Kenaqesia

Qershor 2021                                    Nga: Crossway


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Cilado qoftë pjesa ime

Të qenët i kënaqur nuk duhet të ndikohet nga rrethanat, por çdo besimtar duhet të jetë i rrënjosur në lajmin e mirëtë Krishtit dhe atë që Ai ka bërë për mëkatarët. Inkurajohu nga Fjala e Perëndisë me këto vargje dhe komente të përshtatura nga Bibla e Studimit ESV.

1 e Timoteut 6:6–10

Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq. Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim. Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje.

Një perspektivë e përjetshme (1 e Timoteut 6:7) i ndihmon besimtarët të shmangin joshjen e lakmisë, duke qenë të kënaqur me atë që Perëndia u ka dhënë, edhe nëse janë vetëm ushqim dhe rroba.

Ajo që dënohet këtu është dëshira për t’u pasuruar, jo thjesht të mirat materiale, kur përdoren si duhet për lavdinë e Perëndisë. Dëshira për t’u pasuruar çon në rënien në tundim. Kjo pastaj çon në dashuri për paranë, të cilën Pali e identifikon si rrënjën e gjithë të këqijave (1 e Timoteut 6:10). Lidhja midis mësimeve të rreme dhe dëshirës për të qenë i pasur ka qenë një problem që nga fillimi i kishës. Paralajmërimi nuk thotë që vetëm “dashuria për paranë” është e dëmshme, por se kjo i çuar disa deri në mohim besimi, duke e treguar veten si jobesimtarë (1 e Timoteut 1:19).

Hebrenjve 13:5

Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.”

Kundërhelmi për dashurinë ndaj parasë është të qenët i kënaqur, gjë e cila vjen nga të besuarit në premtimin e sigurimit të Perëndisë (shih Ligji i Përtërirë 31:6, 8; gjithashtu Jozueu 1:5). Citimi nga Psalmi 118:6 aplikohet në idenë që duhet t`i besojmë Perëndisë më tepër sesa për nevojat financiare (sidomos kur jemi përballë përndjekjeve, Hebrenjve 13:3).

2 e Korintasve 12:9–10

Por ai më tha: ''Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.'' Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.

Pali thotë se hiri i Perëndisë “të mjafton” (në kohën e tashme), duke theksuar gatishmërinë dhe mjaftueshmërinë e përhershme të hirit të Perëndisë, për Palin dhe për çdo besimtar, pavarësisht sa kritike mund të jenë rrethanat e dikujt (krahaso me Romakëve 8:31–39). Palit nuk i lejohej të fliste për zbulesat e tij qiellore (2 e Korintasve 12:4, 6) por ai citon deklaratën e Krishtit (“Hiri im të mjafton”) për të vënë në dukje se dobësitë e tij njerëzore (jo zbulesat e tij) do të ishin platforma e përsosjes dhe shfaqjes së fuqisë së Zotit. Kjo është pika kryesore te 2 e Korintasve 12:1–13 dhe themeli i vetëmbrojtjes së Palit gjatë letrës së dytë të Korintasve.

Habakuku 3:17–19

Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë
dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë,
ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes
dhe arat nuk do të japin më ushqim,
ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat
dhe nuk do të ketë më qe në stalla,
unë do të ngazëllohem tek Zoti
dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim.
Zoti, Zoti, është forca ime;
ai do t'i bëjë këmbët e mia si ato të drurëve
dhe do të më bëjë të ec mbi lartësitë e mia."

Në pritje të shkatërrimit të madh në duart e babilonasve, Habakuku ka ndryshuar rrënjësisht–ai fillonduke e informuar Perëndinë si të drejtobotën dhe përfundon duke besuar se Perëndia di çfarë është më e mira dhe se Ai do të sjellë drejtësinë. Vargu 17 përmban një listë të shkatërrimeve materiale, që citohen shpesh, në të cilat të gjithë të korrat dhe bagëtitë kanë humbur, dhe për shkak të kësaj nuk dihet si do të gjejnë ushqim për të ngrënë. Megjithatë, edhe midis vuajtjes dhe humbjes, Habakuku ka mësuar se mund t’i besojë Perëndisë, dhe me këtë besim vjen gëzim i madh, jo gëzim për rrethanat por në vetë Perëndinë: unë do të ngazëllohem te Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim. Perëndia ishte bërë forca e Habakukut (shih Psalmin 18:32, 39).

Habakuku mund të kishte siguri të plotë në Perëndinë dhe mund të jetonte në sigurinë e të Lartit edhe në situatat më ekstreme (shih Malakia 4:2). Me shumë mundësi ai ishte drejtuesi i muzikantëve të tempullit (shih Psalmet 4; 5; 6; 8; 9; 11; etj.). Instrumentet me tela janë harpat, lirat, etj. (shih Psalmin 33:2; 92:3; 144:9). Ky koment liturgjik (mënyra e adhurimit) lë të kuptohet se Habakuku donte që kjo të ishte një “lutje” (Habakuku 3:1) që besnikët do ta këndonin bashkë.

Filipianëve 4:11–12

Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam. Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë.

