chris charles jqi1tnk6oeu unsplash

Qershor 2021


Nga Guy Prentiss Waters

Fjalët drejtësim dhe shenjtërim e kanë humbur përdorimin e tyre në kulturën perëndimore. Fatkeqësisht, po e humbasin edhe në kishat e krishtera. Një nga arsyet që e bën këtë humbje shqetësuese është fakti se Bibla i përdor fjalët drejtësim dhe shenjtërim për të treguar veprën shpëtuese të Krishtit ndaj mëkatarëve. Për ta thënë ndryshe, të dy këto terma janë në qendër të ungjillit. Atëherë, çfarë na mëson Bibla për drejtësimin dhe shenjtërimin? Si ndryshojnë nga njëri-tjetri? Si na ndihmojnë ato të kuptojmë më mirë marrëdhënien e besimtarit me Jezu Krishtin?

Drejtësimi është i thjeshtë si Abc-ja. Drejtësimi është një vepër e Perëndisë. Ai nuk përshkruan mënyrën se si Perëndia ripërtërin dhe ndryshon një person. Në fakt është një deklaratë ligjore përmes së cilës Perëndia shfajëson mëkatarin nga të gjitha mëkatet e tij dhe e pranon dhe e konsideron mëkatarin si të drejtë para Tij. Perëndia e quan të drejtë mëkatarin në momentin që ai e vendos besimin e tij në Jezu Krishtin (Romakëve 3:21-26, 5:16; 2 e Korintasve 5:21). 

Cila është baza e këtij verdikti ligjor? Perëndia e drejtëson mëkatarin vetëm në bazë të bindjes dhe vdekjes së Birit të Tij, përfaqësuesit tonë, Jezu Krishtit. Bindja e përsosur e Jezusit dhe shlyerja e plotë e mëkatit prej Tij janë e vetmja bazë mbi të cilën Perëndia e quan të drejtë mëkatarin (Romakëve 5:18-19; Galatasve 3:13; Efesianëve 1:7; Filipianëve 2:8). Ne nuk drejtësohemi përmes veprave tona; drejtësohemi vetëm për shkak të veprës së Krishtit në vendin tonë. Ky drejtësim i kalon mëkatarit. E thënë ndryshe, me drejtësimin Perëndia vendos drejtësinë e Birit të Tij në llogarinë e mëkatarit. Ashtu si mëkatet e mia u transferuan, ose ndryshe u vendosën te Krishti në kryq, po ashtu drejtësia e Tij llogaritet e imja (2 e Korintasve 5:21). 

Si drejtësohet mëkatari? Mëkatarët drejtësohen përmes besimit, kur rrëfejnë besimin e tyre në Krishtin. Ne nuk jemi drejtësuar për shkak të asnjë të mire që kemi bërë, që po bëjmë apo që do të bëjmë. Besimi është i vetmi mjet për drejtësim. Besimi nuk i shton asgjë asaj që Krishti ka bërë për ne në drejtësim. Besimi është mënyra e pranimit të drejtësisë së Jezu Krishtit që ofrohet përmes ungjillit (Romakëve 4:4-5).

Së fundi, besimi shpëtues duhet ta shfaqë veten si vepra e pastër e Perëndisë, duke prodhuar vepra të mira. Është e mundur të shpallësh besimin shpëtues, por të mos e kesh besimin shpëtues (Jakobi 2:14-25). Ajo që e dallon besimin e vërteta nga një deklaratë e thjeshtë besimi është prania e veprave të mira (Galatasve 5:6). Në asnjë mënyrë nuk jemi drejtësuar për shkak të veprave tona të mira. Por askush nuk mund ta konsiderojë veten të drejtësuar, nëse në jetën e tij nuk sheh frytet dhe provat e një besimi drejtësues; që janë, veprat e mira.

Të dy, edhe drejtësimi edhe shenjtërimi janë favoret e ungjillit; ato gjithmonë shoqërojnë njëri-tjetrin; dhe merren me mëkatin e mëkatarit. Por ndryshojnë nga njëri-tjetri në disa aspekte të rëndësishme. Së pari, drejtësimi merret me fajin e mëkatit tonë, ndërsa shenjtërimi merret me sundimin dhe korruptimin e mëkatit në jetën tonë. Drejtësimi është deklarata e pafajësisë së mëkatarit nga Perëndia; shenjtërimi është ripërtërirja dhe transformimi që i bëhet një personi nga ana e Perëndisë—mendjet, vullnetin, sjelljet dhe dëshirat tona. Të bashkuar me Jezu Krishtin në vdekjen dhe ringjalljen e Tij, me Frymën e Krishtit që banon në ne, jemi të vdekur për mbretërinë e mëkatit dhe të gjallë për drejtësi (Romakëve 6:1-23; 8:1-11). Për këtë arsye jemi të detyruar të vdesim për mëkatin dhe të paraqitemi “si mjete drejtësi për Perëndinë” (6:13; shih 8:13).

Së dyti, drejtësimi ynë është një vepër e plotë dhe e përfunduar. Drejtësim do të thotë se çdo besimtar është plotësisht dhe përfundimisht i çliruar nga dënimi dhe zemërimi i Perëndisë (Romakëve 33-34; Kolosianëve 2:13b-14). Shenjtërimi, nga ana tjetër, është një vepër e vazhdueshme dhe gjithnjë e në rritje në jetët tona. Edhe pse çdo besimtar është çliruar njëherë e përgjithmonë nga prangat e mëkatit, ne nuk përsosemi menjëherë. Nuk do të jemi plotësisht të lirë nga mëkati, derisa të marrim trupat e ringjallur në ditën e fundit.

Krishti ka fituar edhe drejtësimin, edhe shenjtërimin për popullin e Tij. Të dyja këto favore janë çështja e besimit në Jezu Krishtin, por në mënyra të ndryshme. Në drejtësim, besimi ynë rezulton në falje, pranim dhe llogaritje për drejtësi përpara syve të Perëndisë. Në shenjtërim, i njëjti besim në mënyrë aktive dhe të zellshme merret me të gjitha urdhërimet, që Krishti i ka dhënë besimtarit. Nuk duhet të guxojmë të ndajmë ose të shkrijmë drejtësimin me shenjtërimin. Ne i dallojmë nga njëri-tjetri. Dhe, në të dyja këto favore, ne hyjmë në pasuritë dhe gëzimin e bashkësisë me Krishtin përmes besimit në Të.


Dr. Guy Prentiss Water është James M. Baird Jr. Profesor i Besëlidhjes së Re në Seminarin e Reformuar Teologjik në Jackson, Misisipi, dhe është pjesë e pleqësisë së mësuesve në kishën Presbiteriane në Amerikë. Ai është autor i How Jesus Runs the Church dhe The Life and Theology of Paul. 

Botuar me leje: https://tabletalkmagazine.com/article/2015/01/what-are-justification-and-sanctification/  
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2021

EtiketaTable Talk

Postime të ngjashme

Qiejt e rinj dhe toka e re
T’ia predikosh ungjillin vetes
Cila është përgjigjja jonë?
Çfarë është besimi?