andra c taylor jr ic8zpkz6qf0 unsplash

Korrik 2021


Kjo është pjesa e dytë e teologjisë biblike mbi konvertimin. 

Konvertimi në besim mund të përkufizohet si largimi nga mëkati dhe kthimi te Perëndia. Mbase vargu klasik që e jep më mirë këtë përkufizim, është 1 e Thesalonikasve 1:9: “Sepse vetë ata tregojnë për ne çfarë hyrjeje patëm tek ju dhe si u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t'i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë.” Këtu shohim qartë dy elementet e konvertimit, kthimi te Zoti dhe largimi nga idhujt.

KONVERTIMI NË DHIATËN E RE: NGA PREMTIMI TE REALITETI 

Historia e triumfit të Perëndisë mbi gjarprin, e premtuar në Dhiatën e Vjetër (Zanafilla 3:15), bëhet realitet në Dhiatën e Re. Dhiata e Vjetër premtoi një besëlidhje të re, një krijim të ri, një eksod të ri dhe zemra të reja për njerëzit e Perëndisë. Dhe ka një përmbushje të themeluar të të gjitha këtyre premtimeve përmes jetës, vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit, e cila është shpallur në Dhiatën e Re.

Konvertimi në ungjijtë sinoptikë

Në ungjijtë sinoptikë (Mateu, Marku dhe Luka), vepra shpëtuese e Perëndisë, e premtuar në Dhiatën e Vjetër, përmblidhet nga termi "Mbretëria e Perëndisë". Mbretëria e Perëndisë luan një rol qendror në ungjijtë sinoptikë, por ne duhet të kuptojmë edhe se mbretëria kërkon konvertim. Dy elementet e konvertimit mund të përshkruhen edhe si pendesa dhe besimi. Siç lexojmë te Marku 1:14-15: “Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe duke thënë: ‘U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër; pendohuni dhe besoni në ungjillin’” (krah. Mateu 4:17). Lajmin e mirë të kthimit nga internimi, të paralajmëruar nga Isaia, lajmin e mirë të përmbushjes së premtimeve shpëtuese të Perëndisë do ta shijojnë vetëm ata që pendohen për mëkatet e tyre dhe besojnë në Ungjill. 

Ungjilli në ungjijtë sinoptikë përqendrohet në vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit, sepse vuajtjet dhe ringjallja e Jezusit mbizotërojnë historinë në të tre librat. Kjo është edhe pika kulminante e historisë. Nuk ka mbretëri pa kryq. Jezusi erdhi për të “shpëtuar popullin e tij nga mëkatet e tyre” (Mateu 1:21) dhe ky shpëtim u realizua vetëm përmes vdekjes së Tij në vendin e tyre, në të cilën ai dha “jetën e tij si shpërblesë për shumë veta” (Mateu 20:28; krah. Marku 10:45). Disa që flasin për mbretërinë, thonë pak për konvertimin, por edhe një vështrim i shpejtë në ungjijtë sinoptikë tregon se konvertimi është thelbësor. Askush nuk mund të hyjë në mbretëri pa u kthyer në besim (krah. Marku 10:17-31).

Konvertimi në ungjillin sipas Gjonit

Ideja qendrore e konvertimit është e dukshme edhe në ungjillin sipas Gjonit. Në të vërtetë, Gjoni e shkroi ungjillin e tij në mënyrë që njerëzit të “besonin se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, të kenë jetë në emër të tij” (Gjoni 20:31). Gjoni e përdor 98 herë në ungjill foljen "besoj", duke nënvizuar rëndësinë e kësaj teme në ungjillin e tij. As besimi nuk është pasiv tek ungjilli sipas Gjonit. Gjoni përdor një numër termash për të treguar thellësinë dhe veprimtarinë e besimit: të besosh është si të hash, të pish, të shohësh, të dëgjosh, të qëndrosh, të vish, të hysh, të marrësh dhe të bindesh. Natyra radikale e konvertimit shprehet përmes foljeve të ndryshme që Gjoni i përdor për të përshkruar ç’do të thotë të besosh se Jezusi është Krishti. Konvertimi, pra, është në zemër të mesazhit të ungjillit sipas Gjonit. Jeta e përjetshme (jeta në epokën që do të vijë) i përket vetëm atyre që besojnë në Jezusin si "Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës" (Gjoni 1:29). Me fjalë të tjera, vetëm ata që janë konvertuar, e gëzojnë jetën e përjetshme.

