në ditë, doktori do ta paralajmërojë për dëmin objektiv që ai po i shkakton trupit të tij, edhe po të jetë i vetëdijshëm ose jo, se është në rrezik. Burrave dhe grave u thuhet të bëjnë kontrolle të vazhdueshme, që të dallojnë kancerin e gjirit, të prostatës, të shtyllës kurrizore apo të problematikave të tjera, sepse e dimë që nëse trupi po na thotë diçka — qoftë kjo diçka që nuk duam ta dëgjojmë — ne duhet ta dëgjojmë.

Një nga arsyet përse transgjinorizmi ka kuptim për kohën ku jetojmë është sepse ne nuk duam që trupi ynë të na caktojë limite apo kufizime. Na pëlqen të mendojmë se jemi të lirë të bëhemi kushdo apo çfarëdo që duam. Mirëpo një “liri” e tillë nuk është e mirë për ne dhe, në fund të fundit, nuk është as e mundur. Sipas përkufizimit, trupi njerëzor duhet të përballet me limite dhe kufizime. Si krijesa me trup, nuk mund të jemi fizikisht në dy vende njëkohësisht, nuk mund të jetojmë pa ushqim dhe pa ujë, nuk mund të mbijetojmë pa gjumë, nuk mund të përjetojmë asnjë prej gëzimeve dhe hidhërimeve, apo shpresave dhe ëndrrave të një jete tokësore ndarazi nga trupi dhe nga natyra e kufizuar në të cilën ai na kushtëzon.

Lulëzimi i plotë i ideologjisë transgjinore është pjesë dhe copëz e një rebelimi frymëror që refuzon çfarëdolloj autoriteti të jashtëm kufizues. Nëse Perëndia nuk më thotë dot se kush jam dhe as Bibla nuk ma dikton dot se kush jam, nëse traditat civilizuese e as familja nuk më diktojnë dot se kush jam dhe normat e komunitetit nuk ma përcaktojnë dot identitetin, atëherë, afër mendsh, as vetë trupi im nuk ma dikton dot se kush jam. Gënjeshtra e transgjinorizmit është se trupi nuk na është dhënë dhe se biologjia nuk na kufizon dot. Transgjinorizmi na kurorëzon si Krijues me një “vetvete” për ta shfaqur e me një trup për ta formësuar, ndërsa Bibla na nderon si krijesa me një imazh hyjnor të cilin duhet ta reflektojmë dhe si krijesa me një projektim hyjnor të cilin duhet ta përqafojmë.

E vërteta nr. 3: Perëndia e krijoi secilin prej nesh mashkull ose femër

Bibla thotë më tepër sesa thjesht që Perëndia na krijoi. Bibla thotë se Perëndia e krijoi racën njerëzore si një binaritet seksual. “Dhe Perëndia krijoi njeriun në shëmbëllimin e tij, në shëmbëllimin e Perëndisë e krijoi atë; mashkull dhe femër i krijoi ata” (Zanafilla 1:27, Bibla PRO, 2025). Diferencimi seksual ishte ide e Perëndisë. Perëndia nuk krijoi një racë meshkujsh apo një racë femrash dhe as një racë me pesëmbëdhjetë lloje të ndryshme seksualitetesh. Në krijim, Perëndia zgjodhi të shfaqte imazhin e tij duke krijuar burrat dhe duke krijuar gratë — as të pavarur nga njëri-tjetri e as identikë me njëri-tjetrin (1 e Korintasve 11:8-12). Kur Perëndia shpalli se nuk ishte mirë që burri të ishte vetëm (Zanafilla 2:18), nuk e ndreqi situatën duke krijuar një burrë tjetër si shok për të e as një tufë me qen që t’i bënin shoqëri. Ai bëri gruan nga brinja e tij, sepse vetëm një grua do të “përshtatej” me të, si plotëse seksuale, në gjendje për të krijuar jetë të re përmes bashkimit në një mish me burrin (Zanafilla 2:24).

