dear pastor dont undervalue sacraments

Shkurt 2024  


Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"

I dashur pastor, 

Shumë kisha dhe pastorë sot, nuk e çmojnë dhe aq pozitën e sakramenteve në adhurimin publik. Sigurisht, dihet që ato janë të rëndësishme, duke qenë se Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na ka urdhëruar të pagëzohemi dhe të festojmë darkën e tij. Mirëpo, a kanë vërtet këto rite një rol po aq të rëndësishëm sa Shkrimi? Pjesa qendrore e adhurimit të përbashkët është predikimi i Fjalës së Perëndisë. Ai është mënyra kryesore, përmes të cilit ne dëgjojmë nga Perëndia dhe më pas i përgjigjemi atij me falënderim, në lutje dhe lavdërim. Është e pamundur që t’i shterim të mirat e Shkrimit, por po t’i mbivlerësojmë sakramentet, kjo mund të na çojë në një ritualizëm të ftohtë dhe madje besëtytni, apo jo?

Mundet! Mirëpo, a mos ndoshta shumë nga ne i druhemi qendërzimit të sakramenteve në adhurimin e përbashkët, sepse e kemi keqkuptuar thelbin e tyre dhe çfarë ato bëjnë?

Në të vërtetë, sakramentet kanë luajtur një rol jetik në ushqyerjen e popullit të Perëndisë gjatë gjithë rrjedhës së historisë së kishës. Aq të rëndësishëm janë pagëzimi dhe Darka e Zoti saqë reformatorët, shumë prej të cilëve qenë pastorë, e konsideruan predikimin (dhe dëgjimin) e duhur të Shkrimit dhe administrimin e duhur të sakramenteve si dy shenjat kryesore të kishës. Si rrjedhim, predikuesi skocez, Robert Bruce-i, mund të thoshte se Shkrimi dhe sakramentet janë “dy mjetet e veçanta” që Perëndia ka zgjedhur për të na “drejtuar te Krishti 1”.

Shkrimi dhe sakramentet

Si trashëgimtarë të Reformimit, ne pohojmë me të drejtë se Shkrimi është burimi kryesor për hulumtimin teologjik dhe çështjet fetare. Shkrimit duhet t’i nënshtrohet çdo gjë tjetër. Kështu, ne mbrojmë dhe përkrahim parimin Sola Scriptura (vetëm Shkrimi): Shkrimi, si vetëzbulim i Perëndisë triun, është perfekt, i mjaftueshëm dhe autoritet përfundimtar, për sa i përket besimit dhe praktikës.

Megjithatë, Sola Scriptura nuk duhet të ngatërrohet me Nuda Scriptura (thjesht Shkrimi) apo me Solo Scriptura (Shkrimi veçmas), që është ideja e gabuar se Shkrimi mund të kuptohet jashtë çdo konteksti kishtar ose që burime të tjera nuk kanë asnjë ndikim në detyrën e teologjisë, e cila doemos informon adhurimin dhe jetesën tonë. Edhe pse Shkrimi është mënyra kryesore që Perëndia përdor për të na rritur dhe për të na sjellë afër Vetes, nuk është Shkrimi e vetmja mënyrë që Ai përdor për ta bërë këtë.

Perëndia i ka dhënë popullit të tij dy lloje fjalësh: fjalën e shkruar (Shkrimin) dhe fjalën e dukshme (sakramentet). Ndërsa Shkrimi siguron bazën e sakramenteve dhe u jep atyre domethënie, sakramentet e përforcojnë dhe e theksojnë Shkrimin. Pagëzimi dhe Darka e Zotit na paraqesin lajmin e mirë të Jezu Krishtit në formë të dukshme dhe të prekshme. Si pasojë, Shkrimi dhe sakramentet janë plotësuese e jo konkurruese me njëra-tjetrën, dhe të dyja na ofrojnë Krishtin. 2

Si punon Perëndia

Mirëpo, a mos vallë po i shpikim këto gjëra? Apo Perëndia vërtet përdor objekte kaq të zakonshme për të ndërtuar dhe për të përdorur popullin e tij? Përgjigjja kumbuese është "Po"! Në fakt, ai gjithmonë ka përdorur gjëra materiale, të zgjedhura si instrumente të përshtatshme për punën e Tij.

