what came before god 1920

Maj 2024 


Njerëzit mund të arsyetojnë se nëse çdo pasojë e ka një shkak, atëherë edhe Perëndia duhet të ketë një shkak. Kështu që mund të shtrojnë pyetjen: Çfarë kishte përpara Perëndisë? Mirëpo, Perëndia i amshuar nuk është një pasojë. Nuk ka pasur ndonjë kohë kur Ai nuk ekzistonte. Qenia e Perëndisë nuk mundësohet prej asnjë gjëje jashtë Vetvetes dhe Ai as nuk varet prej ndonjë gjëje jashtë Vetvetes. Nuk ka asnjë ndryshim më dramatik sesa ky mes krijesës dhe Perëndisë, sepse krijesa për vetë natyrën e saj është e varur, e kushtëzuar dhe e prejardhur, si dhe i mungon fuqia për të qenë në dhe prej vetvetes. Perëndisë nuk i nevojitet asgjë; Ai ekziston që nga përjetësia.

Qenia e Tij e përjetshme shtrihet edhe në një drejtimin tjetër. Nuk ka për të pasur ndonjë kohë në të ardhmen kur Perëndia do të pushojë së ekzistuari. Qenia e Tij mbetet vetëekzistuese për gjithë përjetësinë. Nëse diçka ekziston, atëherë ajo ka ekzistuar gjithmonë. Nëse ka pasur ndonjë çast kur nuk ka ekzistuar absolutisht asgjë, atëherë edhe tani nuk do të kishim asgjë, sepse nuk mund të përftohet diçka nga asgjëja. Në të kundërt, nëse ka diçka tani, atëherë kjo në vetvete, tregon se gjithmonë ka pasur diçka. Dhe ajo që është gjithmonë, ekziston në dhe prej vetvetes. Është Ai që e ka fuqinë e qenies brenda Vetes, Perëndia i gjallë. Pra, qenia e Tij e përjetshme është një atribut tjetër që duhet të nxisë shpirtrat tanë në adhurim dhe lavdërim, sepse jemi krijuar prej Atij që e ka përjetësisht brenda Vetes fuqinë e qenies. Pa përfytyrojeni pak madhështinë e një qenieje të tillë!

Qenia e Tij e përjetshme, mbase më tepër sesa gjithçka tjetër, e veçon Perëndinë prej nesh. Shenjtëria e Tij nuk ka të bëjë vetëm me dëlirësinë e Tij, por edhe me tjetërsinë apo me përtejbotësinë e Tij, pra, me atë dimension në të cilin Ai është i ndryshëm nga ne. Një gjë që e kemi të përbashkët ne si qenie njerëzore është se jemi krijesa, të cilat për nga natyra jemi të përkohshme. Në fund të jetës së njeriut, kur këtë e varrosin, varrin ia shënon një gur ku gdhendet emri, mbiemri dhe datat e lindjes e të vdekjes. Jeta jonë në tokë zhvillohet mes këtyre dy datave, pra, të lindjes dhe të vdekjes. Për Perëndinë, nuk ekziston asnjë datë e tillë. Ai është i pafundmë, jo vetëm nga pikëpamja hapësinore, por edhe nga ajo kohore. Nuk ka pasur asnjë kohë kur Perëndia të mos ishte. Ai është nga përjetësia në përjetësi. Qenia e përjetshme e Perëndisë është pandashmërisht e lidhur me vetëekzistencën e Tij, me vetëqenësinë e Tij. E megjithatë fjala ‘vetëqenësi’ pothuajse mungon nga fjalori i të krishterit të zakonshëm. Vetëqenësi do të thotë “të kesh qenie ose ekzistencë brenda vetes”.

