jon flobrant c2pvo6doory unsplash

Prill 2020


“Shembulli nuk është gjëja kryesore në jetë – shembulli është gjëja e vetme.” Përmes kësaj fjale, autori dhe doktori misionar i famshëm Albert Schweitzer, e shpalli qartë rëndësinë dhe fuqinë e shembullit. Sa prej nesh që e lexojmë këtë gjë, jemi ndikuar prej jetës së fuqishme të ndonjë pastori, plaku kisha apo të krishteri tjetër të cilët i kemi parë hershëm në jetën tonë? Nëse përmend frazën “një pastor besnik,” imazhi i cilit personi ju vjen në mendje? Nëse them “një i krishterë besnik,” për cilin filloni të mendoni?

Sigurisht që deklarata e Schweitzer është paksa ekzagjerim. Një jetë besnike përfshin shumë gjëra të tjera, por të gjithë ato kombinohen në shembullin që paraqet dikush.

“Mentorimi” dhe “formimi” mund të tingëllojnë si koncepte të reja, por nuk janë të tilla. Duket që nga vetë mënyra sesi Perëndia na krijoi kjo ishte në mendjen e Tij. Ai i krijoi njerëzit në imazhin e Tij. Ne duhet të ndjekim shembullin e Tij, dhe të imitojmë karakterin e Tij. Në mishërimin e Krishtit, Perëndia erdhi në trup njerëzor në një mënyrë që mund ta kuptonim dhe të lidheshim me të, dhe sikurse tha edhe Pjetri, “duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij” (1 Pjetri 2:21).

Ne gjithashtu marrim pjesë në këtë shërbesë për të dhënë shembullin vijues. Perëndia i ka krijuar njerëzit të lindin dhe të maturohen në shoqërinë e njerëzve të tjerë në familje. Ne nuk vetë-lindim, dhe as nuk shfaqemi në moment si njerëz të pjekur. Perëndia planifikoi që prindërit e dashur të ishin pjesë e mënyrës sesi njerëzit rriten.

Kjo është gjithashtu mënyra sesi Perëndia ka synuar që ta bëjë Veten e Tij të njohur në këtë botë të rënë. Në Dhiatën e Vjetër Perëndia i thirri Abrahamin dhe pasardhësit e tij të ishin një popull i dallueshëm, i veçantë dhe i shenjtë në botë. Ata duhej të ishin të veçantë në mënyrë që bota të kishte një tablo për një shoqëri e cila pasqyronte karakterin e Perëndisë – që mishëronte interesat dhe vlerat e Tij. Kur Perëndia i tha popullit të Tij tek Levitiku 19 “Jini të shenjtë sepse unë Zoti Perëndia juaj jam i shenjtë,” nuk po i fliste thjesht një individi si Moisiut, Aaronit apo Jozueut. Sigurisht që po u fliste atyre, por te Levitiku 19:1 shohim që Perëndia e udhëzoi në mënyrë specifike Moisiun që t’ia thoshte këtë gjë tërë asamblesë së Izraelit. Ligjet që Ai u dha më pas kishin të bënin shumë me marrëdhëniet, paanësinë, drejtësinë, ndërveprimin shoqëror. Ai demonstron që ndërsa këta njerëz kujdesen për njëri-tjetrin – për të humburit dhe për më të vegjlit, për të huajin dhe të riun – ata do të tregonin diçka nga karakteri i Krijuesit të tyre të drejtë dhe të mëshirshëm.

Dështimi i Izraelit në këtë shërbesë modelimi ndaj të tjerëve është një prej akuzave kryesore që Perëndia kishte kundër kombit në Dhiatën e Vjetër. Prandaj tek Ezekieli 5, roli i Izraelit është ai i udhëzimit të kombeve përmes shembullit negativ. Zoti i thotë Izraelit, “Ky është Jerusalemi. Unë e kisha vendosur në mes të kombeve dhe të vendeve të tjera që kishte përreth… Përveç kësaj do të bëj që ti të bëhesh nje shkreti dhe një turp midis kombeve që të rrethojnë, para syve të të gjithë kalimtarëve. Dhe kjo do të jetë një turp, një objekt talljeje, një mësim dhe një objekt habie për kombet që të rrethojnë, kur do të zbatojë mbi ty gjykimet e mia me zemërim, me tërbim dhe me ndëshkime me indinjatë. Unë Zoti, kam folur.” (Ezekieli 5:5, 14-15). Herë pas here në librin e Ezekielit Perëndia thotë se Ai bën atë që i bën kombit të Izraelit për hir të emrit të Tij, domethënë, në mënyrë që e vërteta rreth Tij të mund të bëhet e njohur mes popujve të botës.

Kjo dëshmi e përbashkët për Perëndinë është gjithashtu ajo që Ai ka për qëllim edhe përmes kishës në Dhiatën e Re. Te Gjoni 13, Jezusi thotë që bota do ta mësojë që ne jemi dishepujt e Tij përmes dashurisë si ajo e Krishtit që ne kemi për njëri-tjetrin. Pali i shkroi kishës në Efes, “Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës” (Efesianëve 5:8).

Në jetën tonë si të krishterë, individualisht dhe me një efekt të shumëfishuar në jetën tonë së bashku si kishë, ne ndriçojmë dritën e Perëndisë në këtë botë të errët dhe plot dëshpërim. Përmes jetës tonë si të krishterë ne e mësojmë njëri-tjetrin, dhe botën që na rrethon për Perëndinë. Nëse e duam njëri-tjetrin, tregojmë disi se si është ta duash Perëndinë. Dhe nga ana tjetër, “sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh” (1 Gjoni 4:20). Përmes shenjtërisë tonë tregojmë shenjtërinë e Perëndisë. Ne jemi thirrur t’u japim njerëzve shpresë që ka një mënyrë tjetër të jetuari, ndryshe nga jeta e zhgënjimit egoist që natyra jonë mëkatare dhe bota përreth nesh komplotojnë dhe na inkurajojnë që ta ndjekim.

