Fajin me gjërat e shenjta…
Eksodi 28:38
Ç’perde që çajnë këto fjalë dhe ç’na zbulojnë ato! Do të jetë një gjë përulëse dhe e dobishme për ne, që të ndalemi për një çast dhe të sodisim këtë pamje të trishtuar. Paudhësia e adhurimit tonë publik, dyfytyrësia e tij, formalizmi, vaktësia, mungesa e respektit, bredhjet e zemrës dhe harresa e Perëndisë—çfarë pamjeje të plotë kemi përpara nesh! Puna jonë për Zotin, rivaliteti gjatë saj, egoizmi, pakujdesia, shpërfillja, mosbesimi—ç’fëlliqësi pa numër ka atje! Koha personale me Zotin, shthurja e saj, ftohtësia, shpërfillja, përgjumja dhe vetëadmirimi—çfarë mali me pleh! Nëse do ta vërenim me më shumë kujdes, do të kuptonim se kjo paudhësi është shumë më e madhe nga sa duket në pamje të parë.
Dr. Payson-i*, teksa i shkruan të vëllait, thotë: “Kisha ime, sikurse edhe zemra ime, ngjasojnë tej mase me kopshtin e përtacit; dhe çka është më e keqe, vë re se shumë prej dëshirave të mia për përmirësimin e të dyjave rrjedhin ose nga krenaria, ose nga vetëadmirimi, ose nga përtacia. I shoh barërat e këqija tek harlisen në kopshtin tim dhe nga shpirti më del një dëshirë e zjarrtë për t’i tëharrur. Por përse ndodh kjo? Çfarë e ngjall këtë dëshirë? Ndoshta që të kaloj përmes tij dhe të them me vete: ‘Sa i mirëmbajtur është kopshti im!’. Mirëpo, kjo është krenari. Ose ndoshta që kur fqinjët e mi të shohin këtej murit, të thonë: ‘Pa-pa, sa bukur që lulëzon kopshti yt!’. Ky është vetëadmirim. Ose ndoshta e dëshiroj tëharrjen e barërave, sepse nuk kam më fuqi që të merrem me to. Kjo është përtaci.”
Kështu, pra, edhe dëshirat tona për shenjtëri mund të njollosen nga motive të këqija. Edhe në lëndinat më të gjelbra fshihen krimba, dhe nuk duhet shumë për t’i dalluar ata. Sa lumturues është mendimi se kur Kryeprifti e mbartte fajin me gjërat e shenjta, ai i kishte të shkruara mbi ballin e vet fjalët: “SHENJTËRI ZOTIT”; po kështu, kur Jezusi e mbart mëkatin tonë, Ai paraqet përpara fytyrës së Atit të Vet, vetë shenjtërinë e Tij dhe jo ligësinë tonë. Oh, çfarë hiri është ta sodisësh Kryepriftin tonë të madh përmes syve të besimit!
*Shënim i përkthyesit: Eduard Pejson (Edward Payson, 1783-1827) ishte pastor i Kishës Kongregacionaliste (Congregational Church) në Portland, Mein (Main, SHBA). Njihej ndryshe si “Pejsoni lutës” për jetën e tij të gjallë të lutjes.
© dritez.al 2024