9marks.org 407 1024x535

Shkurt 2025


Ndoshta ti i ke dëgjuar këto fjalë, apo edhe mund të kesh dëgjuar veten tënde duke thënë: “Ne nuk shkojmë në kishë, ne jemi kisha”. Unë kam një marrëdhënie personale me Perëndinë, nuk kam nevojë për një institucion ose për një ndërtesë. Të shkosh në kishë është një ide njerëzore, është diçka amerikane, një shpikje moderne. Perëndia dëshiron që ne të kemi një marrëdhënie me Të dhe me të tjerët. Unë “marr pjesë” në kishë në një mënyrë tjetër — përmes një vakti të ushqimit, duke shijuar natyrën, duke iu shërbyer të tjerëve — kjo është kisha ime.

Disa persona thonë se janë të krishterë, por asnjëherë nuk marrin pjesë në një kishë. Ata nuk janë të sigurt që Bibla na udhëzon për diçka të tillë. A kanë të drejtë? A thotë Bibla ndonjë gjë për pjesëmarrjen në kishë?

Le të shohim shtatë përgjigje të ndryshme në lidhje me këtë pyetje.

1. Shumë kohë më parë, Perëndia ka urdhëruar popullin e Tij të mblidhen rregullisht çdo javë.

Nga buron origjina e pjesëmarrjes në kishë? Disa nga kritikuesit sugjerojnë se kjo është nga Konstandini, është një model amerikan i biznesit, ide e personave të moshuar, ose nevoja që pastorët kanë për një vend pune. Por a janë këto ide në të vërtetë reale?

Ja çfarë thotë Perëndia:

“Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Ja festat e Zotit, që ju do t’i shpallni si mbledhje të shenjta. Festat e mia janë këto: Do të punohet gjashtë ditë, por dita e shtatë është një shabat pushimi dhe mbledhjeje të shenjtë. Atë ditë nuk do të bëni asnjë punë; është shabati i shenjtëruar Zotit në të tëra vendet ku do të banoni.” (Levitiku 23:2–3)

Të mbledhurit nuk është një ide njerëzore. Vetë Perëndia e mblodhi popullin e Tij një herë në javë për një kohë të shenjtë adhurimi.

2. Populli i Perëndisë mblidhej çdo javë për të kënduar, për të mësuar dhe për t’u lutur.

Nganjëherë, njerëzit thonë se “kisha” është e rëndësishme, por kërkon përfshirje në aktivitete të ndryshme. Të lidhesh me Perëndinë nuk duhet të ndodhë me patjetër përmes të mbledhurit në mënyrë zyrtare, është më mirë të gjesh diçka që të përshtatet ty.

Kjo ide lë jashtë disa praktika të veçanta të adhurimit, të cilat Perëndia ia ka dhënë popullit për t’i praktikuar kur ata mblidhen si kishë.

Psalmet e Shtegtimeve (Psalmet 120-134) janë shkruar me qëllim që ta përgatisin popullin për adhurimin në Jerusalem. Psalmi 122 na tregon që ata shkuan në një vend të caktuar (v. 1), ofruan lavdërime dhe falënderime (v. 4), u lutën (v. 6a) dhe pranuan bekimin (v. 6-7). Këto praktika vazhduan në sinagogë.

“Të marrësh pjesë në kishë” nuk ka për qëllim të gjesh atë që është e përshtatshme vetëm për ty nga ana frymërore. Qëllimi i Perëndisë është të ndryshojë të kuptuarit e nevojave dhe dëshirave tona përmes praktikave që Ai na ka urdhëruar.

3. Kisha e hershme u mblodh së bashku.

Disa mund të mendojnë: “Kjo është diçka nga Dhiata e Vjetër”. Por nuk është kjo çështja. Hebrenjtë e parë që u kthyen në të krishterë e ndryshuan formën e tyre të adhurimit, por nuk e shkatërruan ose e ndaluan plotësisht atë.

Me fillimin e kishës, “...ata ishin ngulmues në mësimin e apostujve dhe në bashkësi dhe në thyerjen e bukës dhe në lutje” (Veprat 2:42).

