key verses singing

Nëntor 2024                                             Nga: Crossway 


Ky artikull është pjesë e serisë Vargjet kyç të Biblës.

Psalmi 68:4-6

Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij;
përgatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; 
emri i tij është ZOTI; ngazëlloni para tij. 
Perëndia në banesën e tij të shenjtë 
është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave. 
Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, 
çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; 
por rebelët mbeten në tokë të djegur.

Nxitje për t’i kënduar Perëndisë. Besnikët duhet t’i këndojnë Perëndisë, sepse ai ka shfaqur mirësinë e tij; sidomos ndaj atyre që janë më shumë në vështirësi (“jetimëve”; “të vejave”, krah. me Ligji i Përtërirë 10:18; Jakobi 1:27; “i vetmuari”, “të burgosurit”). “Rebelët” (pra, ata që janë kundër besëlidhjes së hirshme të Perëndisë), nga ana tjetër, ai i lë “në tokë të djegur”: ata nuk do të mund të banojnë mes popullit të tij.

Efesianëve 5:18-19

Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymën, duke i folur njëri-tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj.

Të mbushesh me frymë çon në një adhurim me gëzim, “duke kënduar dhe duke lavdëruar”. Kjo mund t’i referohet këngëve si: “psalme, himne dhe këngë frymërore”, që gjenden në librin e Psalmeve në Dhiatën e Vjetër. Megjithatë, duket se ka më tepër gjasa që Pali të jetë duke iu referuar edhe psalmeve kanonike, edhe kompozimeve bashkëkohore të lavdërimit (shih gjithashtu Kolosianëve 3:16). Fjala “frymërore” tregon për ndikimin e mbushjes nga Fryma e Shenjtë (Efesianëve 5:18), në veprën e lavdërimit të besimtarit.

Kolosianëve 3:16

Fjala e Krishtit të banojë në ju me begati; në çdo urtësi, mësoni dhe këshilloni njëri-tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke i kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!

“Fjala e Krishtit”, me shumë mundësi i referohet mësimeve për Krishtin dhe fjalëve të vetë Krishtit, që ishin pjesë e traditave dhe u kalonin gojarisht besimtarëve në vitet e para pasi Krishti u ngjit në qiell, para se të ishin shkruar ungjijtë. “Psalme, himne dhe këngë frymërore” janë mjet i të mësuarit dhe të këshilluarit. Adhurimi në përbashkësi ka funksion edukativ përmes teksteve të këngëve. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme në kulturën e kaluar gojarisht në kohën e Palit.

Psalmi 105:1-2

Kremtoni ZOTIN,
thirreni emrin e tij,
bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
Këndojini atij, këndojini lavde atij,
mendoni thellë për tërë mrekullitë e tij.

Thirrje për ta falënderuar Perëndinë. Pjesa hyrëse e fton bashkësinë të festojë për atë që Zoti ka bërë, duke nxitur një atmosferë gëzimi me terma si “kremtoni”, “këndojini”, “këndojini lavde”, “mendoni thellë”, “mburruni” dhe “u kënaqtë”. Themeli i mirënjohjes është të kujtuarit “tërë mrekullitë” që Zoti “ka bërë”, veçanërisht ato të bëra për popullin e tij, pasardhjen “e Abrahamit” (krah. me Zanafilla 15:5, 13, 18; 17:7).

“Thirreni emrin e tij”. Një shprehje për të kërkuar Zotin në adhurimin publik (krah. me Zanafilla 4:26; 12:8). “Bëni të njohura veprat e tij midis popujve”. Krahaso me Psalmi 9:11; Isaia 12:4.

Veprat 16:23-25

Dhe si i rrahën me shumë goditje, i futën në burg duke urdhëruar rojtarin e burgut t’i ruajë me kujdes. Ky, si mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën më të brendshme të burgut dhe ua shtrëngoi këmbët në dru.
Por aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë; dhe të burgosurit i dëgjonin.

“Po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë”. Midis vuajtjeve, Pali dhe Sila përjetuan prezencën e fortë të Frymës së Shenjtë, që ua mbushi zemrat me gëzim dhe lavdërim (krah. me 1 e Pjetrit 2:19-21; 4:12-14). Gëzimi në nder të vuajtjeve është temë e zakonshme te Veprat (Veprat 4:24-30).

Psalmi 100:1-2

Dërgojini klithma gëzimi ZOTIT,
o banorë të të gjithë tokës! 
I shërbeni ZOTIT me gaz, 
ejani para tij me këngë gëzimi.

“Klithma gëzimi”. Krahaso me Psalmin 95:1-2. Gjithashtu e referuar si “klithma gëzimi” (Psalmi 66:1). “Të të gjithë tokës”. Zoti është Krijuesi i të gjithë popujve, jo vetëm i Izraelit; dhe Izraeli ekziston për t’i sjellë dritë gjithë botës.

“Me gaz… me këngë gëzimi”. Vetëdija për mirësinë e Perëndisë (Psalmi 100:5) dhe vetëdija për privilegjin e madh për ta adhuruar atë, prodhon gëzim tek ata që e dinë se janë të mirëpritur në praninë e tij.

Jakobi 5:13-14

A heq keq ndonjë nga ju? Le të lutet. A ka zemër të gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme! A është i sëmurë ndonjë nga ju? Le të thërrasë pleqtë e kishës dhe ata të luten përmbi të, mbasi ta lyejnë me vaj në emër të Zotit.