Bashkëpastorë dhe pleq, çfarë po i mësojnë kishat tona botës që na shikon rreth Perëndisë? A po u mësojmë atyre që Perëndia është i kufizuar në racën tonë? A po u mësojmë që Ai e toleron mëkatin dhe tradhtinë, jetët egoiste me grindje dhe gjëra pa vlerë? Me sa seriozitet i kemi udhëhequr njerëzit që ta marrin detyrën dhe privilegjin e madh që kemi për të qenë shembuj publikë, prezantime, reklama, apo faqe interneti të karakterit të Perëndisë për krijimin e Tij?

Çfarë privilegji të jashtëzakonshëm që na ka dhënë Ai, dhe sa pak duket që e vlerësojmë. Mendojmë që nëse sjellim më shumë njerëz në kishën tonë, kjo në një farë mënyre na liron nga përgjegjësia që kemi ndaj atyre që tashmë kanë marrë emrin anëtarë. Por, çfarë dëshmie po jep secili prej tyre tani? Sa prej dëshmive të tyre të dobëta ju duhet të mundoheni t’i mposhtni në mënyrë që njerëzit të shohin dëshminë e mirë që Perëndia po siguron përmes atyre që janë vërtet të konvertuar dhe po e shfaqin këtë gjë.

Në fund të fundit i gjithë qëllimi i ushtrimit të disiplinës së kishës nuk është përligjja apo hakmarrja. Ato gjëra i takojnë Perëndisë, jo mëkatarëve të falur si puna jonë (Ligji i Përtërirë 32:35, Romakëve 12:19)! Por ne jemi të shqetësuar që të paraqesim një dëshmi të mirë për Perëndinë tek të tjerët. Ne duhet të jemi shembullorë në jetën dhe sjelljen tonë. A e keni vënë re që në letrat e tij pastorale, Pali duket i shqetësuar në mënyrë të veçantë për reputacionin që ka një plak kishe mes atyre që janë jashtë kishës? Edhe pse mund të ketë disa arsye për këtë gjë, njëra sigurisht që duhet të jetë roli përfaqësues i plakut të kishës për kishën e tij përpara botës. Kështu, pra, duhet të jetë edhe kisha si një e tërë. Kjo është arsyeja pse Pali ishte aq i zemëruar tek 1 Korintasve 5. E keni vënë re saktësisht se për çfarë e ngre zërin Pali? Ai nuk qortoi burrin i cili ishte një një marrëdhënie të mëkatshme seksuale; përkundrazi, ai e qortoi ashpër kishën e cila e toleroi një mëkat të tillë mes anëtarëve të saj! Ne e dimë të vërtetën e trishtueshme që disa nga ata që janë mes nesh do ta tregojnë që janë të humbur në mëkat, edhe pse kanë bërë një rrëfim të mirë në fillim. Ne kemi besim që të paktën disa prej tyre do të jetojnë për t’u penduar dhe për t’u kthyer. Por nuk presim kurrë që e gjithë kisha të heqë dorë nga përgjegjësia e saj për ta prezantuar mirë Perëndinë duke qëndruar për shenjtërinë dhe kundër mëkatit. Kjo ishte çështja – shumë e ngjashme me mëkatin e Izraelit idhujtar në Dhiatën e Vjetër – tek e cila Pali fokusoi qortimin më të mprehtë të kishës Korintasve.

Miq, çfarë do të thoshte apostulli Pal për kishën tuaj dhe timen? Sa shumë mungesa në pjesëmarrje tolerojmë në emrin e dashurisë? Sa shumë marrëdhënie kurorëshkelëse apo divorce jobiblike lejojmë të ndodhin pa thënë asgjë në kishat tona, e megjithatë i çirremi botës duke thënë, “nuk jemi shumë ndryshe nga ju”? Sa shumë njerëz përçarës lejojmë që ta shqyejnë kishën për çështje të parëndësishme, apo sa shumë ungjij të rremë lejojmë që të jepen mësim?

Vëllezër të dashur, nëse ju që po e lexoni jeni pastor, plak kishe, udhëheqës, mësues apo bashkanëtar i një kishe, mendoni rreth përgjegjësisë sëmadhe që kemi. Mendoni sesi mund të japim më mirë dëshmi për Perëndinë – a ndodh kjo duke injoruar mëkatin mes nesh, apo duke u përpjekur që t’i ripërtërijmë me butësi ata që kanë rënë në mëkat, sikurse na udhëzon edhe Pali tek Galatasve 6:1? Çfarë e reflekton më mirë Perëndinë që adhurojmë? A ndodh ndonjëherë në fjalën e Tij që mëshira ta zbehë shenjtërinë e Tij? Po në kishën e Tij? Cila është përgjegjësia jonë në këtë gjë?

Kushtojini vëmendje faktit se çfarë shembulli po i jepni botës përreth jush. Perëndia ka një plan madhështor për popullin e Tij dhe botën e Tij; Ai na bën thirrje ta tregojmë këtë me fjalët dhe jetën tonë. A je duke e bërë këtë gjë? Na ndihmoftë Perëndia secilin prej nesh që të jemi besnikë në këtë thirrje të madhe.

Mark Dever është pastori kryesor në kishën baptiste “Capitol Hill” në Washington, D. C. dhe president i 9marks. E gjeni në Twitter në @MarkDever.


Kategoria: Udhëheqje
Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/power-example/
Përktheu: Asim Hamza | Redaktoi: Linea Simeon | Kryeredaktore: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

© dritez.al 2020

Etiketa9marks

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do