Konvertimi dhe mbretëria te Veprat e Apostujve

Nga diskutimi i mësipërm duket qartë se konvertimi luan një rol qendror në ungjij dhe ne mund të nxjerrim të njëjtin përfundim nga libri i Veprave. Te Veprat, ne gjejmë një numër predikimesh, në të cilat Ungjilli u shpjegohet dëgjuesve (p.sh., Veprave 2:14-41; 3:11-26; 13:16-41). Ata që dëgjojnë, shpesh thirren të pendohen (Veprave 2:38; 3:19; 8:22; 17:30; 26:20), gjë që përcaktohet edhe si “kthim” te Zoti (Veprave 3:19; 9:35, 40; 11:21; 14:15; 15:19; 26:18, 20; 28:27). Mesazhi i Ungjillit përfshin një thirrje urgjente për t'u larguar nga mëkati dhe jeta e vjetër e dikurshme. Në të njëjtën kohë, ata që dëgjojnë lajmin e mirë, thirren të besojnë dhe ta ushtrojnë besimin (Veprave 16:31; 26:18). Në të vërtetë, fjala "besim" është përdorur gati 30 herë te Veprat për të përshkruar të krishterët, duke treguar se besimi karakterizon ata që i përkasin Krishtit.

S'është për t'u habitur që konvertimi luan një rol kryesor te Veprat, meqë dokumenton përhapjen e Ungjillit nga Jeruzalemi në Romë (Veprave 1:8; krah. gjithashtu 1:6; 14:22). Por duhet vërejtur gjithashtu se Mbretëria e Perëndisë është një temë kryesore te Veprat. Ajo e kornizon librin në fillim (Veprave 1:3) dhe në fund (Veprave 28:31). Pali e predikoi Mbretërinë në Romë (Veprave 20:35; 28:23, 31) dhe në Filipi “shpalli lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit” (Veprave 8:12), duke treguar se Mbretëria është në qendër të Ungjillit. Siç e pamë më lart, Ungjilli që u shpall, u bëri thirrje dëgjuesve të pendoheshin dhe të besonin. Prandaj, ne kemi një provë tjetër që konvertimi është themelor për çdo shpallje të mbretërisë. Rikthimi i botës nën sundimin e Perëndisë është shpresa e lavdishme e besimtarëve, por vetëm ata që janë penduar dhe besojnë, do ta shijojnë botën e re që po vjen. Ata që nuk pranojnë të besojnë, siç theksohet shpesh te Veprat, do të gjykohen.

Konvertimi sipas Palit

Pali nuk e përdor shpesh termin mbretëria e Perëndisë, por botëkuptimi i tij eskatologjik është i mirënjohur dhe përputhet me karakterin eskatologjik të mbretërisë. Ashtu si ungjijtë, ai shpall një eskatologji të tashme, por që nuk ka ardhur ende. Shumica e studiuesve do të pajtoheshin se besimi dhe pendimi janë tema thelbësore në letrat e Paulit. Pali shpesh mëson se drejtësimi dhe shpëtimi merren vetëm me anë të besimit (krah. Romakëve 3:21-4: 25; 9:30-10:17; 1 e Korintasve 15:1-4; Galatasve 2:16-4: 7; Efesianëve 2:8-9; Filipianëve 3:2-11). Ai nuk e përdor fjalën pendim aq shpesh, por gjithsesi nuk mungon (p.sh. Romakëve 2:4; 2 e Korintasve 3:16; 1 e Thesalonikasve 1:9; 2 e Timoteut 2:25). Pali përdor shumë terma për veprën shpëtuese të Perëndisë në Krishtin, duke përfshirë shpëtimin, shfajësimin, shpengimin, pajtimin, birësimin, shlyerjen etj. Është e padiskutueshme që vepra shpëtuese e Zotit në Krishtin luan një rol të madh në teologjinë e Palit, por një shpëtim i tillë u jepet vetëm atyre që besojnë, atyre që janë konvertuar.