Transgjinorizmi vuan nga një mospërfillje e thellë ndaj teleologjisë. Në teologji dhe filozofi, teleologjia ka të bëjë me projektimin dhe qëllimshmërinë në botën materiale. Kjo përfshin trupat tanë. Trupat femërorë dhe mashkullorë janë krijuar për njëri-tjetrin në një mënyrë reciproke (secili është bërë për tjetrin), përplotësuese (përshtaten në mënyrë unike që të përmbushin një funksion organik, biologjik) dhe të qëllimshme (janë të orientuar drejt riprodhimit). Seksualiteti biblik reflekton teleologjinë e diferencimit seksual dhe projektimin e natyrshëm të trupit.

Në ideologjinë transgjinore, nuk ka “qëllim” për trupin e krijuar (përveç rrethit vicioz të vetëpërmbushjes dhe të vetëshprehjes). Ideologjia transgjinore thekson se një person ka të drejtë të kryejë procedura hormonale dhe kirurgjikale — të cilat, në shumicën e rasteve, çojnë në dëme të pakthyeshme dhe drejt një jete me dhimbje të vazhdueshme në organet gjenitale dhe trajtime të pandërprera — në përpjekje për ta çuar trupin në një linjë me identitetin që ndien personi. Mirëpo këto procedura janë shembuj tragjikë të neglizhimit të qëllimit të vërtetë për të cilin u krijuan trupat tanë. Një burrë ka potencialin proaktiv (pavarësisht nëse e përmbush ose jo), për të depozituar farën që mund të bëhet jetë e re. Gruaja ka potencialin proaktiv (pavarësisht nëse e përmbush ose jo), për të pranuar dhe për të inkubuar jetë të re. “Prandaj, “burrë” dhe “grua”, u referohen mënyrave diferencuese në të cilat trupat njerëzorë organizohen për riprodhim seksual.”[3] Duke qenë se trupat tanë u krijuan me një qëllim të dhënë nga Perëndia, ne nuk kemi lirinë t’i shkatërrojmë apo t’i riprojektojmë sipas dëshirës.

Bibla nuk na mëson vetëm realitetin e binaritetit seksual, por, gjithashtu, beson në unitetin organik mes seksit biologjik dhe identitetit gjinor. Prandaj, meshkujt dhe femrat janë (në mënyrë unike) lloji i çiftit që mund të riprodhohet (Zanafilla 1:28; 2:20). Për këtë arsye, homoseksualiteti — një burrë që kryen marrëdhënie seksuale me një burrë si me një grua (apo e anasjella) — është i gabuar (Levitiku 18:22). Prandaj, apostulli Pal flet për homoseksualitetin si devijim nga marrëdhënia e natyrshme ose funksioni i natyrshëm i ndërveprimit seksual mashkull-femër (Romakëve 1:26-27). Pikërisht për të njëjtën arsye ekzistojnë përgjegjësi të ndryshme brenda kishës dhe brenda shtëpisë, bazuar në seksin biologjik (Efesianëve 5:22-33; 1 e Timoteut 2:11-14). Në secilin rast, argumenti është i vlefshëm, sepse ka një barasvlerë mes biologjisë së dallimit seksual dhe identiteteve përkatëse të mashkullit dhe femrës.

