lmgm dritez 2

Dhjetor 2021                                                                       


Çfarë dëshiron Jezusi këtë Krishtlindje? Përgjigjen e shohim në lutjet e Tij. Çfarë gjërash i kërkon Ai Perëndisë? Lutja e Tij më e gjatë është Gjoni 17 dhe kulmi i dëshirës së Tij është në vargun 24. 

Mes gjithë mëkatarëve të padenjë në botë, gjenden ata të cilët Perëndia “ia ka dhënë” Jezusit. Këta janë njerëzit që Perëndia i ka tërhequr te Biri (Gjoni 6:44, 65). Këta janë të krishterët–njerëzit që e kanë pranuar Jezusin si Zotin dhe Shpëtimtarin e kryqëzuar dhe të ringjallur, dhe si Thesarin e jetës së tyre (Gjoni 1:12; 3:17; 6:35; 10:11, 17-18; 20:28). Jezusi thotë se dëshiron që ata të jenë me Të.    

Nganjëherë dëgjojmë njerëzit të thonë se Perëndia e krijoi njeriun për shkak se ndihej vetëm. Prandaj thonë: “Perëndia na krijoi që të ishim me Të.” A bie dakord Jezusi me këtë gjë? Në fakt, Ai thotë se dëshiron që ne të jemi me Të! Pa dyshim që po, por pse? Konsidero pjesën tjetër të vargut. Pse Jezusi dëshiron të jemi me Të?

...që ta shohin lavdinë time që ti [Atë] më dhe, sepse ti më deshe para themelimit të botës.

Kjo do të ishte një mënyrë e çuditshme për ta shprehur vetminë e Tij: “Dëshiroj që ata të jenë me mua, që të shohin lavdinë time.” Në fakt, kjo nuk shpreh vetminë e Tij, por interesimin e Tij për përmbushjen e ëndjes sonë dhe jo të vetmisë së Tij.

Jezusi nuk është i vetmuar. Ai, Ati dhe Fryma e Shenjtë janë thellësisht të kënaqur në bashkësinë e Trinisë. Ne jemi ata që po vdesim urie për diçka, jo Ai. Dëshira e Jezusit për këtë Krishtlindje është që ne të përjetojmë atë për të cilën vërtet u krijuam–të shohim dhe të shijojmë lavdinë e Tij.

Perëndia e ngulittë thellë këtë të vërtetë në shpirtin tonë! Jezusi na bëri që të shohim lavdinë e Tij (Gjoni 1:3).

Pak para se të shkonte në kryq, Jezusi iu përgjërua Atit me dëshirat e Tij më të thella: “O Atë, unë dua [dëshiroj] që... të jenë me mua që ta shohin lavdinë time.”

Kjo është vetëm gjysma e asaj që Jezusi dëshiron në këto vargje të fundit kulmore të lutjes së Tij. Sapo thashë që në të vërtetë ne u krijuam që ta shihnim dhe ta shijonim lavdinë e Tij. A është kjo çka Ai dëshiron–që jo vetëm ta shohim lavdinë e Tij, por edhe ta shijojmë atë, ta vlerësojmë, të kënaqemi, ta çmojmë dhe ta duam? Mendo për vargun 26, vargun e fundit të lutjes:

“Dhe i bëra të njohin emrin tënd dhe do
të bëj ta njohin, që dashuria, me të cilën
ti më deshe mua, të jetë në ta dhe unë në ta.”

Ky është fundi i lutjes së Tij. Cili është synimi përfundimtar i Jezusit për ne? Pra, synimi nuk është thjesht të shohim lavdinë e Tij, por ta duam Jezusin me të njëjtën dashuri që Ati e ka dashur: “që dashuria, me të cilën ti [Atë] më deshe mua, të jetë në ta dhe unë në ta.”

Dëshira dhe synimi i Jezusit është që ne ta shohim lavdinë e Tij, dhe pastaj do të jemi në gjendje ta duam atë që shohim, me të njëjtën dashuri që Ati ka për Birin. Ai nuk po thotë që thjesht të imitojmë dashurinë e Atit për Birin, por që vetë dashuria e Atit të bëhet dashuria jonë për Birin–që ne ta duam Birin me dashurinë që Ati ka për Të. Fryma bëhet dashuri dhe vendos dashurinë në jetën tonë: Dashurinë që Ati ka për Birin përmes Frymës.

Ajo që Jezusi dëshiron më tepër për Krishtlindje është që të zgjedhurit e Tij të mblidhen dhe të marrin çfarë ata dëshirojnë më tepër–së pari ta shohin dhe pastaj ta shijojnë lavdinë e Tij, ashtu si Ati kënaqet me Birin.

Ajo që dëshiroj më tepër për Krishtlindje këtë vit, është të bashkohem me ju (dhe shumë të tjerë) për ta parë Krishtin në gjithë plotësinë e Tij dhe së bashku të jemi në gjendje ta duam atë çka shohim, me një dashuri shumë më të madhe se aftësitë tona njerëzore me gjysmë zemre. Ky është synimi ynë në këto meditime për Krishtlindje. Së bashku dëshirojmë të shohim dhe të shijojmë këtë Jezus, teksa festojmë adventin (ardhjen) e Tij të parë, ndërsa presim ardhjen e Tij të dytë.

Këtë lutje bën Jezusi për ne këtë Krishtlindje: “O Atë, u trego atyre lavdinë Time dhe u jep të njëjtën kënaqësi që Ti ke në Mua.” E pafshim Krishtin me sytë e Perëndisë dhe e shijofshim atë me zemrën e Perëndisë. Ky është thelbi i qiellit. Kjo është dhurata, të cilën Krishti erdhi ta blejë për mëkatarët me çmimin e vdekjes së Tij në vendin tonë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


Postime të ngjashme