Sipas Palit, besimtarët presin me padurim kthimin e Jezu Krishtit dhe restaurimin e krijimit (Romakëve 8:18-25; 1 e Thesalonikasve 4:13-5: 11; 2 e Thesalonikasve 1:10) dhe, prapëseprapë, vetëm ata që janë konvertuar, do t'i përkasin krijimit të ri që po vjen. Prandaj, Pali punon intensivisht për ta përhapur Ungjillin te johebrenjtë (Kolosianëve 1:24-2:5), duke u përpjekur t'ua çojë ungjillin atyre që nuk kanë dëgjuar kurrë (Romakëve 15: 22-29), në mënyrë që ata të jenë pjesë e bashkësisë së të shpëtuarve.

Konvertimi sipas Letrave të përgjithshme

Letrat e mbetura të Dhiatës së Re janë shkrime të rastit drejtuar situatave specifike. Gjithsesi, rëndësia e konvertimit shprehet ose nënkuptohet. Për shembull, te Hebrenjve shikojmë se vetëm ata që besojnë dhe binden, do të hyjnë në prehjen e kohës së fundit (Hebrenjve. 3:18, 19; 4:3; 11:1-40). Jakobi shpesh është keqkuptuar, por nëse interpretohet siç duhet, ai na mëson se pendimi është i nevojshëm për shpëtimin (Jakobi 2:14-26). Po ashtu, Pjetri mëson se shpëtimi vjen me anë të besimit (1 e Pjetrit 1:5; 2 e Pjetrit 1:1) dhe 1 e Gjonit u shkruajt për të siguruar ata që besojnë se kanë jetë të përjetshme (1 e Gjonit 5:13).

Konvertimi sipas Zbulesës

Libri i Zbulesës kulmon historinë, duke i siguruar besimtarët se mbretëria e Zotit, e cila tashmë ka ardhur në Jezu Krishtin, do të përmbushet. Ata që praktikojnë të keqen dhe bëjnë kompromis me Bishën, do të gjykohen përgjithmonë, por ata që qëndrojnë deri në fund, do të hyjnë në qytetin qiellor, që është Jeruzalemi i ri. Zbulesa nënvizon se vetëm ata që pendohen do të kenë jetë (Zbulesa 2:5, 16, 21, 22; 3:3, 19; 9:20, 21; 16:9, 11). 

JO TEMA QENDRORE, POR THEMELORE E TË GJITHË HISTORISË

Për ta përmbledhur, konvertimi nuk është aspak tema kryesore e Shkrimit. Besimtarët u krijuan që ta përlëvdojnë Perëndinë dhe të kënaqen me Të përgjithmonë dhe ne kënaqemi me Të dhe e përlëvdojmë në këtë botë dhe në botën që do të vijë.

Por konvertimi është themelor dhe thelbësor për historinë, pasi vetëm ata që janë konvertuar, do ta shijojnë krijimin e ri. Qeniet njerëzore duhet të kthehen nga mëkati dhe t'i drejtohen Zotit për t’u shpëtuar. Ata duhet të pendohen për mëkatet e tyre dhe të besojnë në Ungjillin e Jezu Krishtit të kryqëzuar dhe të ringjallur. Ditën e fundit askush nuk do të gjejë aspak ngushëllim te kontributi i vogël apo i madh që ka dhënë për përmirësimin e kësaj bote (nëse ka vlerë ta përmendim këtë), në qoftë se ai njeri nuk kthehet në besim.

Thomas R. Schreiner është profesor i interpretimit të Dhiatës së Re në “Seminarin Teologjik Baptist Jugor” në Luisvill, Kentaki dhe pastori predikues në kishën baptiste Clifton. Mund ta gjeni në Twitter në @DrTomSchreiner.

Botuar me leje:https://www.9marks.org/article/journalconversion-new-testament/ 
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Etiketa9marks

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do