Perëndia përdori ujin për të gjykuar njerëzimin e rebeluar dhe për të shpëtuar Noeun e familjen e tij. Ai përdori rrethprerjen për të konfirmuar drejtësinë që Abrahami mori nëpërmjet besimit (Zanafilla 17; Romakëve 4:11), rrethprerjen e foshnjave për të mbajtur besëlidhjen me Izraelin dhe që të përfshinte fëmijët në popullin e besëlidhjes së tij. Perëndia përdori Pashkën për ta ruajtur Izraelin nga vdekja, dhe renë gjatë ditës e kolonën e zjarrit gjatë natës për t’i mbrojtur e për t’i udhëhequr, kur sapo kishin shpëtuar nga robëria e Egjiptit. Dhe ai përdori sakrifica për të falur popullin e tij nga mëkatet, kur ata ktheheshin tek ai duke besuar vetëm në të. Së fundi, Perëndia e bashkoi veten me njerëzimin në Birin e tij. Në mishërim, Perëndia bashkoi frymëroren me fiziken dhe si rrjedhojë, dha Veten për njerëzimin, nëpërmjet gjakut e mishit. Në personin e Krishtit, frymërorja dhe fizikja takohen dhe lidhen në mënyrë të pandashme.

Pikërisht për këto arsye, ne duhet t’i çmojmë më shumë sakramentet, të cilat janë paraprirë nga shumë prej ngjarjeve dhe praktikave të përmendura më lart. Perëndia ka zgjedhur pagëzimin dhe Darkën e Zotit si instrumente për të na komunikuar veten dhe mirësinë e tij. Sakramentet nuk janë thjesht përfaqësime të lajmit të mirë të Jezu Krishtit, në një formë të dukshme e të prekshme. Patjetër që janë vërtet të tilla, por për më tepër ato e bëjnë fjalën e Perëndisë “më të qartë” dhe “më të sigurt”, siç shprehet edhe John Calvin-i.3 Edhe Sinclair Ferguson-i shpjegon: “Ne nuk marrim një Krisht ndryshe apo një Krisht më të mirë te sakramentet sesa te Fjala e Perëndisë... Por mund ta marrim të njëjtin Krisht akoma më mirë duke e rrokur më mirë hirin e tij përmes të parit, të prekurit, të ndierit dhe të shijuarit, po aq sa nëpërmjet të dëgjuarit.” 4

Si rrjedhojë, mund të pohojmë atë që përcakton “Rrëfimi Belg”: “Perëndia ia ka bashkuar [sakramentet] Fjalës së ungjillit, në mënyrë që t’ua paraqesë më mirë shqisave tona, si atë që ai na shpall me anë të Fjalës së tij, ashtu dhe atë që ai kryen së brendshmi në zemrat tona, duke na vërtetuar kështu shpëtimin që na përçon ai.”5

Perëndia ynë është një Atë i dhembshur, i vëmendshëm dhe i ndërgjegjshëm për gjendjen tonë si krijesa. Atij iu duk e përshtatshme ta bëjë veten të njohur dhe të arritshëm me mjete të ndryshme, edhe fizike, sepse ne jemi një popull fizik dhe frymëror.

Kjo nuk nënkupton që Shkrimit i mungon diçka. Shkrimi është vërtet i përkryer në atë që bën. Ai krijon dhe forcon besimin brenda nesh duke iu dhënë formë intelekteve, ndjenjave që zgjatin dhe imagjinatave tona. Megjithëkëtë, fjala e Perëndisë angazhon vetëm të dëgjuarin tonë dhe, në njëfarë mase, shikimin tonë, ndërsa e lexojmë. Kjo do të thotë se shqisat e tjera na mbeten të papërfshira. E përsëris, Shkrimi nuk ka defekt, por funksionon për një aspekt të caktuar shqisor të qenies sonë. Sakramentet funksionojnë për shikimin, prekjen, nuhatjen dhe shijimin. Ato na mundësojnë ta përjetojmë ungjillin në mënyra që angazhojnë krejt qeniet tona – dhe në mënyra që nuk arrihen dot thjesht përmes të dëgjuarit apo të lexuarit.6

"Pagëzimi dhe Darka e Zotit na paraqesin formën e dukshme dhe të prekshme të lajmit të mirë të Jezu Krishtit."

Të soditësh Jezusin

Arsyeja më themelore përse sakramentet angazhojnë krejt qenien tonë, është sepse na paraqesin Birin e mishëruar të Perëndisë. Pagëzimi dhe Darka e Zotit na ndihmojnë të takojmë Krishtin e kryqëzuar, të ringjallur dhe të pranishëm në një mënyrë që përfshin të gjitha shqisat tona.

