ligonier 1

Janar 2024 


Kur flasim për aspektin zëvendësues të shlyerjes, shpesh ndeshen dy terma teknikë: fajheqja dhe paqësimi. Të dyja këto fjalë nxisin lloj-lloj debatesh rreth termit që duhet përdorur për të përkthyer fjalën greke që qëndron pas tyre. Disa versione të Biblës në anglisht përdorin njërën fjalë, ndërsa disa të tjera përdorin tjetrën. Shpesh qëllon që më kërkojnë të shpjegoj dallimin mes paqësimit dhe fajheqjes. Vështirësia lidhet me faktin se megjithëse këto fjalë gjenden në Bibël, ne nuk i përdorim në të folurën e përditshme, kështu që nuk jemi njëqind për qind të sigurt se çfarë kuptimi kanë ato në Bibël. Na mungojnë në fakt pikat e referencës në lidhje me këto fjalë.

Fajheqja dhe paqësimi

Le të mendojmë pak për sa i përket kuptimit të këtyre fjalëve, duke filluar me fjalën fajheqje (expiation). Parashtesa ex do të thotë “jashtë” ose “nga”, kështu që fajheqja (expiation) ka të bëjë me heqjen apo largimin e diçkaje. Në kontekstin biblik ka të bëjë me heqjen e fajit përmes pagimit të një gjobe apo ofrimit të një shlyerjeje. Në dallim nga e para, fjala paqësim (propitiation) ka të bëjë me objektin e fajheqjes. Parashtesa pro, do të thotë “për”. Pra, paqësimi sjell një ndryshim në qëndrimin e Perëndisë, duke kaluar nga armiqësia ndaj nesh në të qenët për ne. Përmes procesit të paqësimit rivendoset përbashkësia me Perëndinë dhe ne bëhemi të pëlqyeshëm për Të.

Në njëfarë mënyre, paqësimi ka të bëjë me qetësimin e Perëndisë. Ne e dimë se si funksionon fjala qetësim në konfliktet ushtarake dhe politike. Na vjen ndër mend e ashtuquajtura politikë e qetësimit, filozofia sipas së cilës nëse përballesh me një pushtues bote të potershëm, që vetëm merr kot dhe kërcënon se do të shpërthejë lufta, në vend që të rrezikosh të biesh pre e fushatës së tij të tmerrshme, është më mirë që t’i japësh rajonin e Sudeteve, që më parë i përkiste Çekosllovakisë apo ndonjë copë tjetër territori. Pra, ti përpiqesh që ta qetësosh zemërimin e tij duke i dhënë diçka që ta kënaqë, me qëllim që të mos vijë në vendin tënd e të të bëjë pluhur. Ky është një shembull i paperëndishëm i qetësimit. Mirëpo, në qoftë se je zemëruar ose të kanë nëpërkëmbur dhe unë e shpaguaj zemërimin tënd apo të qetësoj, atëherë e rifitoj favorin tënd dhe problemi hiqet nga mesi ynë.

Arritja më sublime e Krishtit në kryq është se e fashiti zemërimin e Perëndisë, i cili do të vazhdonte të digjej kundër nesh po të mos mbuloheshim nga flijimi i Krishtit.

E njëjta fjalë greke përkthehet një herë si fajheqje dhe një herë tjetër si paqësim. Mirëpo, ekziston një ndryshim i vogël mes këtyre dy termave. Fajheqja është veprimi që sjell ndryshimin e qëndrimit të Perëndisë ndaj nesh. Është ajo që Krishti bëri në kryq dhe rezultati i veprës fajheqëse të Krishtit është paqësimi, pra, largimi i zemërimit të Perëndisë. Është i njëjti ndryshim mes çmimit të shpengimit që paguhet dhe qëndrimit të atij që e përfiton këtë çmim shpengimi.

Vepra e Krishtit si një vepër fashitëse

Të dyja së bashku, fajheqja dhe paqësimi, janë një vepër fashitëse. Krishti e kreu veprën e Vet në kryq për të fashitur zemërimin e Perëndisë. Megjithatë, koncepti i fashitjes së zemërimit të Perëndisë nuk ia ka dalë të fashisë zemërimin e teologëve modernë. Në fakt, ata zemërohen shumë, sapo e dëgjojnë konceptin e fashitjes së zemërimit të Perëndisë. Këta teologë modernë mendojnë se e cenojmë dinjitetin e Perëndisë kur zemërimi i Tij duhet fashitur, pra, që duhet të bëjmë diçka për ta paqësuar apo për ta qetësuar Atë. Duhet të bëjmë shumë kujdes se si e kuptojmë zemërimin e Perëndisë, por më lini t’ju kujtoj se koncepti i fashitjes së zemërimit të Perëndisë nuk ka të bëjë me një çështje të largët apo të parëndësishme teologjike, por me vetë thelbin e shpëtimit.

