lmgm dritez 9

Dhjetor 2021                                                                       


Për kë ka paqe? Në lavdërimin e engjëjve ka një notë serioze. Paqe mbi dhe njerëzve, mbi të cilët qëndron pëlqimi Tij. Paqe mes njerëzve me të cilët Ai është i kënaqur. Ama pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Perëndisë (Hebrenjve 11:6). Ja pse Krishtlindja nuk u sjell paqe të gjithëve.

Jezusi tha: “Tani gjyqi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta” (Gjoni 3:19). Ose siç tha dhe Simeoni plak kur pa foshnjën Jezus: “Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë e të folurit kundër...që të zbulohen mendimet e shumë zemrave” (Luka 2:34-35). Oh, sa të shumtë janë ata që hedhin vështrimin jashtë në një ditë të zymtë dhe të ftohtë Krishtlindjeje dhe nuk dallojnë asgjë më tepër sesa thjesht një shenjë për t’u kundërshtuar. 

“Ai erdhi te të vetët dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:11-12). Vetëm dishepujve të Tij Jezusi u tha: “Paqen po ju lë, paqen time po jua jap: unë jua jap por jo siç jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27). 

Njerëzit që gëzojnë paqen e Perëndisë, e cila ia tejkalon çdo zgjuarsie, janë ata që në gjithçka me anë lutjesh dhe përgjërimesh ia bëjnë të njohura kërkesat e tyre Perëndisë (Filipianëve 4:6-7).

Çelësi që hap sëndukun e thesareve të paqes së Perëndisë, është besimi në premtimet e Tij. Prandaj Pali thotë: “Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqeje në besim, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!” (Romakëve 15:13). Kur ne i besojmë premtimet e Perëndisë dhe kemi gëzim, paqe dhe dashuri, atëherë Perëndia përlëvdohet.

Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi dhe, pëlqim ndër njerëzit! Për këdo—nga çdo popull, gjuhë, fis dhe komb—për këdo që do të besojë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021


Postime të ngjashme

>