Disa kanë hedhur pretendimin se prania e individëve interseks vë në pikëpyetje realitetin e binaritetit seksual, gjë që nënkupton se gjinia është e ndryshueshme dhe e tjetërsueshme. Duke qenë se ky është bërë argument i zakonshëm, ai na nxit ta kuptojmë më mirë shkencën e përcaktimit seksual. Në një artikull të shkruar për gazetën Wall Street, biologu evolucionar, Colin Wright, shpjegon se “seksi i një organizmi përcaktohet nga lloji i gametave (spermë apo vezë) që mund të prodhojë. Meshkujt kanë si funksion prodhimin e spermës apo gametave të vogla; femrat prodhojnë vezët apo gametat e mëdha. Për shkak se nuk ekziston një lloj i tretë gametash, atëherë nuk mund të ketë më shumë se dy sekse. Seksi është binar.”[4] Wright-i shtjellon më tej se interseks dhe transgjinor “kanë kuptime tërësisht të ndryshme.” Interseksi i referohet një variacioni kushtesh të rralla, ku organet gjenitale janë të paqarta apo të përziera, për shkak të çrregullimit kongjenital të zhvillimit seksual. Është e rëndësishme të vëmë në dukje se diagnoza e interseksit bëhet në bazë të një gjendjeje mjekësore objektive dhe të dukshme. Kurse transgjinor, nga ana tjetër, ka të bëjë me ndjenjat dhe mendimet subjektive, si dhe me një ndjesi të brendshme të identitetit. “Shumica e njerëzve transgjinorë nuk kanë ngatërresa biologjike”, thotë Wright-i, “por identifikohen si diçka e ndryshme nga seksi i tyre biologjik.”

Bibla e thotë se njerëzit mund të lindin me organe seksuale të dëmtuara, të keqformuara apo jofunksionale. Këtë nënkuptonte Jezusi kur tha: “...ka eunukë, që kanë lindur të tillë nga barku i nënës…” (Mateu 19:12). E megjithatë, ky realitet tragjik (një aspekt i trishtë i të jetuarit në një botë të rënë) nuk e zbeh binaritetin seksual. Në artikullin e tyre “Mekanizmi gjenetik i përcaktimit të seksit”, Laura Hake dhe Clare O’Connor, biologe nga Kolegji i Bostonit, shpjegojnë se “te gjitarët me placentë, prania e kromozomit Y përcakton seksin”.[5] Natyrisht, femrat përmbajnë dy kromozome X, ndërsa meshkujt kromozomet X dhe Y. Megjithatë, ka raste të rralla kur dikush mund të lindë me më shumë se dy kromozome apo me vetëm një, duke rezultuar kështu në një zhvillim hormonal dhe seksual të paqartë apo të përzier. Gjithsesi, edhe në këto raste, gjinia përcaktohet nga prania apo mungesa e kromozomit Y. “Pra, individët me kariotipe 47,XXY dhe 47,XYY janë meshkuj, ndërsa individët me kariotipe 45,X dhe 47,XXX janë femra.” E thënë ndryshe, edhe kur organet gjenitale janë të paqarta, për shkak të kromozomeve njeriu është ose mashkull, ose femër.

E vërteta nr. 4: Perëndia është kundër ngatërrimit të seksit

Perëndia e krijoi qenien njerëzore sipas shëmbëllimit të Tij, mashkull dhe femër (Zanafilla 1:26-27). Trupat tanë janë dhurata të mira, që na janë dhënë nga Perëndia dhe ne duhet t’i përdorim për lavdinë e Tij (1 e Korintasve 6:12-20). Si Perëndi i rregullit dhe projektimit, ai e kundërshton ngatërrimin e burrit si grua dhe gruas si burrë.[6]

Çështja e ngatërrimit të seksit është një argument i zgjeruar për të cilin Pali flet te 1 e Korintasve 11:2-16. Pasazhi është i ndërlikuar dhe plot me pyetje për interpretim mbi natyrën e stilit të flokëve të grave dhe mbulimit të kokës në shekullin e parë në botën romake. Mirëpo, fatmirësisht, çështja thelbësore e diskutimit është e thjeshtë dhe e qartë: është e pahijshme që burri të marrë pamjen e një gruaje dhe është e pahijshme që një grua të marrë pamjen e një burri (1 e Korintasve 11:14-15). Sido që ta zbatojmë 1 e Korintasve në kulturën tonë, ne mund të themi pa dyshim se Perëndia do që burrat të duken si burra dhe gratë si gra. Kjo është një ndër arsyet se përse ligji i Dhiatës së Vjetër ndalonte shkëmbimin e rrobave midis gjinive (Ligji i Përtërirë 22:5). Që prej kapitujve të parë të Zanafillës dhe deri te bashkimi mistik i Kishës-Nuse dhe Krishtit-Dhëndër te Zbulesa, Bibla thekson rëndësinë thelbësore të diferencimit seksual midis mashkullit dhe femrës.

