Shkurt 2023

“Çohuni dhe ikni.”

Mikea 2:10

Po afrohet ora kur do të na vijë lajmi që u vjen të gjithëve: “Çohuni dhe ikni nga shtëpia ku keni banuar, nga qyteti ku keni punuar, largohuni nga familja juaj dhe nga miqtë tuaj! Çohuni dhe nisni udhëtimin tuaj të fundit!”. 

Dhe çfarë dimë ne për udhëtimin? Po ashtu, çfarë dimë ne për vendin për ku po nisemi? Kemi lexuar diçka për të dhe Fryma na ka zbuluar disa detaje rreth tij; por megjithatë dimë shumë pak për territoret e së ardhmes! Të gjithë e dimë se është një lumë i zi sterrë dhe i shkumëzuar, i cili quhet “Vdekje”. Zoti na bën thirrje që ta kapërcejmë, duke premtuar se do të jetë me ne. 

Dhe çfarë vjen pas vdekjes? Çfarë bote e mrekullueshme do të hapet përpara vështrimit tonë të mahnitur? Cila do të jetë panorama e lavdisë, e cila do të shpaloset përpara nesh? Asnjë udhëtar nuk është kthyer të na tregojë. Mirëpo, ne dimë aq sa duhet rreth tokës qiellore, për të na bërë që ta mirëpresim me gëzim dhe hare ftesën që vjen prej andej. 

Udhëtimi i vdekjes mund të jetë i errët, por ne mund t’i bëjmë ballë sypatrembur, duke e ditur që Perëndia është me ne tek ecim nëpër luginën e hijes së vdekjes, dhe prandaj nuk kemi pse të druajmë asnjë të keqe. Vërtet do ta lëmë gjithçka që kemi njohur dhe dashur këtu poshtë, por do të shkojmë te shtëpia e Atit tonë—te vatra atërore ku është Jezusi—në atë qytet mbretëror, në “qytetin, që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia” (Hebrenjve 11:10). Kjo do të jetë shpërngulja jonë e fundit, për të jetuar përjetësisht me Atë që duam, në mesin e popullit të Tij, në praninë e Perëndisë. 

I krishterë, medito gjatë mbi parajsën; kjo do të të ndihmojë të ngulmosh në ecje dhe të harrosh vështirësinë e rrugës. Lugina e lotëve nuk është veçse shtegu drejt një vendi më të mirë. Kjo botë e zhytur në mjerim nuk është veçse guri i vaut drejt në bote të bekuar.

Na përgatit, o Zot, me hir hyjnor,
Lart për në të ndritshmin dhe Tëndin oborr;
Të ngrihet lart thuaji shpirtit tonë
Dhe t’i bashkohet korit qiellor.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>