dear pastor limits (2)

Shtator 2024  


Ky artikull është pjesë e serisë "I dashur pastor"

I dashur pastor,

Ai ishte çasti që më hapi zemrën, më zbuloi më shumë nga sa do të kisha dashur. U turpërova pak në çastin e zbulimit, por më bëri mirë të përballesha me atë që kisha në zemër. Po flisja në një konferencë të madhe burrash dhe më pyetën që, nëse do të mund të zgjidhja një superfuqi, cila do të ishte. Disa të tjerë zgjodhën të fluturonin apo të ishin shumë të fortë, por unë menjëherë thashë: “Do të doja të kisha fuqinë që të krijoja dhjetë ditë në javë”. Me këtë, u përballa përsëri me faktin që i urrej kufijtë. Unë dua më shumë kohë, që të bëj më shumë nga sa më lejon koha. Dua më shumë forcë për të arritur më shumë. Dua më shumë urtësi, që të mos kem pse të investoj kaq kohë duke kërkuar dhe duke mësuar. Dua të jem i pafundmë dhe i plotfuqishëm. Po, është e vërtetë: ka çaste në jetën time kur dua të jem Perëndi.

Sa do të doja të thosha që nuk acarohem me kufijtë që Perëndia më ka vendosur, por nuk mundem. Do të doja të thosha që nuk tundohem kurrë të dal jashtë atyre kufijve, por nuk mundem. Do të doja të mos kisha pse ta paguaja çmimin e refuzimit të këtyre kufijve, por ende e bëj këtë. Shërbesa të tundon të bësh më shumë nga sa është e realizueshme dhe e shëndetshme. Është tunduese të shkruash përshkrime pune për të tjerët që kërkojnë më shumë nga sa mund ta përballojnë në mënyrë të përgjegjshme. Dhe është po aq tunduese ta lësh një udhëheqës të punojë përtej kufijve të tij, sepse puna e tij duket thelbësore për suksesin e sipërmarrjes së shërbesës.

Nëse ti je një udhëheqës, ti nuk i di të gjitha, nuk mund t’i bësh të gjitha, nuk je krejtësisht i pjekur dhe nuk ke energji të pashtershme. Nuk je thjesht një paketë pikash të forta, dhuntish dhe përvojash; je edhe një koleksion dobësish dhe ndjeshmërish. Prandaj ungjilli është kaq inkurajim i ëmbël. Nuk kemi pse t’i kemi frikë kufijtë tanë, sepse Perëndia nuk na dërgon të vetëm; atje ku ai na dërgon, ai shkon vetë fillimisht. Nuk kemi pse t’i mallkojmë dobësitë tona, sepse dobësitë tona i hapin vend hirit të tij. Nuk kemi pse t’i fshehim apo t’i mohojmë papjekuritë tona, sepse Perëndia nuk pengohet prej tyre. Kufijtë dhe dobësitë tona nuk i pengojnë ato që Perëndia mund të bëjë përmes nesh, veçse nëse ne i mohojmë ato kufij dhe gënjejmë veten për forcën tonë të pavarur.

Ndaj dua të shqyrtojmë bashkë katër kufij që Perëndia, në urtësinë e tij krijuese, na ka caktuar dhe se si pranimi i vazhdueshëm dhe i përulur i këtyre kufijve, mund të na ndihmojë të vlerësojmë planet tona si komunitet udhëheqës, të caktojmë punën tonë dhe të vlerësojmë sa të shëndetshëm jemi.

1. Ti ke dhunti të kufizuara

Mësimi i Palit për dhuntitë në trupin e Krishtit përmban të kuptuarin e qartë se dhuntitë janë të kufizuara (shih Efesianëve 4:1-16 dhe 1 e Korintasve 12:4-31). Krahasimi i tij me trupin e njeriut e tregon fuqishëm këtë gjë. Syri është krijuar specifikisht për të parë dhe për këtë arsye nuk e ka aftësinë të ngrejë objekte. Krijimi përcakton kufijtë! Kjo është e vërtetë edhe për çdo dhunti që u jepet anëtarëve të trupit të Krishtit, dhe prandaj vlen për çdo udhëheqës me dhunti prej Perëndisë për shërbesë në kishën e tij.