Është ironike që lëvizja transgjinore shpeshherë përforcon hamendësimin se burrat duhet të kenë një pamje të jashtme të caktuar dhe gratë gjithashtu. Kur Bruce Jenner-i u vetëdeklarua si Caitlyn Jenner, pra, si një grua, ç’pamje kishte ky person i ri? Bruce-i (tani Caitlyn-a) doli në kopertinën e revistës “Vanity Fair” me makijazh, flokë të gjatë, qerpikë të lyer dhe forma trupore të ndryshuara. Nëse Caitlyn-a do të shfaqej në kopertinën e revistës me pamjen e Bruce-it — pra, me mjekër, flokë të shkurtër dhe gjoks të sheshtë e me muskuj — do të kishte qenë më në përputhje me ideologjinë transgjinore, duke qenë se rëndësi ka ndjesia e brendshme e identitetit. Megjithatë, tranzicioni nuk funksionon ashtu. Burri apo gruaja e shndërruar nuk duket siç ishte më parë. Sado i panatyrshëm (dhe i modifikuar) që ishte transformimi i Jenner-it, fotografia e re duhej të vlente sa një mijë fjalë. Të gjithë ne duhej të kuptonim në mënyrë intuitive se Bruce-i ishte bërë Caitlyn-a, për shkak se ashtu duket një grua.

Në fund, shumica e transformimeve transgjinore, edhe pse në kundërshtim me Fjalën e Perëndisë, tregojnë se projekti i Perëndisë për diferencim seksual nuk mund të hidhet poshtë aq lehtësisht. Përmbledhja e Kleinig-ut është shumë me vend: “Edhe ngjarja e krijimit të njeriut te Zanafilla 1:27, edhe ripohimi i saj nga Jezusi te Mateu 19:4 dhe Marku 10:6 na mësojnë se Perëndia e krijoi njerëzimin sipas shëmbëllimit të tij, si mashkull dhe femër. Në hebraisht, termat “mashkull” dhe “femër” përshkruajnë seksualitetin biologjik (Levitiku 12:2, 5, 7; 15:33), të cilin e kemi të përbashkët me të gjitha kafshët (Zanafilla 6:19; 7:3, 9, 16), dhe me gjininë e tyre përkatëse, pra, identitetin e tyre seksual (Levitiku 27:3, 4, 5, 7; Numrat 5:3).”[7] Nëse do të jetojmë sipas të vërtetave biblike apo në harmoni me rregullin natyror, nuk duhet ta pranojmë idenë bashkëkohore se seksi dhe gjinia janë dy koncepte tërësisht të ndryshme. Atë që Perëndia e ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.

Përfundimi

Deri në dekadat e fundit të historisë njerëzore çdokush, kudo, e kishte të qartë se secili prej nesh lind plotësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme si “ai” ose “ajo”. Të qenët mashkull apo femër është identitet të cilin ne nuk e zgjedhim dhe as nuk mund ta ndryshojmë. Lexoni, për shembull, këto fjalë tërësisht me vend (të botuara fillimisht në vitin 1522) nga Martin Luteri, si koment mbi Zanafillën 1:27:

