“Se nëpërmjet hirit që m’u dha, i them çdokujt që është ndër ju, që të mos ketë mendim të lartë për veten përtej asaj çfarë duhet të mendojë, por të mendojë si të jetë i matur, ashtu si Perëndia i ndau secilit masë besimi.”
ROMAKËVE 12:3
Askush nuk ka imunitet ndaj mëkatit të vetëlartësimit. Për të gjetur prova për këtë, thjesht hyni në çdo grup kopshti. Në këtë grup të vogël fëmijësh, shumë shpejt dikush do të fillojë të mburret se ka ndërtuar kullën më të lartë me blloqe ose se ka vizatuar por- tretin më të mirë të familjes — me fjalë të tjera, ata kanë një mendim më të lartë se duhet për veten e tyre.
Krahasimi i vazhdueshëm me njerëzit e tjerë është një mënyrë e të menduarit sipas kësaj bote. Një pikëpamje e ekzagjeruar për veten është një problem i tmerrshëm — një problem që i ul të tjerët dhe e shpërfill vendin tonë përpara Perëndisë. Megjithatë, përgjigjja nuk gjendet në poshtërimin e vetes, i cili është gabimi i kundërt i vetëlartësimit dhe i barabartë me të. Ky vetëpërçmim është gjithashtu produkt i krenarisë, sepse ende buron nga krahasi- mi. Ky reagim ka ende vetveten në fokus.
Pikëpamja e të krishterit për veten duhet të bazohet në një mendje të ripërtërirë nga Perëndia (Romakëve 12:2). Me këtë këndvështrim, ne e gjejmë vlerën tonë në mëshirën dhe hirin e Perëndisë. Rëndësia, identiteti, vlera dhe roli ynë, të gjitha e gjejnë themelin e tyre në atë se kush është Perëndia dhe se çfarë ka bërë Ai për ne, jo për shkak të asaj se kush jemi ne apo çfarë kemi bërë ne për Të.
Ne kujtohemi për këtë këndvështrim të duhur për veten kur këndojmë vargjet: “Kur unë sodis të mahnitshmin kryq, atje ku vdiq Krishti, Princi i lavdisë.” Të soditësh kryqin, do të thotë të përqendrohesh tek ungjilli — e vërteta që një tjetër ka vdekur në vendin tonë dhe ka mbajtur ndëshkimin tonë. Duke bërë këtë, ne kuptojmë se “humbje e quaj çdo fitim dhe e përçmoj çdo krenari”. Kryqi na ngre dhe na ul njëkohësisht, dhe kjo na çliron nga nevoja për ta shtyrë veten që të çajmë në jetë dhe na aftëson për të pranuar mënyrat në të cilat Perëndia na ka dhënë dhunti. Kështu mund të mendojmë për veten në mënyrë “të matur”.
Prandaj, kisha duhet të jetë qartësisht e ndryshme nga bota në mënyrën se si ne shohim veten dhe njëri-tjetrin. Kur mblidhemi, të bashkuar nga ungjilli, gjithçka tjetër që lidhet me identitetin tonë, edhe pse jo krejt e parëndësishme, e humbet rëndësinë e saj kryesore, dhe ne nuk i përdorim dhuntitë tona për të kënaqur veten, por për t’u shërbyer të tjerëve.
Shiko kryqin, aty ku Shpëtimtari yt u gjakos dhe vdiq për mëkatet e tua, sepse Ai të do. Nuk ka vend që të ndihesh krenar. Nuk ka pse ta krahasosh veten me të tjerët. Përkundrazi, gjithçka që Ai të ka dhënë, ti mund ta përdorësh në shërbim vetëmohues dhe plot gëzim ndaj të tjerëve.