Pali është mirënjohës për mbështetjen e filipianëve, por ai do që ata tadinë se edhe në rrethanat e vështira ai ka mësuar… të jetë i kënaqur. Sekreti i të jetuarit midis vështirësive është i thjeshtë: t’i besosh Perëndisë aq sa të mund të thuash: unë mund të bëj gjithçka me anë të atij që më forcon. Kjo nuk do të thotë se Perëndia do të bekojë gjithçka ne bëjmë; vargu duhet lexuar brenda kontekstit të letrës, me theksin te bindja ndaj Perëndisë dhe shërbesës ndaj Tij dhe të tjerëve.

Psalmi 37:3–4

Ki besim te Zoti dhe bëj të mira;
bano vendin dhe shto besnikërinë.
Gjej kënaqësinë tënde në Zotin
dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Disa e kuptojnë fjalën “dëshirat” si ndjenjëne të dëshiruarit, pra: “Perëndia do të modelojë zemrën tënde që të dëshirojë gjërat e duhura”; por kuptimi në të vërtetë është: “ai do të të japëatë që zemra jote dëshiron.” Këtë mund t’ia themi me siguri të plotë atyre që përqafojnë këshillën e këtij psalmi, sepse ndërsa ata gjejnë kënaqësinë te Zoti, zemrat e tyre do të dëshirojnë gjërat e duhura (Psalmi 37:16, 31).

Nehemia 8:10

Pastaj Nehemia u tha atyre: "Shkoni, hani, ushqime shumë të shijshme dhe pini verëra të ëmbla, dhe u çoni racione atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, sepse kjo ditë i është shenjtëruar Zotit tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj."

Ndërsa populli gëzohej në Perëndinë dhe kënaqej në praninë e Tij, Ai do të shfaqej me forcën e Tij për t’i ndihmuar dhe mbrojtur. “Gëzimi” ishte kryesori, sepse Perëndia e kishte shpëtuar Izraelin, edhe në të shkuarën e hershme edhe në atë të afërt, dhe kjo histori shpëtimi do të tregohej sërish në leximin e Librit të Ligjit.

Kolosianëve 1:24

Dhe tani gëzohem për vuajtjet e mia, të cilat po i heq për shkakun tuaj dhe po e plotësoj në mishin tim atë që u mungon mundimeve të Krishtit për trupin e vet, që është kisha.

Po e plotësoj (greqisht antanapleroo) atë që u mungon (greqisht hysterema) mundimeve të Krishtit nuk nënkupton se diçka mungon në vdekjen shlyese të Krishtit dhe në vuajtjet e Tij në kryq, sepse kjo do të binte në kundërshtim me mësimin qendror të kësaj letre dhe gjithë pjesës tjetër të Shkrimit gjithashtu (krahaso me Hebrenjve 9:12, 24–26; 10:14). Vuajtjet e Krishtit janë, në fakt, të mjaftueshme dhe asgjë nuk mund të shtohet nga vetë njeriu për të siguruar shpëtim. Ajo që “mungon” në mundimet e Krishtit ishin vuajtjet e gjithë atyre që (si Pali) do të përjetonin mundime të mëdha për hir të ungjillit, ashtu siç e përshkroi edhe Pali, p.sh., te 2 e Korintasve 1:8–10. (Krahaso Filipianëve 2:30, ku Pali u thotë filipianëve se Epafroditi rrezikoi jetën e tij për “të plotësuar [greqisht anapleroo] atë që mungonte [greqisht hysterema] në shërbesën tuaj ndaj meje.”)

Mateu 5:6

Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.

Ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi e kuptojnë se Perëndia është burimi i vetëm i drejtësisë së vërtetë, prandaj, ata kërkojnë karakterin e Tij të drejtë që të jetë i dukshëm në jetët e njerëzve në tokë. Ata do të jenë të kënaqur duke iu përgjigjur ftesës së Tij për të qenë në një marrëdhënie me Të.

Gjoni 4:13–15

Jezusi u përgjigj dhe i tha: ''Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje, por kush pi nga uji që do t'i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t'i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.'' Gruaja i tha: ''Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!''

Uji që unë do t’i jap është “uji i gjallë” te Gjoni 3:10, që te Gjoni 7:37 identifikohet si Fryma e Shenjtë që jeton brenda besimtarit. Nuk do të ketë më kurrë etje përjetë. Nevoja më e thellë shpirtërore e një personi për të njohur personalisht Perëndinë do të përmbushet përjetësisht. Kjo frazë:do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme, na kujton Isaian 12:3 (shih gjithashtu Isaia 44:3; 55:1–3).

Gruaja i merr në kuptimin e parë fjalët e Jezusit dhe e keqkupton, po ashtu si Nikodemi(shih Gjoni 3:4). Tek Ungjilli i Gjonit, Jezusi flet shpesh duke përdorur termat e dukshëm nga bota fizike (lindja, uji, trupi i Tij, drita) për të mësuar rreth botës së padukshme shpirtërore.


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-contentment/

Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Vilma Dina

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni "botuar me leje nga dritez.al" dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi të qenët të lumtur
10 vargje kyç mbi engjëjt
10 vargje kyç mbi lakminë
>