haley rivera hgdgqzjbvza unsplash

Korrik 2021


Kjo u drejtohet tipave të doktrinës, burrave me opinione kishtare, pastorëve dhe pleqve të kishave, të cilët mendojnë se Bibla flet për praktikat dhe strukturat e kishës.

Prit pak, jam duke folur për veten time dhe për të gjithë ne në organizatën “9Marks”, dhe ndoshta edhe për ju. E falënderoj Perëndinë për ju dhe ngazëllohem që e konsideroj veten bashkëpjesëtar me ju në veprën e mbretërisë së Krishtit.

Gjithsesi, ekziston një tundim që kam vënë re, prej të cilit ju dhe unë rrezikohemi: ne e duam vizionin tonë për atë që mund të jetë një kishë, më tepër nga sa duam njerëzit që e përbëjnë kishën. Mund të jemi si puna e atij djalit të pamartuar, të cilit i pëlqen ideja e një bashkëshorteje, por që martohet me një grua reale dhe e sheh që është më e vështirë ta dojë gruan sesa idenë e saj. Apo si puna e një nëne që i pëlqen shumë ideja e një vajze të përsosur më tepër se vetë vajza.

Ky është rreziku i nënkuptuar për të gjithë ne që kemi mësuar shumë nga librat e dhënë prej Perëndisë, nga konferencat dhe shërbesat rreth “kishave të shëndetshme’”. Ne fillojmë të duam idenë e një kishe të shëndetshme, më tepër se kishën në të cilën Perëndia na ka vendosur.

Më kujtohet që po dëgjoja një plak kishe të ankohej për një familje, të cilët i lejuan fëmijët e tyre të papagëzuar ta merrnin Darkën e Zotit, kur pjata me bukën pa maja kaloi në radhën e tyre. Ajo që më bëri përshtypje ishte toni i zërit të plakut të kishës. Ishte i zhgënjyer dhe paksa përbuzës, sikur të thoshte: “Si mundën ta bënin këtë gjë?! Janë të marrë!” Megjithatë, këta njerëz ishin dele të pamësuara. Sigurisht që nuk dinin më mirë. Perëndia u kishte dhënë këtë plak kishe, jo që të ankohej për ta, por që t’i donte për t’i çuar drejt një kuptimi më të mirë. Në atë moment, dukej sikur ky plak kishe donte më tepër vizionin e tij për një kishë biblike, më tepër nga sa donte ata individë.

Sa e lehtë është të reagosh si ky plak kishe.

ÇFARË NUK JAM DUKE THËNË

Nuk po them se duhet t’i duam njerëzit dhe të harrojmë gjithçka që ka të bëjë me shëndetin biblik, sikur këto dy gjëra të ishin të shkëputura nga njëra-tjetra. Jo, po ta bënim këtë, do të vendosnim dashurinë e Perëndisë kundër Fjalës së Perëndisë. Ta duash dikë do të thotë të dëshirosh të mirën e tij apo të saj, dhe Perëndia është i vetmi që e përkufizon “të mirën”. Ta duash kishën tënde do të thotë, pjesërisht, të duash që ajo të rritet në gjithçka që Perëndia e ka përkufizuar si të mirë. Do të thotë të duash që kisha jote të rritet në një drejtim biblik.

E thënë më thjesht, nëse i doni fëmijët tuaj, ju doni që ata të jenë të shëndetshëm.

Pra, çfarë dua të them kur flas se duhet ta doni kishën më tepër se shëndetin e saj?

KTHEHEMI TEK UNGJILLI

Kur Krishti vdiq për kishën, e bëri atë të vetën. Ai e identifikoi atë me veten e Tij. Ai vendosi emrin e Tij mbi të. Kjo është arsyeja pse përndjekja e kishës është përndjekje e Krishtit (Veprat 9:5) dhe pse të mëkatosh kundër një individi të krishterë, do të thotë të mëkatosh kundër Krishtit (1 e Korintasve 8:12, krahaso me 2:15). Individualisht dhe bashkërisht, ne përfaqësojmë Krishtin.

Mendoni se çfarë do të thotë kjo. Do të thotë se Krishti ka vendosur emrin e Tij mbi të krishterët e papjekur, mbi të krishterët që flasin shumë në takime, mbi të krishterët që gabimisht ua japin Darkën e Zotit fëmijëve të tyre të papagëzuar, mbi të krishterët të cilëve u pëlqejnë këngët e cekta të lavdërimit. Krishti e ka identifikuar veten me të krishterët, teologjia e të cilëve është e pazhvilluar dhe e papërsosur. Krishti e sjell bisedën te të krishterët, që gabimisht i kundërshtojnë strukturat biblike të udhëheqjes dhe praktikimin e disiplinës së kishës dhe thotë: “Ata më përfaqësojnë mua. Nëse mëkatoni kundër tyre, mëkatoni kundër meje!”