“Në thyerjen e bukës dhe në lutje” nuk i referohet një grupi miqsh që kalojnë kohë me njëri-tjetrin gjatë një fundjave dhe të cilët luten para ushqimit. Por këtu po flitet për një mënyrë më të organizuar të të mbledhurit për adhurim.

Me përhapjen e ungjillit, të krishterët filluan të organizoheshin nëpër kisha lokale dhe ata vazhduan duke u mbledhur së bashku për adhurim, ashtu siç iu ishte besuar. Jakobi paralajmëron për tundimin që mund të vijë “...në qoftë se në mbledhjen tuaj hyn një njeri me një unazë prej ari, me rroba të shkëlqyera…” (Jakobi 2:1-4, krah. me Romakëve 16:5, 1 e Korintasve 16:19, Kolosianëve 4:15, Filemoni 2).

Ideja këtu është që ky është një takim i rregullt dhe jo vetëm një takim i zakonshëm sa për t’u shoqëruar. Fjala greke për “takim”, në mënyrë të zakonshme është përkthyer si “sinagogë”; Jakobi po flet për të mbledhurit në mënyrë të planifikuar. Të krishterët e hershëm na tregojnë se të jesh kisha do të thotë të marrësh pjesë në kishë.

4. Kisha e hershme mblidheshin për praktika të veçanta.

Të krishterët mund të bëjnë shumë gjëra të bukua kur kalojnë kohë së bashku, por kjo nuk nënkupton se ata janë “ një kishë”. Nuk është “kishë” kur të krishterët marrin pjesë në një kamp së bashku, kur ndihmojnë ata që janë në nevojë, kur hanë një vakt ushqimi së bashku, ose flasin për Perëndinë kur dalin për kafe. Këto janë gjëra të mira, por nuk është kishë.

Kisha e hershme kishte të njëjtat praktika për të cilat kemi folur deri tani, për sa i përket adhurimit: mësimin e Fjalës, këndimin, lutjen dhe falënderimin (Kolosianëve 3:15-16), gjithashtu dhe pjesëmarrjen në Darkën e Zotit (1 e Korintasve 11:18-21).

5. Të krishterët mblidheshin në ditën e parë të javës.

Kisha ka veçuar ditën e diel si një ditë të veçantë për t’u mbledhur së bashku, sepse është dita e ringjalljes se Jezusit. Luka na tregon: “Por ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën, Pali, i cili duhet të nisej të nesërmen, bisedonte me ta dhe e zgjaste fjalën deri në mesnatë” (Veprat 20:7, krah. me 1 e Korintasve 16:1–2).

Edhe pse nuk është pjesë e Shkrimit, Didakeja, një nga dokumentet e hershme nga shekulli i parë, përshkruan se si duhet të jetë adhurimi në kishë: “Mblidhuni së bashku çdo herë në ditën e Zotit për thyerjen e bukës dhe falënderime, pasi t’i keni rrëfyer njëri-tjetrit shkeljet, në mënyrë që ofrimi juaj të jetë i pastër”.

Të marrësh pjesë në kishë të diel, nuk është një shpikje e kohës moderne. Të krishterët nuk mblidhen në mënyrë të rregullt në çdo ditë të javës “për të kaluar kohë”. Ata janë të përkushtuar për t’u mbledhur çdo të diel.

6. Urdhri që të ketë pleq që drejtojnë dhe predikojnë Fjalën, nënkupton të mbledhurit së bashku.

Përmes telefonave tanë, shumë lehtë mund të kemi akses te predikuesit më të mirë në botë, te mijëra këngë adhurimi, gjithashtu edhe deri te seminare të ndryshme teologjike. Ne vetë mund të ndërtojmë përvojën tonë të besimit.

Mirëpo Bibla na jep një pamje tjetër. Na është thënë se të krishterët kanë nevojë për pleq (1 e Timoteut 3:1), të cilët janë përgjegjës për rritjen frymërore të kishës (1 e Timoteut 3:14-15), e cila ndodh më së shumti përmes predikimit. Pali i thotë Timoteut: “Urdhëro këto gjëra dhe mëso këto gjëra. Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi. Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë” (1 e Timoteut 4:11-13; krah. me Titit 2:1, 2:15; 2 e Timoteut 4:1-2)

Perëndia mund ta kishte planifikuar ndryshe. Ai mund t’i kishte drejtuar të krishterët në mënyrë individuale që të lexonin Biblën ose të gjenin një mësues personal. Ai mund të na kishte urdhëruar që të kemi miq me të cilët do të ishim të hapur dhe të sinqertë, të cilët pastaj do të kishin të drejtë të na korrigjonin duke na thënë të vërtetën.