Prej këtij pasazhi, ne duhet të marrim sigurinë se Perëndia e ndau njerëzimin në dy klasa, meshkuj dhe femra, ose ai dhe ajo. Kjo ishte aq e pëlqyer për të, saqë ai vetë e quajti një krijim të mirë [Zanafilla 1:31]. Prandaj, secili prej nesh duhet të ketë trupin që Perëndia krijoi për ne. Unë nuk mund të bëhem femër vetë dhe as të bëhem mashkull vetë; ne nuk e kemi fuqinë për ta bërë këtë. Mirëpo ne jemi pikërisht siç na ka krijuar ai: Unë jam burrë dhe ti je grua. Për më tepër, ai dëshiron që puna e duarve të tij të nderohet si krijim hyjnor dhe jo të përçmohet. Burri nuk duhet ta përçmojë gruan apo trupin e saj dhe as gruaja burrin. Secili duhet të nderojë imazhin dhe trupin e tjetrit si një krijim të mirë dhe hyjnor, që është i kënaqshëm për vetë Perëndinë.[8]

Vëreni se Luteri beson se trupat na janë dhënë dhe gjithashtu na vendosin kufij. Megjithatë, ai nuk e konsideron këtë dhënie të trupit, mashkull dhe femër, si lajm të keq. Përkundrazi, fakti që ti dhe unë u krijuam qoftë si burrë, qoftë si grua, pasqyron “mjeshtërinë e veprës” së Perëndisë dhe nuk duhet përçmuar.

Të lindësh mashkull apo femër dhe të jetosh një jetë dishepullimi të krishterë sipas identitetit që të është dhënë, është shtegu drejt bekimit, për të mos përmendur këtu se ky është edhe realiteti. Në po të njëjtin shkrim, Luteri thekson se ne kemi lindur si burra dhe gra, dhe se këto identitete nuk mund të ndryshojnë kurrë. “Nuk mund të premtosh në mënyrë solemne se nuk do të jesh një burrë apo një grua”, shkruan Luteri, “e nëse ndodh që të duhet ta bësh një premtim të tillë, do të ishte marrëzi dhe e padobishme, sepse ti nuk mund ta bësh veten diçka që nuk je.”[9]

E vërteta që Luteri dinte pesëqind vjet më parë është po aq reale dhe po aq biblike edhe sot. Ta pranosh këtë realitet, edhe mes dhimbjes dhe hutimit personal, do të thotë të përqafosh mençurinë e Perëndisë dhe rrugët e tij — një projektim hyjnor që vetë Perëndia e shpalli se ishte “shumë mirë” (Zanafilla 1:31).


[1] John W. Kleinig, Wonderfully Made: A Protestant Theology of the Body (Bellingham, WA: Lexham Press, 2021), 216.

[2] Kleinig, Wonderfully Made, 22.

[3] Denny Burk, David Closson, dhe Colin Smothers, Male and Female He Created Them: A Study on Gender, Sexuality, and Marriage (Ross-Shire, UK: Christian Focus, 2023), 70.

[4] Colin Wright, “A Biologist Explains Why Sex Is Binary,” Wall Street Journal (9 prill 2023).

[5] Laura Hake dhe Clare O’Connor, “Genetic Mechanisms of Sex Determination,” Nature Education 1(1):25.

[6] Kjo gjuhë është marrë nga pjesa “Dymbëdhjetë deklarata” nga Kisha Presbiteriane në America’s Report of the Ad Interim Committee on Human Sexuality (https://pcaga.org/aicreport/).

[7] Kleinig, Wonderfully Made, 198.

[8] Martin Luther, The Estate of Marriage, përkth. Walther I. Brandt, në Luther’s Works, vëllimi 45, red. Walther I. Brand (Philadelphia, PA: Fortress Press, 1962), 17-18.

[9] Luther, Estate of Marriage, 19.


Kevin DeYoung është pastori kryesor i kishës “Christ Covenant” (PCA) në Matthews, North Carolina dhe profesor i asociuar i teologjisë sistematike në Reformed Theological Seminary.

https://clearlyreformed.org/4-reasons-why-the-bible-does-not-support-transgenderism/

EtiketaClearlyreformed

Postime të ngjashme