Sa e gjerë, e gjatë, e lartë dhe e thellë është dashuria e Krishtit! Ajo mbulon një shumicë mëkatesh dhe e përqafon mëkatarin. Në fakt, ajo nuk përqafon vetëm mëkatarin. Ajo e vendos gjithë peshën e vetë identitetit dhe lavdisë së Krishtit mbi mëkatarin—“emri im do të qëndrojë mbi ta dhe lavdia ime do të jetë e tyre.”

Gjithmonë duhet që t’i kthehemi ungjillit, apo jo?

MOS JEP NGA VETJA PASTOR, POR JEP VETEN 

Një teolog më ndihmoi të kuptoja një aspekt të rëndësishëm të dashurisë së ungjillit, duke bërë dallimin me dhënies nga vetja dhe dhënies së vetes. Kur ty të jap nga vetja diçka, në përgjithësi të jap diçka që zotëroj, si urtësia, gëzimi, të mirat materiale apo fuqia ime. Sigurisht që në të vërtetë nuk rrezikoj të humbas gjë, sepse fitoj lavdërime për një dhurim të tillë. Në të vërtetë, mund të jap gjithë sa kam, madje edhe trupin tim të digjet dhe të mos kem dashuri. Megjithatë, kur jap veten time, nuk jap thjesht diçka që kam, jap gjithë veten time. E identifikoj veten time me veten tënde. Filloj t’i kushtoj vëmendje vetë emrit dhe reputacionit tënd, për shkak se i shoh ato si të bashkuara me emrin dhe reputacionin tim. Çdo lloj lavdie që mund të kem, bëhet e jotja dhe gjithë lavdia që ti ke, është lavdia me të cilën kënaqem më së tepërmi. Ajo lavdi është edhe e imja!

Kjo është mënyra se si duhet ta duam njëri-tjetrin brenda kishës, për shkak se kështu na deshi Krishti ne. Jo vetëm përqafojmë njëri-tjetrin, por ne vendosim peshën e identitetit tonë mbi njëri-tjetrin. Ne ndajmë lavdinë dhe pikëllimet e njëri-tjetrit. “Dhe nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët vuajnë; kurse po të nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të” (1 e Korintasve 12:26). Ne e konsiderojmë njëri-tjetrin më të mirë se veten, në të njëjtën mënyrë sikurse ka bërë edhe Krishti me ne (Filipianëve 2:1-11). Në të vërtetë, ne kemi marrë mbi vete të njëjtin emër të familjes, prandaj tani jemi vëllezër dhe motra (Mateu 12:50; Efesianëve 2:19 etj.) Nëse ofendon vëllanë tim, më ke ofenduar mua. Nëse mashtron motrën time, më ke mashtruar mua. Asnjë gjë nuk është biznes në kishë. Gjithçka është personale, për shkak se ungjilli është personal. Ai vdiq për ty, i krishterë. Ai vdiq për mua, në mënyrë që ne ta përfaqësojmë dhe të dukemi si Ai. (Po, Ai mbetet fokusi final i dashurisë tonë për njëri-tjetrin, ashtu sikurse dashuria e Tij për ne u dha në mënyrë që ne të mund të duam Atin—fokusin final të dashurisë së Tij.) Nëse të gjithë të krishterët duhet të duan në këtë mënyrë, pa diskutim që këtë duhet ta bëjmë dhe ne pastorët dhe pleqtë e kishës.

Të thuash se duhet ta duam kishën më tepër se shëndetin e saj, do të thotë se duhet t’i duam njerëzit, për shkak se i përkasin ungjillit, jo për shkak se e kanë zbatuar ligjin e një kishe të shëndetshme, edhe pse ai ligj mund të jetë i mirë dhe biblik. Do të thotë se duhet t’i duam për shkak të asaj që Krishti ka bërë dhe ka deklaruar, jo për shkak të asaj që ata bëjnë.

Nëse i doni fëmijët tuaj, dëshironi që ata të jenë të shëndetshëm. Gjithsesi, nëse i doni fëmijët tuaj, i doni pavarësisht nëse janë të shëndetshëm ose jo.

Sigurisht që mund të ngazëlloheni kur një vëlla apo motër rritet në kuptimin teologjik. Ju ngazëlloheni në unitetin më të madh të kishës, në të cilin tani keni pjesë (shih 2 e Gjonit 1). Gjithsesi, dashuria juaj për ungjillin—dashuria juaj se “Krishti vdiq për ne ndërsa ishim ende mëkatarë”—duhet të arrijë edhe vëllanë, i cili është i papjekur nga ana teologjike, kishtare dhe madje morale, për shkak se një dashuri e tillë është e bazuar në përsosmërinë dhe të vërtetën e Krishtit, dhe jo mbi përsosmërinë dhe të vërtetën e vëllait.