Çfarë është shpëtimi?

Më lini t’ju bëj një pyetje shumë të thjeshtë: çfarë do të thotë termi ‘shpëtim’? Nëse përpiqeni t’i jepni një përgjigje të thjeshtë kësaj pyetjeje, do t’ju zërë koka, sepse fjala shpëtim përdoret në shtatëdhjetë mënyra të ndryshme në Bibël. Në qoftë se dikë e shpëtojnë nga humbja e sigurt në betejë, ai përjeton shpëtimin. Në qoftë se dikush i mbijeton një sëmundjeje vdekjeprurëse, edhe ai përjeton shpëtimin. Në qoftë se bimët e dikujt ngjallen e lulëzojnë pasi ishin duke u vyshkur, edhe ato kanë shpëtuar. Kjo është gjuha biblike dhe nuk ndryshon edhe aq nga e jona. Ne kursejmë para [shën. i përkth.: përkthimi i fjalëpërfjalshëm nga anglishtja është: ne shpëtojmë para]. Boksierin e shpëton zilja që shënon fundin e raundit, pra, ai shpëtohet vetëm nga humbja e ndeshjes me nokaut dhe nuk është se po zhvendoset në mbretërinë e përjetshme të Perëndisë. Me pak fjalë, çdo përvojë çlirimi nga një rrezik i qartë e i pranishëm, mund të përshkruhet si një formë shpëtimi.

Kur flasim biblikisht rreth shpëtimit, duhet të bëjmë kujdes që ta shprehim qartë se nga çfarë gjëje jemi shpëtuar. Pikërisht këtë bën apostulli Pal për ne te 1 e Thesalonikasve 1:10, kur thotë se Jezusi “na çliron nga zemërimi që po vjen”. Në fund të fundit, Jezusi vdiq për të na shpëtuar nga zemërimi i Perëndisë. Kurrë nuk do t’i kuptojmë mësimet dhe predikimet e Jezusit të Nazaretit pa e kuptuar këtë fakt, sepse Ai i paralajmëronte njerëzit vazhdimisht se një ditë, mbarë bota do të binte nën gjykimin hyjnor. Ja ku i kemi disa prej paralajmërimeve të tij rreth gjykimit: “Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të vet, do të jetë fajtor për në gjyq” (Mateu 5:22); “Por po ju them se ditën e gjyqit njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë” (Mateu 12:36); dhe “Burra niniveas do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse u penduan me predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona” (Mateu 12:41). Teologjia e Jezusit ishte një teologji krize. Fjala greke crisis do të thotë “gjykim”. Kriza për të cilën predikonte Jezusi ishte kriza e një gjykimi që pritej të binte mbi botën, gjatë të cilit Perëndia do të derdhë zemërimin e Tij kundër të pashpenguarve, të paperëndishmëve dhe të papenduarve. E vetmja shpresë shpëtimi prej kësaj derdhjeje zemërimi është që të mbulohesh nga shlyerja e Krishtit.

Për pasojë, arritja më sublime e Krishtit në kryq është se e fashiti zemërimin e Perëndisë, i cili do të vazhdonte të digjej kundër nesh po të mos mbuloheshim nga flijimi i Krishtit. Kështu që nëse dikush ngrihet kundër fashitjes apo konceptit të Krishtit që kënaq zemërimin e Perëndisë, bëni kujdes sepse vetë ungjilli është në rrezik. Bëhet fjalë për vetë thelbin e shpëtimit, pra, për faktin që si ne, njerëzit që jemi mbuluar nga shlyerja, jemi shpenguar nga rreziku më i madh që i kanoset dikujt. Është gjë e tmerrshme të biesh në duart e një Perëndie të shenjtë që është i zemëruar! Mirëpo, nuk ka më zemërim për ata, mëkatet e të cilëve janë paguar. Kjo është e gjithë domethënia e shpëtimit!


Botuar me leje: https://www.ligonier.org/learn/articles/two-important-words-good-friday-expiation-and-propitiation 
Autori: R.C. Sproul  
Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez 2024


EtiketaLigonier

Postime të ngjashme

Çfarë është shlyerja e kufizuar?
Sakrifica dhe mirëkujdestaria
5 gjëra që duhet t’i dini për Davidin