Sa herë që këto fjalë të dukshme të ungjillit kremtohen kur trupi i Krishtit mblidhet së bashku, Zoti ynë na fton që, ashtu siç jemi, shpirt dhe trup, të vijmë tek ai. Dhe kur vijmë tek ai me besim, biem edhe më thellë në dashuri me të dhe shndërrohemi më shumë prej tij. Sakramentet na zhytin dhe na mbushin me Krishtin, dhe e lejojnë atë të punojë në ne vazhdimisht. Ato na mundësojnë ta soditim, t’i mbajmë sytë tek ai dhe ta përqafojmë a. Dhe ndërsa shohim lavdinë e tij, ne “shndërrohemi në të njëjtin shëmbëllim nga lavdia në lavdi” (2 e Korintasve 3:18).

Elementet na detyrojnë që edhe të ripërfytyrojmë kush jemi ne. Ato zbulojnë se ne jemi një popull i bashkuar me Krishtin. Përmes besimit, ne pagëzohemi në Të dhe si rrjedhojë kemi bashkësi me të. Ndërsa në këtë epokë, njerëz të panumërt janë krejtësisht të hutuar se kush janë, ku përkasin dhe çfarë qëllimi kanë, sakramentet na mësojnë se jemi krijuar dhe shpenguar për një bashkim dhe bashkësi me Perëndinë triun. Dhe përmes veprës së Krishtit, e cila na paraqitet aq bukur në pagëzim dhe te Darka e Zotit, ne pajtohemi me Atin dhe kjo ndodh përmes Frymës. Ai na vulos, ne jetojmë me të dhe për të.

Ndaj le të mos i nënçmojmë sakramentet. Ato janë shumë më të thella, nga sa mund të guxojmë ne të paramendojmë. Ato përforcojnë lajmin e mirë që Jezu Krishti paraqiti në fjalën e shkruar. Sakramentet na paraqesin Krishtin dhe na drejtojnë te Krishti, i cili na ka krijuar dhe na ka shpenguar. I marrshin kishat tona këto dhurata të ungjillit me besim dhe me mirënjohje, dhe u afrofshin prej tyre më pranë Zotit tonë të kryqëzuar dhe të ringjallur. E pafshim atë nëpërmjet këtyre fjalëve të dukshme e të prekshme të ungjillit – që ta shohim më qartë dhe ta përqafojmë më fort atë. E ndërkohë, e pafshim edhe ne vetë më qartë veten tonë dhe e kuptofshim me besim të përulur se kush jemi në të.


Shënime:
1. Robert Bruce, The Mystery of the Lord’s Supper: Sermons on the Sacrament Preached in the Kirk of Edinburgh in A.D. 1589 by Robert Bruce, përkth. dhe red. nga Thomas F. Torrance (London: James Clarke, 1958), 39.
2. I jam borxhli John C. Clark-ut për këtë shprehje. Shih dhe “Sacraments in Worship”, Ligonier, 15 shtator 2017, https://www.ligonier.org/.
3. John Calvin, Institutet e religjionit të krishterë, 4.14.3, 6. Shih edhe librin e Tim Chester, Truth We Can Touch: How Baptism and Communion Shape Our Lives (Wheaton, IL: Crossway, 2020), 39.
4. Sinclair B. Ferguson, The Whole Christ: Legalism, Antinomianism, and Gospel Assurance—Why the Marrow Controversy Still Matters (Wheaton, IL: Crossway, 2016), 223.
5. Rrëfimi belg, neni 33, në “Besoret e kishës së hershme dhe rrëfimet e reformuara të besimit”. I trajtuar dhe në botimet anglisht të Louis Berkhof-it, Systematic Theology, botimi i 4-t (Grand Rapids, MI: Eerdmans, 1941), 616; Bruce, Mystery of the Lord’s Supper, 39–40; W. H. Griffith Thomas, The Principles of Theology: An Introduction to the Thirty-Nine Articles (London: Longmans, Green, 1930), 343.
6. Krahaso Chester, Truth We Can Touch, 39–40.


Kevin Emmert është autori i librit “The Water and the Blood: How the Sacraments Shape Christian Identity”. Ai ka një doktoratë nga “London School of Theology”, është redaktor akademik librash pranë “Crossway”, si dhe është autor i librit John Calvin and the Righteousness of Works. Ai është i martuar me Ashley-n, dhe kanë tre djem: Jack, Charlie dhe Noah.

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-dont-undervalue-the-sacraments/
Përktheu: Sergej Meçe | Redaktuan: Linea Simeon/Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të kënduarit
10 vargje kyç mbi inkurajimin
>