Pastor, nëse kisha jote është e mbushur me besimtarë të dobët, ju ende duhet të identifikoheni me ta sikur ata të ishin të fortë. Ndoshta ndiheni më tepër “në një mendje” me besimtarin e pjekur (një frazë popullore mes të reformuarve), i cili ka të njëjtën teologji me ju. Në rregull, por nëse ai vëllai me të njëjtën mendje teologjike, të kërkon që të tregosh të njëjtën përbuzje që ai tregon për një vëlla më pak të pjekur apo më pak të themeluar nga ana teologjike, i thoni: “O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja. Megjithatë, duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri” (Luka 15:31, 32).

Ju që jeni pleq kishe, duajeni tufën tuaj si bij dhe bija. Bëhuni spektatorë në jetën e tyre dhe bëni tifozllëk në ditët kur ata bëjnë goditjet e lira dhe kur pengohen tek vrapojnë në fushë. Pranojini të qeshurat dhe frikërat e tyre, sikur t’ju përkisnin juve. Duroni marrëzinë e tyre. Mos u ndieni të kërcënuar kur ata të flasin me përbuzje për ju. Kthejeni mallkimin me bekim. Kujtoni që shkulja e mëkatit nga zemra është një proces i ngadaltë dhe se nuk mund ta ndihmojnë dot veten e tyre gjithmonë. Jini të duruar, si Ai që është treguar i duruar me ju.

Apo nëse përdorim një metaforë tjetër biblike, dashuria juaj për kishën duhet të jetë ajo lloj dashurie “në të mirë dhe në të keq, në pasuri dhe varfëri, në sëmundje dhe shëndet”, edhe nëse nuk është një lloj dashurie “derisa vdekja të na ndajë”. A nuk duhet të jetë kështu? A nuk duhet të përkushtoheni ndaj kishës suaj, sikurse përkushtoheni ndaj trupit tuaj, për shkak se kjo është mënyra se si Krishti na deshi ju dhe mua?

KJO ISHTE MËNYRA SE SI DESHI PALI

Kjo ishte mënyra se si Pali i deshi kishat. Ai dha veten, jo thjesht nga vetja. Ai u tha Filipianëve që ata ishin “gëzimi dhe kurora e tij” (Filipianëve 4:1). Ai u tha thesalonikasve të njëjtën gjë (1 e Thesalonikasve 2:19-20).

Pastor, ai i konsideron të krishterët kokëfortë dhe naivë nga ana teologjike në kishën tënde si gëzimin dhe kurorën tënde? A e identifikon veten tënde kaq shumë me ta? Pali u referohet kishave si “mburrja” e tij (2 e Korintasve 1:14, krahaso me 2 e Thesalonikasve 1:4). A i konsideron kështu?

Pali u tha korintasve se ata ishin “fëmijët” e tij dhe se ai ishte “ati i tyre përmes ungjillit” (1 e Korintasve 4:14, 15). Ai u ndje njësoj edhe për galatasit, Timoteun dhe Titin (Galatase 4:19; 1 e Timoteut 1:2; Titi 1:4).

Pleq të kishës, a e keni bashkuar emrin dhe reputacionin tuaj me kishën tuaj, ashtu si bën një atë me birin e tij?

Sa shpesh i dëgjojmë fjalët e dashurisë dhe dëshirës nga Pali! Ai e hap krejtësisht zemrën e tij dhe dëshiron që edhe kisha të bëjë të njëjtën gjë (2 e Korintasve 6:12-13). Ai dëshiron fort që t’i shohë dhe të jetë me ta (Romakëve 1:11; Filipianëve 4:1; 1 e Thesalonikasve 3:6; 2 e Timoteut 1:4). Ai thotë “si ju dua të gjithë me dashuri të zjarrtë në Jezu Krisht” (Filipianëve 1:8). Ai e di se shqetësimi i tij është për ngushëllimin dhe shpëtimin e kishave dhe ngushëllimi i tij është për ngushëllimin e tyre (2 e Korintasve 1:6). Pali nuk u dha kishave nga vetja, duke mbajtur pak për veten e tij, sikurse bënë Anania dhe Safira. Ai dha veten e tij!

Kështu, Pali nuk deshi vetëm të krishterët e pjekur. Lexoni letrat e tij dhe shumë shpejt do të kujtoni se sa të pashëndetshme ishin shumë prej këtyre kishave!

Fryma e Zotit e shtoftë dashurinë tonë që të mund të imitojmë Palin, ashtu si Pali imiton Krishtin!

Jonathan Leeman është redaktori i serisë së librave 9Marks si dhe i revistës 9Marks. Ai është gjithashtu autori i disa librave rreth kishës. Që nga momenti kur u thirr në shërbesë, Jonathan-i ka përfunduar një master nga “” dhe një doktoraturë mbi Eklesiologjinë nga Universiteti i Uellsit. Ai jeton me bashkëshorten e tij dhe me katër vajzat e tyre në Cheverly, Maryland, ku edhe shërben si plak kishe në kishën baptiste “Cheverly”.

Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/love-church-more-its-health/ 
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

Etiketa9marks

Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do