Jakobi e nis me atë që “heq keq” (A), pastaj u drejtohet atyre që kanë zemër “të gëzuar” (B) dhe e përmbyll me të sëmurët (A). Ai përmend tërthorazi Jakobin 1:2, ku ai që kalonte vështirësi duhet ta konsideronte “gëzim të madh”. Edhe pse “i sëmurë” (greqisht “astheneo”) mund të nënkuptojë gjithashtu “të qenët i dobët” (edhe i dobët në besim, si te Romakëve 14:1), kur përdoret pa mbiemra cilësues (si në këtë rast), i referohet zakonisht sëmundjeve fizike. “Pleqtë” ishin pastorët dhe mbikëqyrësit (krah. me Veprat 20:17, 28; Titit 1:5, 7; 1 e Pjetrit 5:1-2), të cilët njiheshin për mençuri dhe maturi, e që funksionin si udhëheqës nëpër kisha. Kjo provon se, kishat të cilave Jakobi u shkruante, kishin shumë pleq, sepse ai hamendëson që një person i sëmurë mund të thërrasë “pleqtë e kishës”. Disa mendojnë se lyerja “me vaj” ishte medicinale apo një formë sakramenti (siç është vajosja ekstreme që bëjnë katolikët romakë në vdekje), por këtu shihet më mirë si një simbol që përfaqëson fuqinë shëruese të Frymës së Shenjtë që vjen mbi personin e sëmurë (krahaso përdorimin e “vajosjes” për shenjtërimin simbolik në përdorim dhe shërbim të Perëndisë, edhe në Dhiatën e Vjetër [Eksodi 28:41] edhe në Dhiatën e Re [Luka 4:18; Veprat 4:27; 10:38; 2 e Korintasve 1:21; Hebrenjve 1:9]). “Në emër të Zotit” do të thotë se është Perëndia që shëron, dhe jo vaji.

Psalmi 33:1-3

Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti;
lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë. 
Kremtojeni Zotin me qeste; 
këndojini atij me harpën me dhjetë tela. 
Këndojini një këngë të re, 
bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.

Thirrje për të kënduar lavde. Fjalët hyrëse: “ngazëlloni” dhe “të drejtë”, jehojnë Psalmin 32:11, që mund të jetë edhe arsyeja përse ky psalm është vendosur këtu. Në këtë rast, “të drejtët” janë populli i Perëndisë, ata që kanë marrë besëlidhjen dhe dashurinë e tij. Instrumentat me tela që përmenden këtu shoqërojnë këtë këngë të zellshme lavdërimi. “Këngë të re” (krah. me Psalmin 40:3; 96:1; 98:1; 144:9; 149:1; Isaia 42:10; Zbulesa 5:9; 14:3), nuk duhet nënkuptuar si një këngë e sapo kompozuar; përkundrazi, mund të kuptohet si të kënduarit e kësaj kënge si përgjigje ndaj një përjetimi të ri të hirit të Perëndisë.

Sofonia 3:17

ZOTI, Perëndia yt,
në mes teje është i fuqishmi që shpëton. 
Ai do të mbushet me gëzim për ty, 
në dashurinë e tij do të qëndrojë në heshtje, 
do të gëzohet për ty me britma gëzimi.

Kombi që dikur ishte i dobët, gjendet në praninë e atij që është “i fuqishmi” (Ligji i Përtërirë 10:17; Psalmi 24:8; Isaia 10:21; 42:13). Vetë Perëndia, që ndryshe nga luftëtarët dhe heronjtë njerëzorë (Sofonia 1:14) nuk humb zemër, në vend që t’ia mbathë përballë rrezikut, Perëndia mund ta shpëtojë popullin e tij prej rrezikut (Eksodi 14:30). Ky varg shton të jashtëzakonshmen se Perëndia “do të mbushet me gëzim për ty”, duke treguar se, kur populli i Perëndisë e kërkon dhe e ndjek atë (Sofonia 3:12-13), dhe gëzohet e beson në të (Sofonia 3:14-16), atëherë vetë Perëndia kënaqet me të. Nuk bëhet fjalë për një kënaqësi të ftohtë e pa emocion, por shpërthime në festim të gëzueshëm hyjnor: ai “do të gëzohet për ty me britma gëzimi”.

Zbulesa 5:8-10

Dhe, mbasi e mori librin, të katër qeniet e gjalla dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit, duke pasur secili një qeste dhe kupa të arta plot me temjan, të cilat janë lutjet e shenjtorëve. Dhe këndonin një këngë të re duke thënë:

“I denjë je të marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij,
sepse ti u there, 
dhe nëpërmjet gjakut tënd na bleve për Perëndinë prej çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombi, 
dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë 
dhe do të mbretërojmë mbi dhe”.

Kur Qengji të marrë librin, “katër qeniet e gjalla dhe të njëzet e katër pleqtë”, që e lavdëruan Perëndinë për përsosmërinë dhe krijimin e tij, tanimë do të këndojnë “një këngë të re” që kremton shpengimin e Qengjit. Ndërsa kishin rënë përmbys përpara fronit të Perëndisë (Zbulesa 4:10), tani ata e gjunjëzojnë veten në adhurim përpara Qengjit, një pohim i hyjnisë së tij. Termi “temjan” simbolizon “lutjet e shenjtorëve” dhe tregon se përgjërimet e tyre për çlirim janë dëgjuar dhe do të marrin përgjigje në gjykimet hyjnore të Perëndisë (Zbulesa 8:3-5).


Të gjitha pjesët e komentarit janë përshtatur nga Bibla e studimit ESV.


Kategoria: Të kënduarit
Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/10-key-bible-verses-on-singing/
Përktheu: Sara Gjana | Redaktoi: Linea Simeon
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2024


Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi inkurajimin