Kush eshte Krishti

Maj 2021


Nga Michael A. G. Haykin

Në 16 dhjetor të vitit 1739, George Whitefield predikoi nga Mateu 22:42 në kishën Bruton Parish në Uilliamsburg, Virxhinia, ku bëri të njëjtën pyetje që Jezusi i bëri dëgjuesve të Tij një mijë e shtatëqind vite më parë: “Ç`mendoni për Krishtin?”

Gjuha që Whitefield foli, ishte ndryshe nga ajo e Zotit të tij, por pasojat e përjetshme të përgjigjes ishin të njëjta. Disa prej përgjigjeve në kohën e Jezusit—Ai është Gjon Pagëzori i ringjallur; Ai është një prej profetëve; Ai ishte Elia (shih Marku 8:27-28)—ishin të ngjashme me përgjigjet në kohën e Whitefield. Deistët si Benjamin Franklin, që ishte mik i mirë i Whitefield, e konsideronin Jezusin një mësues të pakrahasueshëm me të tjerë, por nuk dëshmuan hyjninë e Tij. Të tjerë e konsideruan Jezusin hyjnor, por në një shkallë më të ulët se Ati. Whitefield, duke u treguar i vërtetë ndaj dëshmisë së Shkrimit, nuk kishte turp t’u tregonte njerëzve se Jezu Krishti është plotësisht Zot dhe t’u thoshte: “Nëse Jezu Krishti nuk do të ishte vërtet Perëndi prej Perëndie të vërtetë, nuk do ta kisha predikuar më ungjillin e Krishtit, sepse nuk do të ishte ungjilli; do të ishte thjesht një sistem i etikave morale.”

Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë

Prova për hyjninë e plotë të Zotit Jezus gjenden gjatë gjithë Besëlidhjes së Re. Në mënyrë të qartë Jezusi quhet: “i madhi Perëndi dhe Shpëtimtari ynë Jezu Krisht” (Titi 2:13). Plotësia e Atit banon në Të (Kolosianëve 1:19; 2:9). Ai mban tituj dhe emra që i jepen Perëndisë Yahweh në Besëlidhjen e Vjetër (krahaso, për shembull, Isaia 44:6 dhe Zbulesa 1:17). Ai paraqitet si objekt adhurimi (Hebrenjve 1:6) dhe Atij i drejtohen lutjet (Veprat 7:59-60; 1 e Korintasve 16:22; 2 e Korintasve 12:8). Ai bën gjëra që vetëm Perëndia mund t’i bëjë, si krijimi i universit (Gjoni 1:3; Kolosianëve 1:16), falja e mëkateve (Marku 2:5-10; Kolosianëve 3:13), dhe fakti se do të na gjykojë në ditën e fundit (Veprat 10:42; 17:31; 2 e Korintasve 5:10). Ai ka atribute hyjnore si të qenët i kudondodhur (Hebrenjve 1:3; Efesianëve 4:10), gjithëdija (Zbulesa 2:23), plotfuqishmëria (Mateu 28:18), dhe pandryshueshmëria (Hebrenjve 13:8). Hyjnia e plotë e Krishtit është pjesa thelbësore e ungjillit. Çdo pozicion tjetër për Të shtrembëron Besëlidhjen e Re.

Ai i Cili u mishërua

Besëlidhja e Re gjithashtu dëshmon një tjetër të vërtetë të identitetit të Krishtit—Ai ishte plotësisht njeri. Siç e thotë edhe apostulli Pal, Ai është “Krishti Jezus njeri” (1 e Timoteut 2:5; është shtuar pjerrësia te fjala). Ai u rrit në status të ulët (Mateu 13:55). Ai përjetoi urinë (Mateu 4:2). Ai e njihte lodhjen dhe etjen (Gjoni 4:6-7). Ai derdhi lot dhimbjeje (Gjoni 11:35). E megjithëse Ai ishte po aq njeri sa secili prej nesh në të gjitha këto aspekte, në një aspekt nuk ishte aspak si ne: ai ishte pa mëkat. Teksa shohim jetën e Krishtit, nuk ka asnjë rast ku mund të drejtojmë gishtin dhe të themi: “Shiko, një mëkat.” Të mohosh se Krishti ishte njeri do të thotë të zbehësh ungjillin (shih 1 e Gjonit 4:1-3; 2 e Gjonit 7-9).

I kryqëzuar.... për shpëtimin tonë 

Pas një jete duke bërë vepra të mira, duke shëruar të sëmurët dhe duke predikuar ungjillin, Jezusi u arrestua nga autoriteti judaike dhe romake. Ai që është e Vërteta dhe që e do Perëndinë përsosmërisht u akuzua se ishte blasfemues. Ai vuajti dhe u turpërua në duart e rojeve judenj dhe ushtarëve romakë, u fshikullua dhe u tall. E zhveshën dhe e çuan drejt vdekjes pa asgjë për të mbuluar lakuriqësinë e Tij (Marku 15:24; Gjoni 19:23-24). Vdekja e Tij ishte më e dhimbshmja dhe më e turpshmja që njihej nga romakët—kryqëzimi (Gjoni 19:16-18; Hebrenjve 12:2). Autori i jetës, që ringjalli të vdekurit, u varros në një varr. E prapë, më e tmerrshmja prej të gjithave, ishte ndjesia e braktisjes nga Perëndia, që e trazoi shpirtin e Jezusit ndërsa vdiq (Mateu 27:46; Marku 15:34), sepse në vdekjen e Tij, Ai mori dhe përjetoi të gjithë zemërimin e tmerrshëm që mëkatarët meritonin (1 e Korintasve 15:3; 2 e Korintasve 5:21; Hebrenjve 9:11-14, 28). Vdekja e Tij ishte një vdekje zëvendësuese dhe pajtuese. Të mohosh këtë do të thotë të mohosh ungjillin.

Por vdekja nuk mund ta mbante Jezusin në varr, sepse as vdekja, as Satani nuk kishin ndonjë fuqi mbi Të (Psalmi 16:10; Veprat 2:24-31). Kështu, Perëndia Atë, përmes Frymës së Shenjtë, e ngriti Jezusin prej së vdekurish ditën e tretë (Mateu 28:6-7; Veprat 2:32; Romakëve 8:11), dhe pas kësaj u pa disa herë nga dishepujt e Tij dhe nga disa dëshmitarë të zgjedhur (Veprat 1:3-8; 1 e Korintasve 15:4-8). Të refuzosh ringjalljen trupore do të thotë të mohosh shpresën e shpëtimit.

Ky është ungjilli që Besëlidhja e Re mëson, të cilin Whitefield predikoi, dhe në të cilin ne ende mbahemi: Krishti, plotësisht Perëndi, u bë njeri për shpëtimin tonë, vdiq për mëkatet tona, dhe u ngrit prej së vdekurish. Besoje këtë dhe do të jesh i shpëtuar.

Dr. Michael Haykin është profesor i historisë së kishës dhe natyrës shpirtërore biblike dhe drejtor i qendrës “Andrew Fuller” për studimet baptiste në Seminarin Jugor Teologjik Baptist në Louisville, Kentaki. Ai është autor i disa librave përfshirë Rediscovering the Church Elders.

Botuar me leje: https://tabletalkmagazine.com/article/1994/05/who-is-christ/ Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaTable Talk

Postime të ngjashme

Qiejt e rinj dhe toka e re
T’ia predikosh ungjillin vetes
Cila është përgjigjja jonë?
Çfarë janë drejtësimi dhe shenjtërimi?
>