Asnjë udhëheqës nuk është krijuar për t’i ditur apo për t’i bërë të gjitha. Asnjë udhëheqës nuk është krijuar të punojë vetëm. Është e rrezikshme që një udhëheqës të jetë aq mbizotërues, saqë dhuntitë e të tjerëve nuk arrijnë të shprehen, duke e lënë atë udhëheqës të bëjë gjëra për të cilat Perëndia nuk ia ka dhënë si dhunti. Asnjë udhëheqës nuk duhet ta shohë veten si personi më i zgjuar në dhomë, ngaqë ka dhunti të fuqishme. Zgjuarsia është nënkategori e dhuntive. Çdo udhëheqës duhet të mbështetet në kontributet e udhëheqësve të tjerë që janë të mençur në ato gjëra ku ai nuk është. Shërbesa duhet bërë gjithnjë në një komunitet të përulur, të respektueshëm dhe të nënshtruar, sepse dhuntitë që Perëndia na ka dhënë, kanë kufizimet e tyre prej natyre. Me hirin e Perëndisë, unë jam një udhëheqës me ndikim, por çdo ditë ngrihem dhe bëj punën që më është caktuar nga njerëz që punojnë me mua dhe janë të mençur aty ku unë nuk jam, sepse i sjellin dhunti punës sonë, dhunti që unë nuk i kam. Do të ishte budallallëk dhe krenari që ta mbizotëroja çdo diskutim, të merrja çdo vendim apo të caktoja çdo detyrë.

Asnjë udhëheqës nuk i ka të gjitha dhuntitë, dhe asnjë prej tyre nuk ka si të mos vuajë për shkak të dhuntive që ka. Pranimi i kufijve të dhuntive që Perëndia na ka dhënë dhe i përgjegjësisë e vuajtjes që vijnë me ato dhunti, është diçka thelbësore e një komuniteti shërbyes, i cili themelon dhe mirëmban jo vetëm frytshmërinë e tij, por edhe shëndetin e tij të vazhdueshëm frymëror. Një komunitet udhëheqës që i pranon përulësisht kufijtë e dhuntive që Perëndia i ka dhënë, do të themelojë një kulturë shërbese me bashkëpunim të respektueshëm, vlerësues dhe të gëzueshëm.

2. Koha jote është e kufizuar

Koha na është caktuar; nuk e zgjodhëm me votë dhe as kemi aftësi t’i shpëtojmë asaj. Struktura e kohës që formon ekzistencën e gjithë krijesave të Perëndisë, del nga faqja e kapitullit 1 të Zanafillës. Në një nga aktet e tij të para dhe më domethënës si Krijues, Perëndia parashtron strukturën e shtatë ditëve, bashkë me strukturën e një pushimi të shabatit. Si udhëheqës, ti e ke thjesht të pamundur të injorosh kufijtë që të janë caktuar nga ky plan, pa rrezikuar shëndetin frymëror dhe marrëdhënior, apo efektshmërinë afatgjatë të shërbesës. Duket si diçka qesharake, por prapëseprapë është e rëndësishme të thuhet që kurrë nuk ke për të pasur tridhjetë orë në ditë, dhe kurrë nuk do të kesh nëntë ditë në javë. Dhe gjithnjë do të kesh nevojë për pushim shabati, sado i pjekur të bëhesh dhe sado udhëheqës të tjerë të punojnë përkrah teje.

Çdo kufi që na ka caktuar Perëndia, është vënë sepse Perëndia e di kë ka krijuar. Ai e di se si duhet të jetojmë ne sipas krijimit tonë. Në dashurinë e tij, ai nuk na kërkon më shumë nga sa jemi të aftë të bëjmë. Kufijtë nuk zbulojnë vetëm urtësinë e tij; ato shprehin edhe dashurinë e tij. Kufijtë nuk janë burg, por hir. Nuk mund ta lejosh komunitetin tënd udhëheqës t’i caktojë ndonjë udhëheqësi më shumë punë nga sa mund të bëjë në kohën që i është caktuar atij. Nuk mund t’i kërkosh dikujt të marrë punë pas pune, ditë pas dite, pa shabate periodike për të pushuar. Pak gjëra të tjera janë më të rëndësishme për një komunitet udhëheqësish që janë frymërisht të shëndetshëm, sesa kufijtë kohorë që caktoi Perëndia për krijimin e tij që nga fillimi.

Kufijtë e kohës janë një argument i mëtejshëm që shërbesa të bëhet gjithnjë në komunitet. Kështu asnjë udhëheqës i vetëm nuk provon apo detyrohet të bëjë më shumë nga sa mund të përballojë me përgjegjësi. Gjithashtu, gjërat e tjera që Perëndia e ka thirrur atë të bëjë, marrin fokusin e duhur. Një komunitet udhëheqësish, që është i shëndetshëm frymërisht, e bën gjithnjë punën e vet, duke marrë parasysh kufijtë e caktuar prej Perëndisë.

3. Energjia jote është e kufizuar

Lejomëni ta them që tani: asnjëri prej nesh nuk është i pafundmë, i vetëmjaftueshëm apo i vetëpërtëritshëm. Të gjithë ne jemi një paketë energjish të kufizuara e me dobësi të caktuara, të cilat hiri hyjnor i mban në vend. Ndaj një komunitet udhëheqësish, i shëndetshëm frymërisht, që jep fryte afatgjata në shërbesë, është i vetëdijshëm që çdo udhëheqës është i krijuar prej Perëndisë, si një dualitet. Nuk jemi një komunitet shpirtrash pa trup. Gjithçka që ti je dhe gjithçka që ti bën, formohet nga fakti që je edhe frymëror, edhe fizik. Teksa dëgjoj bisedën për kishën dhe komunitetin e udhëheqjes në shërbesë, dëgjoj shumë për shëndetin frymëror, por pak për atë fizik. Sipas planit të Perëndisë, ti dhe unë kemi energji të kufizuar. Duke mos u kujdesur fizikisht për veten, çfarëdo energjie të natyrshme që kemi, do të shterohet në masë të madhe.

Shëndeti fizik duhet të jetë pjesë e bisedës dhe e përgjegjësisë së përbashkët të çdo anëtari të komunitetit udhëheqës. Sikurse kujdesemi për shëndetin frymëror të njëri-tjetrit, duhet të merakosemi dhe të kujdesemi edhe për shëndetin fizik të njëri-tjetrit. Kjo temë nuk duhet të jetë tabu. Nuk duhet menduar si diçka private. Udhëheqësit nuk duhet të rezistojnë apo të mbrohen kur parashtrohet kjo çështje. Ajo është një nga mënyrat që jemi thirrur të duam dhe të baritojmë njëri-tjetrin. Fjalët e Palit te 1 e Korintasve 9:24-27 janë interesante, pasi ai e konsideron nënshtrimin e trupit të tij si pjesë e thirrjes së tij për ungjillin. Ti mund të pyesësh veten se për çfarë e nënshtron? Përgjigjja është që e nënshtron ndaj Krishtit të ungjillit, për hir të përhapjes së ungjillit. Ajo që Pali po thotë, është që deri në kthimin e Zotit, do të kemi përplasje pasionesh në zemrat tona. Mund të jetë përplasje e pasionit tim për ushqimin me pasionin tim për të shpenzuar energjitë e mia në shërbim të ungjillit. Mbase pasioni im për t’u çlodhur, përplaset me ushtrimin fizik që më nevojitet që të ngrihem çdo ditë për të luftuar betejat frymërore.

Në mënyrë që ta vazhdojmë garën deri në fund dhe të mos skualifikohemi, të gjithë ne duhet t’u themi ‘jo’ pasioneve të trupit, që të mund të vrapojmë në garën e shërbesës apo të udhëheqjes, për të cilën jemi thirrur. Nënshtrimi i trupit tonë nuk nis me dietën dhe ushtrimin fizik, por me kërkimin dhe rrëfimin e idhujve të zemrës sonë që pengojnë disiplinën që na kërkohet, gjë që bëhet e mundur me anë të hirit. Kujdesi për trupin tonë fizik nuk është diçka veçmas thirrjes sonë në shërbim të ungjillit; është një pjesë e rëndësishme e saj. Një komunitet udhëheqës, i shëndetshëm nga ana frymërore, nuk kujdeset vetëm për shëndetin frymëror të udhëheqësve të tij, por edhe për mirëqenien e tyre fizike gjithashtu.

Çdo kufi që Perëndia na ka caktuar është vënë sepse Perëndia e di kë ka krijuar. Ai e di se si duhet të jetojmë ne sipas krijimit tonë. Në dashurinë e tij, ai nuk na kërkon më shumë nga sa jemi të aftë të bëjmë.

4. Pjekuria jote është e kufizuar

Pjekuria e kufizuar frymërore e çdo anëtari të komunitetit udhëheqës duhet të merret e mirëqenë nga të gjithë anëtarët e këtij komuniteti. Dua të them se çdo udhëheqës është një njeri në mes të procesit të shenjtërimit të vet. Pavarësisht se për sa kohë kemi qenë udhëheqës në shërbesë, sado të jemi trajnuar, sado teologjikisht të pjekur të jemi, të gjithë kemi ende nevojë për zhvillim të mëtejshëm frymëror. Të gjithë ne kemi pikat tona të verbra. Të gjithë kemi pika ku jemi të dobët ndaj tundimit. Të gjithë kemi dobësi në karakterin tonë. Të gjithë kemi ende nevojë për fuqinë shpëtuese, bindëse dhe transformuese të ungjillit.

Prandaj një komunitet udhëheqës nuk duhet të supozojë gjëra që i pengojnë udhëheqësit që të kenë merakosje ungjilli për njëri-tjetrin dhe të kenë biseda të sinqerta në komunitet. Komunitetet udhëheqëse duhet të përkushtohen për të barituar çdo anëtar të këtij komuniteti. Ne nuk mund të lejojmë që një anëtar të jetojë në izolim dhe veçim frymëror. Perëndia nuk na ka thirrur vetëm për punën e jashtme të shërbesës së ungjillit, por edhe për ta udhëhequr “shoku-shokun” gjithashtu. Përvoja ime, kur kam pasur të bëj me pastorë të rënë, ishte që ata kishin përreth një komunitet udhëheqës të rrëzuar ose jofunksional, që nuk arrinte ta mbronte atë udhëheqës nga vetja e tij, përmes dashurisë dhe kujdesit pastoral.

Çdo udhëheqës ka nevojë të jetë objekt i dishepullimit të vazhdueshëm, çdo udhëheqës ka nevojë që hera-herës të ballafaqohet, çdo udhëheqës ka nevojë për ngushëllimin e ungjillit, çdo udhëheqës ka nevojë për ndihmë që të shohë ato që nuk arrin t’i dallojë dot vetë dhe çdo udhëheqës ka nevojë për dashurinë dhe inkurajimin për t’u përballur me mbetjet e vetes së vjetër në të. Dhe nëse kjo është e vërtetë, nuk mund të merremi kaq shumë me vizione, hartime, mirëmbajtje, vlerësime dhe riformime të shërbesës, saqë të mos na ngelet kohë për t’u kujdesur për shpirtrat e atyre që e drejtojnë punën e ungjillit. Një komunitet udhëheqës, i shëndetshëm nga ana frymërore, merr pjesë në rritjen e vazhdueshme personale të secilit prej anëtarëve të tij.

Të jetosh me kufijtë

Derisa të jemi në anën tjetër, do të shërbejmë, do të kemi marrëdhënie dhe do të jetojmë me kufij. Këta kufij nuk e pengojnë atë që Perëndia kërkon të realizojë përmes nesh, sepse janë produkt i zgjedhjes së tij të urtë dhe të dashur. Ajo që Perëndia na ka thirrur të bëjmë, është e mundur brenda kufijve që ai ka caktuar dhe që ne nuk ia dalim dot t’u shpëtojmë. Prandaj thirrja jonë e ungjillit përfshin edhe mbajtjen parasysh të këtyre kufijve për veten tonë dhe në bisedat tona në komunitetin drejtues. Duhet t’i rezistojmë tundimit për të jetuar përtej këtyre kufijve apo për të supozuar që po qëndrojmë në to me përulësi dhe urtësi. Perëndia nuk ka frikë t’i thërrasë njerëzit e kufizuar për të qenë udhëheqës ungjillorë, ndaj nuk duhet të kemi frikë, duke pasur shpresë dhe përulësi ungjillore, për t’i parashtruar ata kufij jo vetëm një herë, por përsëri e përsëri, duke e ditur që duhet të jemi të përkushtuar në këtë, derisa puna e Perëndisë në ne të jetë kryer.


Ky artikull është përshtatur nga libri “Lead: 12 Gospel Principles for Leadership in the Church” i autorit Paul David Tripp.


Paul David Tripp (DMin, Westminster Theological Seminary) është një pastor, shkrimtar që ka fituar çmime dhe folës konferencash ndërkombëtare. Ai ka shkruar disa libra, përfshirë këtu Lead; Parenting; dhe librin më të shitur devocional New Morning Mercies. Fondacioni i tij ka synim të lidhë fuqinë transformuese të Jezu Krishtit me jetën e përditshme. Tripp-i jeton në Filadelfia me të shoqen, Luella. Ata kanë katër fëmijë të rritur.

Përktheu: Sergej Meçe | Redaktoi: Linea Simeon

Botuar me leje: https://www.crossway.org/articles/dear-pastor-you-need-to-recognize-your-limits/

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©dritez.al 2024

Postime të ngjashme

10 vargje kyç mbi inkurajimin
10 vargje kyç mbi besimin te Perëndia
I dashur pastor… bariut tënd nuk i intereson sa e madhe është kisha jote
>