February 2023

Edhe dëgjuan një zë të madh prej qiellit duke u thënë atyre: “Ngjituni këtu.”

Zbulesa 11:12

Pa i shqyrtuar këto fjalë në lidhjen e tyre profetike, le t’i konsiderojmë ato si një ftesë nga Pararendësi ynë i madh, drejtuar popullit të Tij të shenjtëruar. Kur të vijë koha, do të dëgjohet “një zë i madh nga qielli”, i cili i thotë çdo besimtari: “Ngjitu këtu lart!”. Për shenjtorët, kjo duhet të jetë shkas për një pritje të gëzuar. 

Në vend që t’i druhemi çastit në të cilin do ta lëmë këtë botë, për të vajtur tek Ati, ne duhet ta dëshirojmë me ëndje orën e çlirimit tonë. Kënga jonë duhet të jetë—

E kam me Të zemrën, mbi të Tijin fron,
Dhe nuk mund të pres më;
Çdo çast pres të dëgjoj zërin që thotë,
“Ngrihu dhe nisu që andej!”

Nuk po na thërrasin që të zbresim poshtë në varr, por që të ngjitemi lart në qiej. Shpirtrat tanë të lindur prej së larti duhet të digjen për ajrin e vendlindjes së tyre. E megjithatë, ftesa qiellore duhet t’i nënshtrohet pritjes së durueshme. Perëndia ynë e di më së miri se kur të na thërrasë: “Ngjituni këtu lart!”. Ne kurrë nuk duhet ta kemi dëshirën për ta afruar kohën e nisjes sonë. 

Unë e di se dashuria e fortë do të na bëjë të thërrasim:
Çaji dallgët, o Zoti i Ushtrive,
Dhe në qiell na ço të gjithëve.

Mirëpo, durimi duhet ta bëjë punën e tij të përsosur. Zoti e cakton me urtësi dhe saktësi kohën më të përshtatshme, që të shpenguarit të jetojnë këtu poshtë. Natyrisht, nëse do të kishte ndonjë shprehje keqardhjeje në qiell, këto do të ishin të shenjtorëve që mund të pikëllohen se përse nuk jetuan më gjatë këtu poshtë, për të bërë më shumë të mira. Oh, sikur të kisha mbledhur më shumë duaj për të korrat e Zotit tim dhe më shumë gurë të çmuar për kurorën e Tij! Por si mund të ndodhë kjo pa punuar më shumë? Është e vërtetë, ekziston edhe ana tjetër e medaljes, pra, duke jetuar më pak, edhe numri i mëkateve tona është më i vogël. Mirëpo, oh, kur jemi duke i shërbyer plotësisht Perëndisë dhe Ai na kërkon që ta shpërndajmë farën e vyer dhe të korrim njëqindfish, atëherë mund të themi se është më mirë për ne që të mbetemi aty ku jemi! Edhe nëse Mjeshtri ynë na thotë: “Shkoni!”, edhe nëse na thotë: “Qëndroni!”, qofshim njësoj të kënaqur, për sa kohë që Ai na përkëdhel me praninë e Tij!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin