lmgm dritez 8

Dhjetor 2021                                                                       


Ndoshta mendon se, nëse Perëndia e sundon botën në atë mënyrë sa të përdorë numërimin e popullsisë të një perandorie për ta çuar Marinë dhe Jozefin në Betlehem, sigurisht që Ai mund t’u siguronte një dhomë në han.

Patjetër që mund ta bënte! Pa diskutim që Ai mund ta bënte! Jezusi mund të kishte lindur në një familje të pasur dhe mund t’i kishte kthyer gurët në bukë në shkretëtirë. Ai mund të kishte thirrur dhjetë mijë engjëj që t’i vinin në ndihmë në Gjetsemani. Jezusi mund të kishte zbritur nga kryqi dhe ta kishte shpëtuar veten, ndaj pyetja s’është çfarë mund të bëjë Perëndia, por çfarë vendosi të bënte.

Vullneti i Perëndisë ishte që, edhe pse Krishti ishte i pasur, për hirin tonë Ai u bë i varfër. Shenjat “S’kemi dhoma të lira!” te hyrjet e të gjitha haneve në Betlehem ishin për hirin tuaj. “Ai u bë i varfër për ju” (2 e Korintasve 8:9).

Perëndia sundon mbi të gjitha gjërat, edhe mbi kapacitetet e hoteleve dhe shtëpive me qira ditore, për hir të fëmijëve të Tij. Rruga e Kalvarit nis me shenjën “S’kemi dhoma të lira!” në Betlehem dhe përfundon me talljet dhe pështymat ndaj kryqit në Jerusalem.

Nuk duhet të harrojmë se Jezusi tha: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka 9:23).

Ne i bashkohemi Jezusit në rrugën e Kalvarit dhe e dëgjojmë tek na thotë: “Kujtoni fjalën që unë ju thashë: ‘Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti i tij’. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju” (Gjoni 15:20).

Atij që thërret me entuziazëm: “Zot, unë do të të ndjek kudo që të shkosh,” Jezusi i përgjigjet: “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut nuk ka ku të mbështesë kryet” (Luka 9:57-58).

Po, Perëndia mund të ishte kujdesur që Jezusi të kishte një dhomë për lindjen e Tij, por kjo do ta kishte anashkaluar Kalvarin.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


Postime të ngjashme