Mirëpo Perëndia e di që ne kemi nevojë për më shumë se burimet dhe komunitetin tonë të famshëm. Ai e di që ne kemi nevojë për udhëheqës të kualifikuar, të cilët janë vendosur në atë rol për të marrë përgjegjësi ndaj nesh dhe që këta udhëheqës kanë autoritetin që përmes predikimit dhe mësimit t’i flasin jetës sonë. Nuk ka një zëvendësim për këtë.

7. Tundimi për të mos u mbledhur është shqyrtuar.

Për disa, të shkosh në kishë është bërë si një detyrim i vështirë. Diçka e ka penguar këtë zakon (ndërrimi i vendbanimit, përfshirja e fëmijëve në sporte, rregullimet rreth shtëpisë etj.), ose thjesht jeta është bërë më e ngarkuar.

Letra e Hebrenjve iu shkrua të krishterëve të cilët po kalonin përmes vuajtjes. Aty na tregohet se një nga tundimet më të mëdha që ata po kalonin ishte të hiqnin dorë nga takimet e përbashkëta. Autori i Hebrenjve thotë se kjo nuk duhet të jetë kështu: “Dhe le të kujdesemi për njëri-tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit tonë, sikurse kanë zakon disa” (Hebrenjve 10:24-25a).

A po nënkupton autori këtu së këta besimtarë e kishin ndaluar të shkonin për vizitë te shtëpitë e njëri-tjetrit, ose që nuk po vazhdonin të takoheshin në park? JO! Krejt ky kapitull ka të bëjë me shërbesën publike të adhurimit, flijimin dhe ofertat në tempull, me shërbesën priftërore dhe hyrjen në shenjtërore. Të gjitha këto veprimtari janë plotësuar dhe janë ngritur në një nivel më të lartë nga vetë Jezusi, i cili është arsyeja kryesore që ne nuk duhet lëmë pas dore të mbledhurit së bashku.

Perëndia e di se nëse ne duam të jemi besnikë dhe të përjetojmë gjithçka që Ai ka për ne, atëherë ne nuk duhet të heqim dorë nga pjesëmarrja jonë në kishë.

Përfundimi

Ne jemi kisha, prandaj shkojmë në kishë. Fjala “kishë” nënkupton “asamble” (bashkësi; kuvend). Perëndia ka qenë dhe po vazhdon të mbledhë popullin e Tij nga çdo komb rreth botës, në kohë dhe hapësirë. Por Ai nuk po e bën këtë në një mënyrë të paprekshme. Ai po vazhdon t’i mbledhë ata çdo javë në mënyrë fizike, në vende të caktuara ku ata mund të praktikojnë adhurimin, ripërtëritjen e besëlidhjes dhe predikimin, i cili drejtohet nga pleq të kualifikuar për të cilët ne kemi nevojë.

Perëndia i ka dhënë autoritetin kishës që të luajë një rol shumë thelbësor në jetën tënde si i krishterë. Nëse kë dëshirë që të përjetosh gjithçka që Perëndia ka për ty, ti nuk mund ta marrësh atë nëse rri larg nga një përkushtim i thellë dhe një lidhje e ngushtë me kishën lokale.

Le të mos jemi vetëm kisha. Le të shkojmë në kishë. Ky është qëllimi, plani dhe dhurata e Tij për ne.

Nga Caleb Davis


Caleb Davis shërben si pastor drejtues në “True Life Church” në Arvada, Colorado. Ai është redaktor i BiblicalHelp.com dhe i blogjeve në pastorcaleb.org.

Përktheu: Nazmi Berisha | Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me leje: https://www.9marks.org/article/does-the-bible-say-anything-about-going-to-church/

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2025

Etiketa9marks

Autori


Postime të ngjashme

Cilët janë disa mesazhe që njerëzit, në mënyrë të rreme, deklarojnë se janë ungjilli?
Çfarë është një plak kishe?
Askush nuk merr kishën që do