Matematikani dhe filozofi Bertrand Russell, në veprën e vet Why I Am Not a Christian, parashtroi arsyet për mosbesimin e tij. Deri në adoleshencën e vet, Russell-i kishte qenë i bindur se duhet të ekzistonte një Perëndi për të shpjeguar gjithësinë. Në atë kohë, ai lexoi John Stuart Mill-in, i cili e vuri në dyshim argumentin kozmologjik tradicional rreth ekzistencës së Perëndisë, argument i cili duke u nisur nga prania e gjërave që tashmë ekzistojnë, arsyeton për t’u kthyer në shkakun e parë. Arsyetimi bazohet në ligjin e shkakësisë, sipas të cilit çdo pasojë duhet të ketë një shkak paraprijës. Mill-i pretendonte se nëse gjithçka duhet të ketë një shkak paraprijës, atëherë edhe Perëndia Vetë duhet të ketë një të tillë gjithashtu. Mirëpo, nëse Perëndia ka një shkak paraprijës, atëherë edhe Ai është krijesë si gjithë të tjerat. Kur e lexoi këtë në adoleshencën e vonë, Russell-i vendosi se argumenti klasik rreth ekzistencës së Perëndisë ishte i gabuar. Russell-i e mbajti qëndrimin e vet deri në vdekje, duke mos arritur ta kuptonte se ky i fundit bazohej në një përkufizim të gabuar të ligjit të shkakësisë.

Ligji i shkakësisë mëson se çdo pasojë duhet të ketë një shkak, por jo se gjithçka duhet të ketë një shkak. Sipas përkufizimit, pasojat shkaktohen nga diçka që gjendet jashtë tyre. Megjithatë nuk duhet të supozojmë se gjithçka është një pasojë: e përkohshme, e fundme, e varur dhe e prejardhur. Koncepti i një qenieje vetëekzistuese e të përjetshme që e ka fuqinë e qenies brenda vetes nuk është aspak irracional. Faktikisht, ky koncept jo vetëm që është logjikisht i mundshëm, por (siç demonstroi Thomas Aquinas-i) është edhe logjikisht i nevojshëm. Që të ekzistojnë gjërat, duhet që diçka, diku, për njëfarë arsyeje, të ketë fuqinë e qenies, sepse pa fuqinë e qenies nuk mund të ekzistojë asgjë. Ajo gjë, e cila e ka fuqinë e qenies në dhe prej vetvetes, si dhe që nuk varet prej asnjë gjëje tjetër jashtë vetes, duhet ta ketë fuqinë e qenies që nga gjithë përjetësia. Ky është pikërisht ai tipar që e dallon Perëndinë nga ne të gjithë. Le të kujtojmë fjalinë e parë të Dhiatës së Vjetër: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën” (Zanafilla 1:1). Gjithçka në kozmos, përveç Perëndisë, është një krijesë. Gjithçka në krijim, pra, në gjithësi, e ka një fillim në kohë. Vetëm Perëndia është nga përjetësia në përjetësi dhe zotëron atributin e qenies së përjetshme. Ky aspekt madhështor i natyrës së Perëndisë i kapërcen kaq madhërisht të gjitha gjërat që mund të përfytyrojmë ndonjëherë lidhur me këtë botë, sa që vetëm ai mjafton që t’i nxisë shpirtrat tanë që ta lavdërojnë dhe adhurojnë Atë. Vetëm Ai e ka fuqinë e qenies në dhe prej Vetvetes. Ne nuk mendojmë rreth këtyre gjërave aq shpesh sa duhet. Në qoftë se meditojmë rreth një qenieje që është e përjetshme, që prodhon fuqi për gjithçka tjetër që ekziston, duke përfshirë edhe ne vetë, atëherë duhet të nxitemi që ta adhurojmë Atë.

Ky fragment është marrë me përshtatje nga libri “Truths We Confess” nga R.C. Sproul-i. Te ky libër, i cili tashmë është rishikuar plotësisht dhe gjendet në një vëllim të vetëm e lehtësisht të përdorshëm, Dr. Sproul-i i njeh lexuesit me Rrëfimin e rëndësishëm të Westminster-it, duke ndarë me ta mprehtësi të shumta rreth tij dhe se si t’i zbatojmë ato në jetën bashkëkohore.


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/what-came-god
Autori: R.C. Sproul  
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë është shlyerja e kufizuar?
Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin